Gonzalo Garcia flet për krahasimin me Raul Gonzalezin: Ai më ka mësuar shumë mua

Gonzalo Garcia po shkëlqen nën drejtimin e Xabi Alonsos në Kupën e Botës për Klube, duke u kthyer në një prej emrave më të përfolur të Real Madridit në këtë verë.
Sulmuesi i ri ka realizuar tre gola dhe një asistim në katër ndeshje, duke përfituar nga mungesa e Kylian Mbappe për të treguar potencialin e tij të jashtëzakonshëm.
Paraformancat e tij kanë tërhequr menjëherë krahasime me legjendën e klubit, Raul, me të cilin Garcia ka punuar për dy vite në ekipet e moshave të Realit.
"Është një kompliment i madh. Pata fatin të kem Raulin trajner për dy sezone dhe ai më ka mësuar shumë. Të krahasohesh me të është më shumë se një nder", tha Garcia pas ndeshjes së fundit kundër Juventusit.
Nën drejtimin e Xabi Alonsos, Garcia ka treguar maturi të jashtëzakonshme për moshën e tij, duke qenë vendimtar jo vetëm me gola, por edhe në ndërtimin e aksioneve sulmuese.
Ndërkohë, Mbappe është pranë rikthimit dhe pritet të marrë disa minuta në çerekfinale, pas një mungese për shkak të një dëmtimi të lehtë muskulor.
Trajneri Alonso tashmë përballet me një dilemë luksi: të besojë sërish te forma e zjarrtë e Gonzalo Garcias, apo t’i japë hapësirë superyllit francez në ndeshjet më vendimtare të turneut. /Telegrafi/



















































