Një ngjarje e pazakontë ka tronditur qytetin e Houston në Teksas, kur një grua e armatosur me pistoletë krijoi një përballje të tensionuar me forcat e rendit në autostradën e ngarkuar I-45.

Incidenti nisi kur gruaja ndaloi veturën në mes të rrugës, nxori një karrige nga bagazhi dhe u ul në korsinë kryesore të trafikut.


Siç raportohet, gruaja “e kishte kthyer automjetin drejtpërdrejt në rrugën e një kamioni të madh”, çka shkaktoi një përplasje, shkruajnë mediat e huaja.

Pamjet nga vendngjarja treguan mijëra vetura të bllokuara në trafik, ndërsa policia dhe njësi të shumta të rendit, përfshirë edhe një oficer të trajnuar për ndërhyrje në raste të shëndetit mendor, u përpoqën të negocionin me gruan.

Ajo refuzoi të dorëzohej dhe të largohej nga rruga, duke mbajtur gjithnjë armën në dorë.

Mësohet se gruaja shprehu mendime vetëvrasëse dhe pretendoi se fëmijët e saj po mbaheshin peng.

Më pas, në vendin e ngjarjes mbërriti edhe një familjar i saj, në përpjekje për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës.

Pas orësh tensioni dhe negociatash, autoritetet njoftuan se përballja përfundoi pa dhunë. /Telegrafi/