"Gjermania thërret": Gjykimi për tradhti i fashistit "Lord Haw-Haw"

Me theksin e tij të rremë anglez, drejtuesi misterioz i radios transmetonte për në Mbretërinë e Bashkuar nga një stacion gjerman, duke përhapur thashetheme dhe ekzagjerime në ditët e para të Luftës së Dytë Botërore.
Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Tre ditë përpara dorëzimit pa kushte të Gjermanisë - në Ditën e Fitores në Evropë [VE Day], në maj të vitit 1945 - korrespondenti i luftës nga BBC-ja, Wynford Vaughan-Thomas, foli nga një studio radioje në Hamburg, në të njëjtin mikrofon dhe gjatësi valore në të cilat disa javë më parë ishte transmetuar propaganda naziste. “Sonte nuk do të dëgjoni mendimet mbi lajmet nga William Joycei. Sepse z. Joyce, Lordi Haw-Haw për shumicën prej nesh në Britani, ka qenë shumë i pafat për ta ndërprerë karrierën e tij të transmetimit ... Kjo është BBC-ja që thërret të gjithë dëgjuesit e përvuajtur në Britani, të cilët për gjashtë vjet janë detyruar të durojnë tonet helmuese të z. Joyce”. Duke kërkuar në tavolinën e Joyceit, Vaughan-Thomas gjeti orarin e tij për 10 prill 1945: “Në fund të tij ndodhet pika e lavdishme: ora 14:50 deri 15:10, ‘një pauzë për të mbledhur mendjen’”.
- Lexo po ashtu: Një mësim nga historia, për luftën e suksesshme kundër propagandës
Joyce kishte ikur nga qyteti i shkatërruar nga lufta, disa javë më parë, me dokumente false - i dëshpëruar dhe me shpresën për t’i shpëtuar kapjes nga forcat aleate të cilat po përparonin. Në incizimin e tij të fundit, ai tingëllon i dehur dhe i mundur: “Gjithmonë kam shpresuar dhe besuar se, në fund të fundit, do të kishte një aleancë ... midis Anglisë dhe Gjermanisë. Epo, për momentin kjo duket e pamundur. Mirë. Nëse nuk mund të ketë, atëherë vetëm mund të them se e gjithë puna ime ka qenë e kotë”. Incizimi, i marrë nga një regjistrues i arrestuar nazist, mund të mos jetë transmetuar kurrë. Si nazist i përkushtuar deri në fund, ai e mbylli me fjalët: “Es lebe Deutschland [rroftë Gjermania], Heil Hitler dhe lamtumirë”.

Ishte një fund i turpshëm për një njeri që ishte bërë emër i njohur në çdo shtëpi në Mbretërinë e Bashkuar, pasi shpërtheu lufta në shtator 1939. Qytetarët britanikë prisnin që Hitleri të niste menjëherë një sulm shkatërrimtar, por kur kjo nuk ndodhi, qetësia e tensionuar u pagëzua si Lufta e Rreme. Në ato ditë të para, rreziku kryesor në frontin e brendshëm nuk ishin sulmet ajrore, por lëndimet e kyçeve. Për të penguar bombarduesit gjermanë, qeveria vendosi një errësirë të detyruar. Deri në Krishtlindje të vitit 1939, një sondazh i Gallup-it zbuloi se një e pesta e popullsisë së vendit kishte rënë nga shkallët, ishte përplasur në errësirë apo kishte pësuar dëmtime të tjera, kryesisht të lehta. Vdekjet në rrugë pothuajse u dyfishuan, derisa racionimi i karburantit uli qarkullimin. Vendet e argëtimit u mbyllën dhe tubimet u ndaluan, ndaj në mbrëmje njerëzit kishin pak zgjedhje përveçse të qëndronin në shtëpi dhe të dëgjonin radion.
Shumëkush nuk ishte i kënaqur me programin e mërzitshëm të BBC-së, me buletine të shkurtra ku kishte pak gjëra për të raportuar, njoftime të mërzitshme publike dhe gjëra shtesë si recitalet me organo të Sandy MacPhersonit. Më tutje, në valët e radios, dëgjuesit e shqetësuar gjenin diçka më të gjallë: një burrë misterioz që transmetonte përmes valëve të mesme në Reichs-Rundfunk-Gesellschaft (RRG) - e nacionalizuar nga nazistët. Me theks të ekzagjeruar, nazal dhe të klasës së lartë angleze, ai prezantohej me shprehjen e njohur: “Gjermania thërret, Gjermania thërret”.
Lord Haw Haw, transmetimi i fundit më 1945
Kritiku i radios në The Daily Express, Jonah Barrington, e quajti atë “Lord Haw-Haw”, dhe kjo nofkë mbeti. Qëllimi i Barringtonit ishte ta përqeshte propagandistin nga Gjermania, por rezultoi se shumë dëgjuesve u pëlqente efekti tronditës i aktit të ri të shëmtuar të Haw-Hawit. Stili i tij ishte të argëtonte, ndërkohë që minonte moralin e audiencës britanike duke përhapur dyshime përmes thashethemeve gjysmë të besueshme, ekzagjerimeve dhe talljes. Në një transmetim, ai fliste për “panikun dhe konfuzionun ... që po përhapeshin çdo orë” në Britani. “Çudia e vetme është se populli i këtij ishulli të dënuar vonoi kaq shumë për të kuptuar se në çfarë pozicionesh i kishin futur politikanët e tyre”, tha ai.
Në një tjetër, Haw-Hawi tallte frikën e njerëzve për rrezikun e bombave gjermane. Ai tha: “Ministria Britanike e Dezinformimit ka zhvilluar një fushatë sistematike për të frikësuar gratë dhe vajzat britanike për rrezikun e plagosjes nga copëzat e bombave gjermane. Gratë kanë reaguar ndaj këtyre sugjerimeve dhe alarmeve duke kërkuar nga kapelapunuesit e tyre që kapelat e pranverës dhe verës t’i bëjnë nga llamarina shumë e hollë”. Nuk duket shumë gazmore sot, por ndoshta duhej të ishe aty për ta kuptuar.

Në kulmin e transmetimeve të tij, gjashtë milionë britanikë e ndiqnin çdo natë pas lajmeve të orës 21:00. Profesori Tom Harrisson, ish-këshilltar i Ministrisë Britanike të Informacionit, i tha BBC-së në vitin 1975 se, ndërsa shumë njerëz nuk i kuptonin ulërimat në gjermanisht të figurave naziste si Goering dhe Hitler, Haw-Hawi ishte “në disa mënyra ... disi qetësues, sepse nuk tingëllonte dhe aq keq. Ndoshta armiku nuk do të ishte aq i tmerrshëm”.
William Joyce, i njohur si Lord Haw-Haw, ishte zhvendosur në Gjermani një muaj para shpërthimit të luftës, bashkë me gruan e tij të dytë, Margaret, gjithashtu fashiste. Duke pasur frikë nga internimi në Angli, ai rinovoi pasaportën britanike duke pretenduar rrejshëm se ishte shtetas britanik nga lindja. Ky doli të jetë një gabim fatal.
Transmetimi i Lordit Haw-Haw ku tallet me kapelat e grave
Në fakt, Joyce kishte lindur në Bruklin në vitin 1906, ishte zhvendosur në Irlandë në moshën trevjeçare dhe ishte rritur në qarkun Goluei. Si adoleshent gjatë Luftës së Pavarësisë së Irlandës, ai veproi si korrier për inteligjencën ushtarake britanike. Kjo sjellje bëri të mos ketë shumë miq në Irlandë, dhe pas përfundimit të luftës, familja u shpërngul për një jetë të re në Angli.
Si i ri, ai u tërhoq nga ideologjitë ekstreme të djathta që po përhapeshin në Evropë, dhe në vitin 1932 iu bashkua Bashkimit Britanik të Fashistëve të udhëhequr nga Sir Oswald Mosley. Ai e fitoi reputacionin si orator i zjarrtë dhe u emërua drejtor i propagandës së partisë. Por, vala u kthye kundër partisë, duke kulmuar në Betejën e Kejbël-Stritit në vitin 1936, kur këmishëzinjtë e Mosleyt u sulmuan dhe u zmbrapsën nga hebrenjtë dhe punëtorët irlandezë në lindje të Londrës. Joyce, i dëbuar, krijoi Lidhjen e tij Nacionalsocialiste, por duke mos gjetur atdhe mikpritës për antisemitizmin e tij të egër, shpejt ndjeu se po e thërriste Gjermania.
Arrestimi i Lordit Haw-Haw
Nën luftën e fjalëve të Joseph Goebbelsit, programet në anglisht u transmetuan drejt Britanisë. Të përbërë nga fashistët britanikë dhe gjermanë që flisnin anglisht, RRG-ja transmetonte propagandë që promovonte mënyrën naziste të jetës dhe nxirrte në pah problemet shoqërore britanike. Mendohet se zëri i parë i Lord Haw-Hawit ishte në fakt ai i një gjermani, Wolf Mittler, por disa javë pas shpërthimit të luftës, fashisti llafazan Joyce e gjeti punën e ëndrrave të tij.
Transmetimet e Joyceit fituan njëfarë respekti edhe mes atyre që përçmonin mesazhin e tij. Kritiku dhe autori Harold Hobson i shkroi The Times-it më 29 dhjetor 1939, duke lavdëruar transmetimin e Haw-Hawit në prag të Krishtlindjes për ngritjen e “ngazëllimit festiv”, me talljen e tij se racionimi i kishte kufizuar britanikët në “çerek kile gjalpë në javë”. Hobsoni shtoi se BBC-ja mund ta kishte hedhur lehtësisht poshtë këtë pretendim duke përmendur se Haw-Hawi nuk kishte përfshirë atë që merrnin gjermanët - gjë që, me shumë gjasë, ishte edhe më pak.
Por, shpejt, shakaja e Lord Haw-Hawit nuk ishte më aq qesharake. Pushtimi i Danimarkës dhe Norvegjisë më 9 prill 1940 u pa si pika e kthesës, kur e ashtuquajtura Lufta e Rreme e Britanisë përfundoi dhe nisi lufta e vërtetë. Ndërkohë, perceptimi publik për BBC-në ndryshoi ndjeshëm, ndërsa kjo e fundit u rikrijua si një burim jetik informacioni për njerëzit në frontin e brendshëm dhe në forcat e armatosura. Haw-Hawi u bë gjithnjë e më i parëndësishëm dhe, në kohën e transmetimit të tij të fundit të dehur në prill 1945, loja kishte përfunduar si për të ashtu edhe për regjimin nazist.
Dokumentar për tradhtinë e Lordit Haw-Haw
Ndërsa forcat aleate përparonin në Gjermani, Joyce dhe gruaja e tij planifikuan të iknin drejt Suedisë për të kaluar më pas në Irlandën neutrale. Ata arritën vetëm deri në portin baltik të Flensburgut, pranë kufirit të Gjermanisë me Danimarkën. Me identitete false, u vendosën në një fshat aty pranë dhe ndonjëherë bisedonin me ushtarët britanikë të cilët nuk kishin asnjë ide se kush ishin ata. Por, një ditë, fati i Joyceit mori fund kur hasi dy oficerë britanikë ndërsa po mblidhte dru.
Njëri prej tyre, Geoffrey Perry, i tregoi BBC-së se si nisën të flisnin me këtë “figurë shumë të çuditshme, që dukej si endacak”. Kolegu i tij vërejti se ai “tingëllonte tmerrësisht si William Joyce”. Pas një bisede të këndshme për drurët halorë dhe gjetherënës, Perry tha se ishte i sigurt për dy gjëra: ishte Joyce dhe kishte armë. Kur i panjohuri ngriti një trung me të dyja duart, Perry e shfrytëzoi momentin e tij. Para se burri të kishte mundësi të reagonte, ai e pyeti: “Nuk je ti vallë, rastësisht, William Joyce”? Perry i tha BBC-së se çfarë ndodhi më pas: “Dhe, dora e tij u shkoi drejt xhepit. Mendova se po kërkonte armën. Nxora pistoletën time, e drejtova poshtë dhe qëllova”. Plumbi i oficerit e qëlloi Joycein në të pasmet. Një ironi e bukur është se Perry ishte hebre dhe kishte lindur në Gjermani: vetëm pasi ishte zhvendosur në Britani në vitet 1930, ai kishte ndryshuar emrin nga Horst Pinschewer.
Joycei u soll në Angli i plagosur dhe u akuzua për tradhti të lartë. Por, si mund të akuzohej një irlandezo-amerikan për tradhti ndaj Britanisë? Fati i Joyceit u vulos nga aplikimi i nxituar për pasaportën të cilën e kishte bërë në prag të luftës.

Juristi më i lartë britanik i kohës, Sir Hartley Shawcross, i tha BBC-së në vitin 1975 se Joyce “e kishte veshur veten me flamurin britanik” dhe kishte qenë nën mbrojtjen e Kurorës Britanike, gjë që nënkuptonte se ishte akt tradhtie ndihma që ai ia kishte dhënë armikut të Britanisë gjatë luftës. Juristët e tjerë nuk u pajtuan, si Sir John Foster QC, i cili e përshkroi akuzën për tradhti të lartë si “gjueti gjaku”. Ai tha në të njëjtin dokumentar: “Ai u shpall fajtor mbi bazën e një pasaporte që kishte marrë në mënyrë të rreme, gjë që sipas mendimit tim nuk nënkuptonte ndonjë mbrojtje nga ana e Kurorës dhe për rrjedhojë as ndonjë besnikëri nga William Joyceit”.
Megjithatë, Joyce u dënua për tradhti të lartë për shkak se “kishte mbajtur anën e armiqve të Mbretit” duke transmetuar në emër të tyre ndërmjet 18 shtatorit 1939 dhe 2 korrikut 1940 - data kur skadoi pasaporta e tij britanike dhe ai u bë shtetas gjerman. Rasti kaloi në disa shkallë apelimi, por vendimi mbeti i njëjtë. Ai nuk u pendua deri në fund. Në mëngjesin e 3 janarit 1946, u ekzekutua me varje në burgun “Wandsworth” në Londër. U varros në një varr pa shenjë në territorin e burgut.
Tridhjetë vjet më vonë, pas një fushate të gjatë nga vajza e tij Heather, eshtrat e Joyceit u zhvarrosën dhe u rivarrosën në qarkun Goluei. Njeriu që lindi si amerikan, jetoi si gjerman dhe vdiq si tradhtar britanik, u varros më në fund si irlandez. /Telegrafi/





































