GJKKO e la në burg, reagon Meta: Asnjë çudi, do e shpartallojmë këtë farsë në Gjykatën e Strasburgut

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila rrëzoi kërkesën e tij për zëvendësimin e masës së sigurisë dhe lirimin nga paraburgimi.
Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit të kaluar.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Meta e cilësoi vendimin si të pritshëm, duke akuzuar SPAK-un për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe për formulim akuzash nga "tribunat e Rilindjes".
Sipas tij, drejtësia shqiptare funksionon me regji dhe nuk respekton as standardet minimale ligjore.
“Asnjë çudi nga drejtësia me regji, ku SPAK përgjon gjykatat dhe ku afërmendsh akuzat formulohen nga tribunat e ‘Rilindjes’,” shkroi Meta.
Ai paralajmëroi se do të vijojë betejën përmes institucioneve ndërkombëtare dhe në opinionin publik.
“Ne do ta çmontojmë këtë farsë hap pas hapi dhe do ta shpartallojmë në Gjykatën e Strasburgut por edhe në debatin publik.”
Meta theksoi gjithashtu se argumentet e tij kundër akuzave do të prezantohen publikisht nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në një deklaratë për mediat të parashikuar për sot në orën 17:30.
Ndërsa nesër në orën 11:00, Meta ka ftuar gazetarët që, përmes telefonit të z. Blushi, t’i drejtojnë pyetje në një konferencë për shtyp virtuale.
Kërkesa për lirimin e tij ishte depozituar në gjykatë javën e kaluar nga avokati i Metës, duke argumentuar se SPAK nuk kishte kryer raportimet periodike 2-mujore për mbi 8 muaj, dhe se Meta është figurë politike dhe numri dy i opozitës në vend.
Ndërkohë, burime pranë SPAK kanë bërë me dije se gjatë hetimeve është identifikuar edhe një kartë bankare, që dyshohet se është vënë në dispozicion nga një biznesmen dhe e përdorur nga ish-çifti Meta-Kryemadhi, element që sipas tyre rëndon pozitën e ish-Presidentit.













































