Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka vizituar lagjen Kolovicë ku është takuar me banorë dhe përfaqësues të bizneseve lokale.

Çeku tha se problemet e theksuara nga qytetarët nuk do të zvarriten më gjatë, por do të shndërrohen në projekte konkrete dhe investime afatgjata për komunën.


“Shkolla e braktisur do të kthehet në funksion për komunitetin sipas nevojave të tyre, do të instalohet ndriçim publik në të gjitha rrugët me sistem LED, siguria do të përforcohet me kamera publike dhe bashkëpunim me policinë komunale, ndërsa infrastruktura rrugore do të rregullohet me asfaltim, trotuare dhe shenja komunikacioni”, ka deklaruar Çeku.

Ai shtoi se me qeverisjen e tij nuk do të ketë improvizime në fund të mandatit, por një plan të qartë me transparencë përmes “Kartelës së lagjes”, që do të pasqyrojë buxhetin e dedikuar, prioritetet dhe progresin e projekteve.