LAJMI I FUNDIT:

Guvernatori i ri i BQK-së, dilema nëse procesi do të kthehet në pikën zero

Guvernatori i ri i BQK-së, dilema nëse procesi do të kthehet në pikën zero

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ende është me ushtrues detyre, derisa ende nuk dihet nëse konkursi do të kthehet edhe njëherë në pikën zero. Deputetët thonë se kjo çështje duhet të trajtohet me urgjencë, për shkak se lidhet edhe me pozita në institucione të tjera.

Kanë kaluar gati një muaj prej se Komisioni për Buxhet i ka rekomanduar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, që konkursin për guvernator të BQK-së të e kthejë në pikën zero.

Por ende nuk dihet nëse ky konkurs për pozitën më të lartë financiare në vend do të kthehet në fillim ose jo.

Derisa nga Kuvendi i Kosovës nuk janë përgjigjur se kur do të ketë një vendim për këtë, deputetët thonë se kjo çështje është e natyrës urgjente dhe si e tillë duhet të trajtohet.

Ferat Shala, nga PDK thotë se i gjithë ky skenar siç e quan ai është bërë për të vendosur aty anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Është e qartë që politikat e Lëvizjes Vetëvendosje të kësaj qeverie për kapjen e institucioneve financiare, siç është BQK po realizohen sipas skenarit që ne e kemi ngritur shqetësimin në komision, ne tani kemi organet e përkohshme dhe sipas të gjitha gjasave konkursi po shkon në pikën zero”, ka thënë deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

Se kjo çështje duhet të trajtohet sa më shpejtë edhe në rast se kthehet në pikën zero, e thotë edhe deputetja Duda Balje, e cila është edhe anëtare e Komisionit për Buxhet.

“Tash kemi një u.d,  pastaj është problem se është i lidhur me bordin e Trustit, se njëri nga kandidatëve në bordin e trustit duhet me qenë guvernatori i BQK-së, edhe vërtet është shumë problematike tash është në dorën e kryetarit dhe shpresoj se do të vendos sa më shpejt”, ka thënë deputetja Duda Balje.

Televizioni ka provuar të marr edhe një qëndrim nga kryetari i komisionit për buxhet, njëherit edhe deputetit të Vetëvendosjes, Armend Muja, por ai nuk është përgjigjur.

Banka Qendrore e Kosovës ende është me ushtrues detyre, derisa ende nuk dihet nëse konkursi do të kthehet edhe njëherë në pikën zero. Deputetët thonë se kjo çështje duhet të trajtohet me urgjencë, për shkak se lidhet edhe me pozita në institucione të tjera.

Konkursi për guverantor të Bankës Qendrore u kritikua nga deputetët dhe nga ish guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti.

Pas shumë diskutimeve në komisionin për buxhet, lista me emrin e 4 kandidatëve nuk kaloi, me arsyetimin se nuk janë plotësuar kriteret e nevojshme.

Pas përfundimit të mandatit të Fehmi Mehmetit, ushtrues detyre erdhi Bashkim Nurboja, kryetar i bordit të BQK-së, i cili më herët kishte qenë edhe kandidat për deputet në Lëvizjen Vetëvendosje./RTV Dukagjini/