Përparim Gruda nga Partia Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda sot në një konferencë për media ka shprehur shqetësimin e thellë të PDK-së lidhur me ligjëratat e mbajtura në shkollat e Kosovës nga përfaqësues të Gjykatës Speciale dhe bashkëpunëtorët e saj.

Gruda theksoi se incizimet e publikuara në media dëshmojnë se gjatë këtyre prezantimeve para nxënësve të mitur është përdorur një gjuhë e papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të arsimit dhe të një shoqërie demokratike.


“Nxënësve, shumica nën moshën 18-vjeçare, u janë paraqitur pretendime të njëanshme, duke u etiketuar ish-krerët e UÇK-së si kryerës të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Kjo është skandaloze dhe e papranueshme”, theksoi Gruda.

Ai paralajmëroi se lufta çlirimtare e Kosovës nuk po sulmohet më vetëm në sallat e Gjykatës Speciale në Hagë, por se e njëjta narrativë po tentohet të futet edhe në bankat shkollore.

“Lufta jonë po sulmohet edhe nga bankat dhe klasat e shkollave tona. Por e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohet në emër të ‘drejtësisë’ selektive, as të deformohet kujtesa kolektive në emër të ‘edukimit’,” tha ai.

Deputeti i PDK-së theksoi se shqetësimi i partisë është shumëdimensional. Ai përmendi rrezikun e indoktrinimit të nxënësve, përpjekjet për rishkrimin e historisë së Kosovës, si dhe shkeljen e parimit të prezumimit të pafajësisë.

“Toni i përdorur në këto prezantime i trajton Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin si fajtorë, duke paragjykuar vendimin përfundimtar. Gjykatat e vërteta merren me drejtësi, jo me propagandë”, deklaroi Gruda.

Ai shtoi se kjo Gjykatë ka devijuar nga misioni i saj fillestar.

“Ajo është dashur të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës dhe në heqjen e njollave ndaj UÇK-së, por është shndërruar në një mekanizëm që tenton të rishkruajë historinë”, u shpreh ai.

PDK kërkoi sqarim urgjent se kush është përgjegjës për këto ligjërata dhe si ka ndodhur që prezantime të paraqitura si ligjërata për të drejtat e fëmijëve të shndërrohen në mesazhe politike.

“Kërkojmë llogari nga Ministria e Arsimit për mënyrën se si lejohet që kushdo t’u ligjërojë nxënësve në shkollat e Kosovës, pa mbikëqyrje institucionale dhe pa standard profesional”, theksoi Gruda.

Në këtë kontekst, ai tha se marshi i paralajmëruar për 17 shkurt, me moton “Drejtësi, jo politikë”, është një reagim i natyrshëm në momentin kur procesi në Hagë ka hyrë në fazën finale.

Në përmbyllje, Gruda theksoi qëndrimin e palëkundur të PDK-së.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë pjesë e historisë sonë të lavdishme çlirimtare. Ata nuk janë fajtorë për asnjë krim. PDK qëndron fuqishëm në mbrojtje të tyre, në mbrojtje të UÇK-së dhe në mbrojtje të së vërtetës për Kosovën”, përfundoi Gruda. /Telegrafi/