Handikos Suharekë përfiton donacion pajisjesh ndihmëse nga mërgimtarët

Shoqata e Personave me Aftësi të Kufizuara Handikos në Suharekë ka përfituar një donacion të konsiderueshëm pajisjesh ndihmëse, falë kontributit të mërgimtarëve Adem dhe Armend Veselaj, si dhe bashkëatdhetarit Avni Kurmehaj nga fshati Strellc i Deçanit, me punësim në Mynih të Gjermanisë.
Sipas njoftimit të Handikos Suharekë, donacioni përfshin shtatë karroca speciale për persona me aftësi të kufizuara, tri karroca elektrike, katër shetitore (rolatorë), një shetitore statike, si dhe 21 dyshekë me ajër të dedikuar për përdoruesit e karrocave.
Nga Handikos Suharekë është vlerësuar lart ky kontribut, duke theksuar rëndësinë që pajisjet ndihmëse kanë për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe lëvizshmërisë së personave me aftësi të kufizuara.
“Ky donacion është tejet i mirëseardhur për qendrën tonë dhe për përfituesit tanë. Falënderojmë donatorët për bashkëpunimin gjatë vitit që lamë pas dhe shpresojmë që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Handikos Suharekë.
Shoqata ka bërë të ditur se pajisjet e dhuruara do të shpërndahen tek përfituesit sipas nevojave të identifikuara në terren. /Telegrafi/



















































