Golden Eagle Ylli barazon serinë ndaj Pejës – gjysmëfinalisti vendoset në ndeshjen e tretë

Golden Eagle Ylli e ka barazuar në 1:1 rezultatin në serinë çerekfinale të play-off-it ndaj Pejës, duke fituar me rezultat 75:66.
Ndeshja e tretë dhe vendimtare e çerekfinales së play-off-it të Superligës së Kosovës në basketboll do të zhvillohet të enjten dhe pritet të vendoset se në cilin qytet.
Kjo për shkak se ndeshja e tretë nuk do të luhet në Suharekë si pasojë e incidenteve që ndodhën në ndeshjen e parë.
Jalen Nesbitt shkëlqeu tek Ylli me 14 pikë e 11 kërcime. Jan Palokaj i kishte 20 pikë e katër asistime. Derrick Wilson dha kontribut të madh me 13 pikë, gjashtë asistime e pesë topa të rrëmbyer.
Te Peja u dallua Amin Hot me 22 pikë e gjashtë kërcime. Darryl Morsell i kishte 16 pikë, katër kërcime e tri asistime. Tulio Da Silva i shënoi vetëm pesë pikë, por i bëri 12 kërcime.
Kujtojmë se fituesi i kësaj çerekfinaleje në gjysmëfinale përballet me Bashkimin./Telegrafi/




















































