Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Fondacioni humanitar "Frutex & Golden Eagle" në Suharekë ka filluar projektin e ri të quajtur “Golden Eco” që ka të bëjë me klasifikimin dhe grumbullimin e mbeturinave.

Përfaqësuesi i këtij fondacioni, Lendrit Palushi, dha më shume detaje për projektin në fjalë, duke thënë se shuma e këtij projekti është rreth 100 mijë euro dhe se do të punësohen 10 punëtorë.


“Gjithë ideja e këtij projekti është që të bëjmë grumbullimin dhe klasifikimin e mbeturinave në shishe qelçi, shishe plastike, kanaqe dhe letër. Grumbullimin kemi filluar ta bëjmë sot në qytetin e Suharekës ku janë vendosur në 13 lokacione janë të vendosura mbi 50 kontejnerë”, tha ai.

Palushi tha se synohet që ky projekt të mos ndalet vetëm në Suharekë por të vazhdohet edhe në komunat e tjera të Kosovës.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj tha se në vitin e ardhshëm ky projekt do të shperndahet edhe në fshatra e në shkolla.

Ai tha se dëshira e tij është komuna e Suharekës të dallohet nga komuna e tjera sa i përket ruajtjes së ambientit.