Kompania amerikane e teknologjisë, Google, ka lansuar një asistent eksperimental të inteligjencës artificiale (AI) për produktivitet, i bazuar në email, i quajtur CC, i cili synon të kursejë kohë për përdoruesit dhe njëkohësisht të nxisë përdorimin më të shpeshtë të shërbimeve të Google.

Asistentin CC e fuqizon modeli i inteligjencës artificiale Gemini, dhe ai mund të lidhet me llogarinë Google, pra me Google Drive, kalendarin dhe email-in.


Përdoruesit e këtij shërbimi do të marrin çdo ditë një email të titulluar “Dita juaj përpara” (Your Day Ahead), në të cilin do të përmbledhin detyrat, orari në kalendar dhe informacionet më të rëndësishme ditore nga shërbimet e lidhura, raporton Tech Crunch.

Në çdo moment, përdoruesit mund të përgjigjen në email ose të dërgojnë një mesazh asistentit CC për të shtuar detyra të reja, për të përshtatur preferencat personale ose për të kërkuar informacion.

Asistenti CC aktualisht është i disponueshëm vetëm për përdoruesit AI Pro dhe AI Ultra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada, mbi moshën 18 vjeç.

Google shpjegon se asistent i ri për momentin është i kufizuar vetëm për llogaritë personale, ndërsa llogaritë biznesore (workspace) nuk mbështeten.

Me këtë hap, kompania Google i bashkohet një numri gjithnjë në rritje kompanish që eksperimentojnë me asistentë AI të bazuar në email dhe përmbledhje ditore. /Telegrafi/