Duke qëndruar pranë karriges së tij të zbrazët, e veja e Charlie Kirk - Erika Kirk - dha deklaratën e parë pas vrasjes së influencuesit konservator.

"Nëse mendonit se misioni i burrit tim ishte i fuqishëm më parë, nuk keni ide, nuk keni ide se çfarë keni lëshuar në të gjithë këtë vend dhe këtë botë", tha Erika Kirk duke iu drejtuar "keqbërësve" përgjegjës për vrasjen e burrit të saj.


"Nuk keni idenë se çfarë zjarri keni ndezur brenda kësaj gruaje, britmat e kësaj gruaje do të jehojnë në të gjithë botën si një britmë beteje."

Në fjalën e saj, Erika Kirk falënderoi ndihmësit e parë që "luftuan heroikisht për të shpëtuar jetën e Charliet", si dhe autoritetet policore.

"Së pari dua të falënderoj forcat e rendit lokale, shtetërore dhe federale që punuan pa u lodhur për të kapur vrasësin e burrit tim në mënyrë që ai të mund të sillet para drejtësisë", tha ajo.

Erika Kirk falënderoi gjithashtu presidentin e SHBA-së Donald Trump, zëvendëspresidentin JD Vance dhe mbështetësit që kishin "treguar dashurinë e tyre" për burrin e saj.

"Dua të falënderoj miliona njerëz që kanë treguar dashurinë e tyre për Charlien këtu në Phoenix, në të gjithë Amerikën dhe në mbarë botën. Dua të falënderoj mikun e dashur të burrit tim, zëvendëspresidentin Vance dhe gruan e tij fenomenale, Usha, për dashurinë dhe mbështetjen e tyre. Ju e nderuat kaq shumë burrin tim", tha Erika.

"Dua të falënderoj presidentin Trump dhe familjen e tij të jashtëzakonshme për të njëjtën gjë. President, burri im ju donte dhe ai e dinte që edhe ju e donit. Miqësia juaj ishte e mahnitshme. Ju e mbështetët kaq mirë, ashtu siç bëri edhe ai për ju.”

Ndryshe, Charlie Kirk, një nga aleatët më të vendosur të Trump dhe aktivist i shquar konservator, ishte i njohur për fjalimet në kampuset e kolegjeve në të gjithë SHBA-në.

Ai u qëllua për vdekje në Universitetin Utah Valley. Charlie po merrte pjesë në një segment të turneut të titulluar "Prove Me Wrong", ku ftoi studentët për të debatuar mbi tema kyçe politike dhe kulturore.

I dyshuari i arrestuar për të shtënat me armë ndaj influencuesit konservator Charlie Kirk në Utah është 22-vjeçari Tyler Robinson nga Utah. /Telegrafi/