Sot rreth orës 12:00, në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë, zyrtarët e Njësisë për Realizimin e Urdhëresave kanë tentuar të ndalojnë një person të kërkuar, L.K. (i lindur në vitin 1996), i cili gjendej në një veturë në momentin e ndërhyrjes.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.


Sipas tij, i dyshuari ka refuzuar të zbatojë urdhrat e zyrtarëve policorë dhe ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e zyrtarëve.

Pllana tha se në përpjekje për ta ndaluar, njëri nga policët ka përdorur armën zyrtare.

"Sot, rreth orës 12:00, në rrugën 'Fahri Fazliu', zyrtarët e Njësisë për Realizimin e Urdhëresave kanë tentuar të ndalojnë personin e kërkuar L.K. (1996) derisa ishte në një veturë në rrugën e sipërshënuar. I dyshuari ka refuzuar urdhrat policorë dhe ka arritë të largohet duke rrezikuar zyrtarët, njëri nga të cilët në përpjekje për ta ndaluar të dyshuarin ka përdorë edhe armën zyrtare. Personi i dyshuar ka arritë të largohet duke shkaktuar një aksident trafiku me të lënduar dhe dëme materiale", ka thënë Pllana.

Ai tha se gjatë arratisjes, L.K. ka shkaktuar një aksident trafiku, nga i cili ka pasur persona të lënduar dhe dëme materiale.

"Për rastin janë njoftuar të gjitha institucionet kompetente dhe hetimet janë në zhvillim e sipër", tha ndër të tjera Pllana. /Telegrafi/