Gjuriq me propagandë në OKB, ankohet për mbylljen e strukturave paralele në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, ka paraqitur ankesën e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së lidhur me mbylljen e strukturave paralele serbe në Kosovë dhe situatën e të drejtave të komunitetit serb.
Gjatë shqyrtimit të raportit periodik për Kosovën, Gjuriq deklaroi se qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka shkatërruar 128 institucione që ai i konsideron jetike në komunat me shumicë serbe, duke përfshirë mbrojtjen sociale, postën, pensionet dhe punësimin. Sipas tij, këto veprime po dëmtojnë trashëgiminë e paqes që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, arriti gjatë mandatit të tij të parë për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.
“Të drejtat themelore të serbëve jo vetëm që po injorohen, por po gërryhen sistematikisht. Kjo është një betejë për siguri dhe mbijetesë,” tha Gjuriq.
Ministri serb gjithashtu u fokusua te zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke theksuar se Lista Serbe ka fituar në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe dhe se fryma serbe në Kosovë vazhdon të jetë e pathyeshme. Ai pretendoi se kjo qëndrueshmëri është një formë mosbindjeje ndaj presionit dhe frikësimit.
Gjuriq ngriti shqetësime edhe për praninë e dronëve luftarakë kamikazë të tipit Skydagger në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, duke e konsideruar këtë një kërcënim për ambientin e sigurisë. Ai akuzoi përshpejtimin e militarizimit të territorit nga FSK dhe blerjen e pajisjeve të armatosura si rreziqe për stabilitetin lokal.
Në përfundim, Gjuriq përsëriti kërkesën e Serbisë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, një strukturë që sipas tij do të mbrojë të drejtat e serbëve në vend.


















































