Gjini: 27 prilli i vitit 1999 dëshmoi që liria që po vinte ishte e sigurtë por gjithsesi e dhimbshme

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, gjatë ditës së sotme përmes një postimi në Facebook, ka përkujtuar Masakrën e Mejes, që vlerësohet të jetë Masakra më e madhe e luftës së fundit në Kosovë, ku në këtë masakër forcat serbe vranë 376 burra shqiptarë.
Gjini në postimin e tij në Facebook shkroi se për vendin tonë çdo ditë është një ditë përkujtimi, duke shtuar tutje që ajo që ndodhi atë ditë në Meje të Gjakovës ishte një mesazh që liria që po vinte ishte e sigurtë por gjithsesi e dhimbshme dhe e vështirë.
“Në vendin tonë secila ditë është një ditë përkujtimi për njerëzit tanë që me gjakun e sakrificën e tyre ndërtuan lirinë tonë. Por 27 Prilli është një ditë akoma më e veçantë për vet faktin se ajo që ndodhi atë ditë në Meje të Gjakovës ishte një mesazh që liria që po vinte ishte e sigurtë por gjithsesi e dhimbshme dhe e vështirë.”.
Tutje në postimin e tij Gjini tha se në ditë si këto rikujtojmë edhe faktin se sa shumë u desh të japim nga vetja për lirinë që e gëzojmë sot.
“Sot 26 vjet më vonë, kur kujtojmë të gjithë të rënët e Mejës nuk kemi se si mos ta rikujtojmë se sa e shtrenjtë është liria dhe sa shumë u deshëm të japim nga vetja për këtë liri.”.
Përveç 376 viktimave të Masakrës së Mejes, zyrtarë të Komunës së Gjakovës, sot përkujtuan edhe të rënët në fshatin Skivjan, të cilët me sakrificën e gjakun e tyre poashtu janë pjesë e rëndësishme e themelit të shtetit tonë. /Telegrafi/












































