LAJMI I FUNDIT:

Torturat, burgosjet dhe dëbimi nga shtëpitë- Dëshmitarët tregojnë përjetimet e civilëve më 1999 në Ozdrim

Torturat, burgosjet dhe dëbimi nga shtëpitë- Dëshmitarët tregojnë përjetimet e civilëve më 1999 në Ozdrim

 Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Millorad Gjokoviqit, dëshmitarër Arben Gashi dhe Florent Zeqaj dëshmuan për arrestimet, torturën që iu nënshtruan civilët dhe dëbimet nga shtëpitë në fshatin Ozdrim, më 7 maj 1999.

Në këtë rast, Millorad Gjokoviq akuzohet se si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, në vitet 1998-1999 ka kryer krime lufte në fshatin Ozdrim dhe në fshatrat përreth rajonit të Pejës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Gashit, më 7 maj 1999, forcat serbe rrethuan fshatin, ndanë me forcë burrat nga gratë dhe fëmijët, e më pas filluan t’i dërgojnë ata në lokacione të ndryshme.


Dëshmitari Gashi tha se ai dhe 20 deri në 30 persona të tjerë, përfshirë gra dhe fëmijë, në ditën kritike ishin vendosur në shtëpinë e një banori të fshatit, kur papritmas erdhën trupat serbe, thyen dyer dhe i nxorën ata në rrugë.

“Neve burrat, na çuan në një dyqan aty pranë dhe aty u mbajtëm deri pasdite. Më pas, fillimisht u nisëm për në Mitrovicë, për t’u kthyer më pas dhe për t’u transferuar në oborrin e ambulancës, ku u mbyllëm në një garazh të vogël pa mundësi për t’u larguar”, tha Gashi.

Më pastaj, Gashi tregon se civilët e grumbulluar u dërguan në Pejë, fillimisht në një shtëpi dhe më pas në burgun e Pejës, ku, sipas tij, ata përjetuan tortura të ndryshme.

“Në kushte pa ushqim, goditje të vazhdueshme dhe tortura”, tha dëshmitari duke shtuar se e mbante mend se si një person Sh.D., kishte humbur ndjenjat nga torturat.

Gjatë qershorit 1999, Gashi tha se të burgosurit u transportuan me autobus në Serbi, dhe gjatë transportimit deri në Leskovc, ata u torturuan. Pas një periudhe në burg, largimi i tyre u mundësua nga Kryqi i Kuq. Dëshmitari tha se vazhdoi të vuajë pasojat e torturës pas kthimit në Kosovë.

Arben Gashi konfirmoi se e ka parë të akuzuarin Gjokoviq në oborrin e ambulancës lokale, në uniformë me armë të gjatë (kallashnikov), duke lëvizur pranë një grupi civilësh me kolegun e tij.

Në anën tjetër, dëshmitari Florent Zeqaj, tha se 7 maji i vitit 1999 është një datë që nuk mund ta harrojë ende.

“Atë ditë, në fshatin tim të lindjes, ndodhi një krim ndaj popullatës civile. Një vajzë 18 vjeçare u vra në shtëpinë e saj, u vranë dhe u torturuan edhe banorë të tjerë. Të gjitha veprimet u kryen nga shteti i Serbisë, përmes regjimit të tij, ushtrisë dhe policisë”, tha Zeqaj.

Ai theksoi se ishte dëshmitar i shfarosjes, dhunës, djegies së shtëpive dhe plaçkitjes së shtëpisë së tyre. Tha se ishte i pranishëm kur forcat serbe po godisnin babanë e tij.

Sipas dëshmisë së tij, familja Zeqaj ishte e para që la fshatin Ozdrim. Pa asgjë me vete, ata u nisën në një drejtim të panjohur.

“Unë vetëm dua të zbuloj të vërtetën dhe të di ku ndodhen mbetjet e viktimave… Nëse Millorad Gjokoviq nuk është pjesëmarrës direkt, kontributi i tij është indirekt”, përfundoi Zeqaj.

Avokati i të akuzuarit Gjokoviq, Vasilije Arsiq, gjatë pyetjeve për këtë dëshmitar, tha se nuk e konteston ekzistencën e ngjarjeve, por shtoi se ky dëshmitar në një deklaratë të mëparshme të dhënë në Policisë, nuk e ka përmendur  Gjokoviqin si pjesëmarrës direkt në veprime.

Por, dëshmitari Zeqaj shtoi se kishte dëgjuar nga njerëz të tjerë, përfshirë nga babai i tij dhe dëshmitarët aktualë në proces, që Millorad Gjokoviq ishte i pranishëm në oborrin e ambulancës në një prej ngjarjeve kritike, por ai vetë nuk e kishte parë.

Po ashtu, tha se kishte dëgjuar për “Micin”, nga shumë banorë të fshatit që flisnin për veprimet e tij dhe e lidhin atë me krimet.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan  për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.

Me këtë, Gjokoviq  ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

Në trend Lajme

Më shumë
Ushtria amerikane kryen lëshim ajror të trupave në veri - patrullim rutinor në kufirin me Serbinë

Ushtria amerikane kryen lëshim ajror të trupave në veri - patrullim rutinor në kufirin me Serbinë

Siguri
Haradinaj flet për Limajn pasi kishte shprehur gatishmëri të bëjë koalicion me Vetëvendosjen

Haradinaj flet për Limajn pasi kishte shprehur gatishmëri të bëjë koalicion me Vetëvendosjen

Lajme
Rama: Rinumërimi i votave të pavlefshme nga votimi me postë, dëshmoi manipulimet e LDK-së

Rama: Rinumërimi i votave të pavlefshme nga votimi me postë, dëshmoi manipulimet e LDK-së

Lajme
Tërheqja e mundshme e trupave amerikane të NATO-s nga Kosova, flet koloneli britanik i pensionuar

Tërheqja e mundshme e trupave amerikane të NATO-s nga Kosova, flet koloneli britanik i pensionuar

Lajme
Zhgënjim me rezultatin, Haradinaj: Na kushtoi e vërteta e rëndë që e thamë për Kurtin

Zhgënjim me rezultatin, Haradinaj: Na kushtoi e vërteta e rëndë që e thamë për Kurtin

Politikë
Serbia ankohet pse anëtarë të NATO-s po e armatosin Ushtrinë e Kosovës

Serbia ankohet pse anëtarë të NATO-s po e armatosin Ushtrinë e Kosovës

Lajme
Kalo në kategori