LAJMI I FUNDIT:

Grimi i frikshëm – sekreti i filmave horror

Grimi i frikshëm – sekreti i filmave horror

Ose i urreni ose i adhuroni. Filmat horror nuk duket që kanë një mes të gjerë. Për ata që i adhurojnë, adrenalina që sjellin, i bën një nga zhanret më të pëlqyer të filmave. Skenat e frikshme dhe misteri që bartin në vete, rrisin edhe më shumë interesimin për ta.

Të veçantë  janë edhe adhuruesit e këtyre filmave. Ata ose nuk kanë frikë ose kënaqen duke e parë veten jashtë zonës së tyre të rehatisë.


Për ta arritur efektin e duhur, këta filma kanë nevojë për efekte speciale, që në shumicën e rasteve realizohen përmes maskimeve të ndryshme, por që në fund duken shumë reale. E këtu, vend të rëndësishëm zen grimi.

Profesionalizmi në këtë fushë është dallimi në mes të dështimeve qesharake dhe pamjeve tejet reale dhe të frikshme. Grimi i duhur i bën gjërat të duken si të vërteta, qoftë edhe kur një personazh tenton t’ia këputë kokën një personazhi tjetër.

Është pikërisht kjo pjesë që e ka tërhequr edhe personazhin e sotëm, make-up artisten apo grimeren, Alma Ramizin nga Gjilani.

“Prej e vogël, nanit nuk ja kam lënë kurrë produktet e grimit rehat. Gjithë duke ja marrë shminkat, tu u ly. E ka ditë edhe mami që në të ardhmen kam me u bë grimere. Grimi me efekte speicale ka filluar në 2016-tën. I kom pas shumë pasion filmat horror. Nonstop kom shikua, shumë. Aq kurioze kam qenë, nonstop kur u kry filmi kom hi me pa qysh i kanë arrirë, detajet e çdo gjë deri sa ja kom nisë edhe vet. Grimet e thjeshta I kom fillua se më kanë ngrehë shumë, nonstop kam shikua video. Ndërsa për efekte speciale kam shikuar filma. Bile mami nuk është që më ka përkrah aq shumë. Donte me mi ndalu edhe filmat se thoshte aty po inspirohesh. E hisha i kqyrsha qysh i bojn në detaje deri sa ja nisa edhe vet mi bo”.

Për të krijuar këto lloj efektesh, përpos që nevojitet kohë, nevojiten edhe produkte të veçanta. Edhe pse Alma thotë se në vendin tonë nuk ka shumë mundësi për t’u furnizuar, kjo se ka ndalë atë.

“Në at kohën, 2016 kur kom dashtë në fillim me hi në këtë faze të grimit, nuk është që ka pas shumë video që më kanë ndihmua me bo këso sende, plus që edhe në Kosovë nuk i ki shumë mundësitë se nuk ka produkte ktu hiç. Jam mundu vet çka kom mund me gjet, çka kom mund me bo prej vetit me krijua sene të reja që me arrit ata që e kom dashtë”.

E gjithë procedura e grimit, sado dinamike, e besa edhe e frikshme, vetëm sa e motivon Almën ta perfeksionojë punën e saj. /Dukagjini/