Gjykata Supreme ndërpret paraburgimin ndaj N.B., i pandehur për keqpërdorim të pozitës

Gjykata Supreme ka vendosur të ndërpresë masën e paraburgimit ndaj të pandehurit N.B., i akuzuar për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, duke aprovuar kërkesën e mbrojtjes së ligjshmërisë. Të pandehurit i është mundësuar që të vazhdojë mbrojtjen në liri.
Ky vendim ndryshon aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prizren dhe të Gjykatës së Apelit, lidhur me caktimin e paraburgimit njëmujor ndaj N.B., i cili ishte vendosur fillimisht për shkak të veprës penale të falsifikimit të rezultatit të votimit.
Pas shqyrtimit të materialit të lëndës dhe të pretendimeve të paraqitura, Gjykata Supreme ka vlerësuar se instancat më të ulëta nuk kanë dhënë arsyetim të qëndrueshëm dhe bindës për bazën ligjore të caktimit të paraburgimit.
Gjykata ka konstatuar se arsyetimet lidhur me rrezikun e ndikimit në dëshmitarë ose përsëritjes së veprës penale janë supozime dhe nuk mbështeten në prova konkrete.
Nuk ka rrezik real që i pandehuri të ndikojë në dëshmitarë apo të kryejë sërish veprën penale, duke marrë parasysh se procesi zgjedhor ka përfunduar dhe rezultatet janë certifikuar.
Gjykata Supreme gjithashtu ka theksuar se paraburgimi është masë e fundit (ultima ratio) dhe duhet të zbatohet vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur plotësohen qartë kushtet e përcaktuara me ligj. /Telegrafi/

















































