Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi këtë të mërkurë kalimin për gjykim të dosjes në ngarkim të deputetit demokrat Asllan Dogjani, i akuzuar për mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë.

Sipas SPAK, Dogjani ka fshehur mënyrën e pagesës për blerjen e një apartamenti rreth 100 m².

Vetë deputeti ka pretenduar se ka përfituar pronën në bazë të një marrëveshjeje në këmbim të shërbimit të konsulencës juridike.


Por nga hetimet e SPAK ka dyshime se Dogjani e ka blerë apartamentin për 126 mijë euro, duke paguar shumicën e shumës me para cash.

“Kontrata në ILDKPI është hartuar në mënyrë fiktive, me qëllim për të fshehur burimin e krijimit të pasurisë,” thuhet në njoftimin e SPAK.

Gjithashtu, SPAK zbuloi se kontrata kishte dy data të ndryshme, 6 shtator 2006 dhe 6 dhjetor 2006, duke krijuar dyshime për ligjshmërinë e procesit të përfitimit të apartamentit.

“Nga provat shkresore dhe dëshmitë e paraqitura rezulton se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër regjistrimi dhe kolonë si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të pasurisë. Kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive për të deklaruar në mënyrë të rreme burimin e krijimit të pasurisë së paluajtshme”, thekson SPAK./euronewsalbania/