Haaland nuk mjafton, Man City ndalet nga Monaco

Monaco dhe Manchester City kanë barazuar me rezultat 2-2 në xhiron e dytë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.
Që nga fillimi, anglezët treguan forcën e tyre. Në minutën e 15-të, Erling Haaland u gjend në vendin e duhur pas një harkimi perfekt nga Josko Gvardiol.
Sulmuesi norvegjez e ndali topin me një prekje të shkëlqyer dhe më pas goditi fuqishëm nën shtyllë, duke e çuar rezultatin në 1-0.

Monaco reagoi shpejt dhe në minutën e 18-të, pas një kombinimi të bukur me Krepin Diatta, mbrojtësi Jordan Teze lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, duke e dërguar topin në cepin e epërm të majtë dhe duke barazuar shifrat në 1-1.
Në pjesën e parë, Man City vazhdoi të kërkonte avantazhin. Phil Foden goditi traversën në minutën e 33-të, ndërsa disa minuta më vonë Nico O’Reilly dhe Tijjani Reijnders u ndalën nga pritjet e shkëlqyera të portierit Philipp Kohn.
Megjithatë, në minutën e 44-të, përsëri ishte Erling Haaland që u ngjit mbi mbrojtjen e Monacos për të shënuar golin e dytë personal dhe të Man Cityt. Një goditje me kokë pas një harkimi të bukur, që pasi u përplas në tokë u fut në rrjetë, i dha epërsinë 2-1 skuadrës së Pep Guardiolës.

Në pjesën e dytë, "Qytetarët" pati mundësinë të thellonte rezultatin. Në minutën e 73-të, Reijnders shpërdoroi një rast ideal, duke goditur traversën me portën e boshatisur. .
Monaco në fund fitoi penallti. Eric Dier mori përgjegjësinë, duke mashtruan portierin italian dhe realizoi saktë në krahun e djathtë, duke e çuar rezultatin në 2-2.
Tani Man City kanë 4 pikë, ndërsa Monaco ka 1 pikë. /Telegrafi/



















































