Gjinekologu i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës Afrim Veliu raportohet se është sulmuar mbrëmë në Ulpianë.

Rasti ka ndodhur rreth orës 21:30, ku Veliu është goditur në kokë me një mjet metalik nga një person i panjohur.


Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës.

"Mbrëmë rreth orës 21:30, është raportuar për një sulm fizik, të ndodhur në rrugën “Henry Dunant” në lagjen Ulpiana të Prishtinës.Sipas informacioneve të para dyshimet janë ngritur se, teksa po futej në veturë viktima është goditur në kokë me një mjet metalik nga një person i panjohur. Viktima ka pësuar lëndime të lehta dhe ka marrë trajtim mjekësor. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa motivi i sulmit mbetet i panjohur", ka deklaruar Borovci.

Ai shtoi tutje se Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative dhe hetimore për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit.

Me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Lidhur me rastin, Telegrafi ka dërguar pyetje edhe në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, por deri në publikimin e lajmit nuk ka pranuar ndonjë përgjigje./Telegrafi/