Në kohën kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po fliste në foltoren e Kuvendit të enjten për situatën në veri dhe marrëveshjen me Bashkimin Evropian për de-eskalimin e situatës, një përleshje fizike ndodhi mes deputetëve të PDK-së dhe ministrave të qeverisë Kurti.

Krejt kjo erdhi pas kritikave, akuzave për përfshirjen e shefes së LVV-së në audio-incizime me Sllavko Simiq nga Lista Serbe.


Më poshtë keni të gjithë ecurinë e asaj që ndodhi në Kuvend dhe reagimet që kanë ardhur pas ngjarjes.

13/07/2023 19:36-PDK e LDK lëshojnë sallën

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë lëshuar sallën, pas disa orësh tensionesh me pushtetin.

Ata kanë lëshuar sallën sapo ka përfunduar seanca e jashtëzakonshme dhe ka nisur koha e pyetjeve parlamentare.

13/07/2023 19:33-Glauk Konjufca pranon kërkesën e PDK-së, largon nga seanca Besnik Bislimi që sulmoi deputetët me shishe

Kuvendi i Kosovës iu rikthye normalitetit pasi kryeparlamentari Glauk Konjufca dëgjoi kërkesën e Grupit Parlametar të PDK-së për largimin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi nga seanca, pasi ai në pjesën e parë të seancës sulmoi me shishe deputetin e PDK-së Mërgim Lushtaku.

Deputetja e PDK-së Eliza Hoxha tha se largimi i Bislimit nga seanca si dhunues e mundësoi qetësimin e gjendjes ndërsa kërkoi nga kryeministri Albin Kurti që të rikthehet në temë dhe të sqaroj komunikimet e vartëses së tij Mimoza Kusari-Lila me Millan Radojiqiqin.

Kuvendi aktualisht po vazhdon diskutimet sipas agjendës së paraparë parlamentare.

13/07/2023 19:10-Përkundër tensioneve, Kuvendi vazhdon seancën

Kuvendi i Kosovës, ka vazhduar punimet përkundër tensioneve dhe tentimit të bllokimit nga partitë opozitare, PDK dhe AAK.

Kryeparlamentari i ka hedhur në votim disa amandamente për të cilat kanë votuar vetëm partitë e pozitës.

13/07/2023 17:45-PDK fut në Kuvend fotografi të mëdha të Kurtit dhe Kusarit me hundën e Pinokios

Kusari Kurti pinokio

Deputetët e PDK-së kanë bllokuar foltoren e Kuvendit, ndërsa janë shpalosur edhe dy fotografi të mëdha të Kryeministrit Albin Kurti dhe Shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari, me hundën e zgjatur.

PDK-ja, paraditen e sotme e vendosi një fotografi të ngjashme të Kurtit para foltores së Kuvendit, por atë e shqeu zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Kjo çoi në një përleshje fizike mes pjesëtarëve të Qeverisë Kurti dhe deputetëve të PDK-së.

Deputetët e PDK-së e kanë bllokuar foltoren, pasi po refuzojnë propozimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, që seanca e sotme të vazhdojë me diskutime të tjera, duke u tejkaluar diskutimi që përfundoi me përleshje fizike, e që kishte të bënte me audio-incizimet e Mimoza Kusarit dhe Slavko Simiqit.

13/07/2023 17:10-Vazhdon dhuna në Kuvend, Konjufca gjuhet me shishe

Shishja

Në Kuvendin e Kosovës sërish kanë ndodhur përplasje midis deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, dhe të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Opozita po tenton që të parandalojnë mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme që u thirr nga 41 deputetë.

Ata fillimisht bllokuan foltoren, teksa Kuvendi miratoi në lexim të dytë Projektligjin për çmimet e produkteve medicinale. Pas votimit, pati shtyrje mes deputetëve të mbledhur pranë foltores.

Tek foltorja e kuvendit, të cilën e kanë bllokuar deputetët e PDK-së është krijuar tollovi, ku kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka thirrur sigurimin.

Ndërsa, ka pasur edhe sulme ndaj kryetarit të kuvendit, Glauk Konjufca, i cili u gjuajt me shishe uji.

13/07/2023 16:37-Konjufca, opozitës: Në zgjedhje shkojmë kur të doni

glauk konjufca

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, pas kërkesës që të tejkalohet situata e krijuar sot, ku pati përleshje fizike mes deputetëve të pozitës e opozitës, foli edhe për zgjedhje.

Konjufca, ndër të tjera opozitës i tha se “në zgjedhje shkojmë kur do të doni”.

“Në zgjedhje shkojmë kur të doni. Bile, bile mendoj që nëse kuvendi do ta realizonte këtë agjendën veç sot që e kemi, qeverisë shumë do t’ia rrisnit përnjëmend për me shku në zgjedhje”, tha Konjufca.

Tutje, ai tha se përmbushja e agjendës së sotme prej 31 pikave do t’i kontribuonte shkuarjes në zgjedhje.

13/07/2023 15:45-Bekë Berisha, pozitës: Ajo që ndodhi sot është metodë që ju e keni praktikuar për vite me radhë

beke berisha

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka thënë se ajo që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës nuk është e hijshme.

“Por, kjo është një lloj metode që e keni praktiku ju për vite me radhë. Kjo situatë ka qenë e pashmangshme sepse janë përballur dy ide të vjetra që kanë mbizotëruar në popullin tonë për vite me radhë”, tha Berisha.

Ai shtoi se do të ketë konflikt gjithmonë këtu derisa “ideja e mashtrimit ka me qëndrua në mesin tonë siç ka qëndruar deri më tani”.

“Nuk mundet me kalu kjo situatë e të flasim për ligje. Deputeti Lushtaku e gjuajti kryeministrin me ujë dhe u hodhën disa trima aty demek që ata nuk lejojnë as këtë lloj demonstrimi që këtu ka pas edhe demonstrime edhe më ekstreme, më të dëmshme e më të rrezikshme. Duhet me u diskutu me koka të ftohta, dhe duhet me gjetë mirëkuptim si parlament me punu”, tha ai.

13/07/2023 15:37-Gashi: Ministrat vazhdimisht kanë ofenduar deputetët – nuk ka kushte për seancë normale

Seanca e Kuvendit Arben Gashi foto Ridvan Slivova 83

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi pas rifillimit të seancës së Kuvendit

Ai ka thënë se pamjet e sotme ishin shumë të rënda, derisa fajësoj ministrat për tensionim të situatës.

“Situata ishte shumë e rëndë, por realisht na kësi situata kemi parë edhe më herët po jo në atë shkallë. Situata degradoj kur ministrat e sulmuan deputetin se aktet e performancës me ujë na e kemi pa kryeministrin aktual duke i gjuajtur të gjithë deputetët me ujë e me gaz e me sprej kryeministrin në fytyrë, askush nuk e ka sulmua me shishe fytyrës”, tha Gashi.

Gashi theksoi se ministrat vazhdimisht janë sjellë dhunshëm ndaj deputetëve i kanë sha i kanë ofenduar nga vendi.

“Kam kërkuar disa herë që me marrë masa ndaj ministrave me i përjashtu prej seancave, nuk ka ndodh. Nuk është mirë që ajo situatë me u përsërit sërish, është mirë me i japë kohë kësaj pune me thirr seancën nesër ose pasnesër, vetë koha i ulë gjakrat. Nuk ka kushte për seancë normale mos të vazhdojmë me tensionim pa nevojë”, tha Gashi i LDK-së.

13/07/2023 15:37-“Kemi pasur probleme, por jo në kuptimin fizik”, Konjufca thirrje deputetëve të vetëpërmbahen

361081178 959399575119053 5791713926222035431 n

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka folur për dhunën fizike që u pa sot në Kuvend.

Pas pauzës dy orëshe pas situatës së krijuar, Konjufca ka thënë se këto ishin pamje të papranueshme, derisa kërkoj nga deputetët që të vetëpërmbahen.

“Ne e dimë që jemi shtet i ri edhe Kuvendi dhe institucionet kanë përjetuar peripeci të llojllojshme, por së paku deri më sot kemi pasur imunitet të mirë që është vlerësuar edhe nga bota demokratike e ky imunitet që ju kemi rrezitu akteve të tilla është përleshja fizike. Kemi pasur probleme të natyrave tjera por jo në kuptimin fizik drejt fytyrës, kokës, trupave me ja mësy njëri-tjetrit siç e pamë sot”, tha Konjufca.

Kryeparlamentari shtoi se “këtë nuk ja dëshirojmë askujt e kjo është një sjellje që do të gjykohet nga qytetarët dhe nuk do të doja të përsëritej në Kuvend”.

Konjufca u bëri thirrje deputetëve për një “minimum të një sjellje që do ti gëzonte qytetarët e republikës tonë”. Lajmi i plotë KËTU. 

13/07/2023 15:36-Hoxha-Kurtit: A të përfaqëson Kusari-Lila në diskutimet me Radoiçiqin dhe Simiqin

358747845 244993844992695 7514102471667890935 n 1

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, në vazhdimin e seancës së Kuvendit të së enjtes ka pyetur kryeministrin Albin Kurti se “a të përfaqëson Kusari-Lila në bisedat me Radoiçiqin dhe Simiqin”.

Sipas saj, publikimi i audio-incizimeve të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila gjatë një bisede me Sllavko Simiqin nga Lista Serbe, është çështje shumë e rëndësishme, por të cilën “partia në pushtet po mundohet që ta normalizojë duke prodhuar skandal”.

“E kam vetëm një pyetje për kryeministrin: A të përfaqëson Mimoza Kusari-Lila në bisedimet me Radoiçiqin dhe Simiqin? Dhe e kam një pyetje për deputetët e pozitës: A ju përfaqëson Mimoza Kusari-Lila me atë se çfarë flet me Radoiçiqin dhe Simiqin?”, ka thënë Hoxha para deputetëve.

Kujtojmë se, këto ditë janë publikuar disa audio-incizime të një bisede mes shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila si dhe Sllavko Simiqit nga Lista Serbe.

Këto audio-incizime të publikuara nga gazeta “Nacionale”, ku përfshihen Kusari-Lila dhe Simiqi në një bisedë mes vete, kanë nxitur debat në opinion. Opozita po akuzon pushtetin se ka koordinuar veprimet e tyre me Listën Serbe në projektligjet e ndryshme në Kuvend.

Ndërkaq, nga partia në pushtet kanë thënë se audio-incizimet janë redaktuar, prerë e gjymtuar dhe se “qeveria jone ka zero varësi nga Lista Serbe”. /Telegrafi/

13/07/2023 15:06-Ambasadori amerikan reagon për situatën në Kuvend: Dhuna nuk është mjet për të shprehur mospajtimet

marreveshjeve te mirekuptimit nga USAID i ndermjet Universitetit te Iowas dhe Universitetit te Pejes Prizrenit dhe te Prishtines Jeffrey Hovenier foto Ridvan Slivova 24 e1689074904696

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier, ka reaguar pas rrahjes që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës.

Hovenier ka shkruar se është për të ardhur keq të shohësh atë që ka ndodhur sot.

Ai ka shtuar se përdorimi i dhunës nuk është mjet për të shprehur mospajtimet.

“Është për të ardhur keq të shoh se çfarë ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës. Do të doja të mos kisha nevojë ta thosha këtë: përdorimi i dhunës nuk është kurrë një mjet i pranueshëm për të shprehur mospajtimet.

Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta. Por dallimet duhet të zgjidhen përmes diskursit – një qëllim themelor i çdo legjislativi të demokracisë”, ka shkruar Hovenier.

13/07/2023 14:54-Deputetët mblidhen në Kuvend për vazhdimin e seancës

kuvend 1

Pas përleshjes fizike që ndodhi këtë të enjte, deputetët janë mbledhur sërish për vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit.

Seanca pritet të vazhdojë pas një pauze mbi tri orëshe.

13/07/2023 14:41-Dhuna në Kuvend, Osmani: Dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve,

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar sot pas përleshjes fizike në Kuvendin e Kosovës, ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe atyre të pozitës.

Osmani në një postim në Facebook shkruan se përdorimi i dhunës fizike si mjet për t'i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë.

“Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t'i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë.

Këtu mund ta lexoni të plotë deklaratë e presidentes.

13/07/2023 14:40-Lushtaku paralajmëron padi ndaj akterëve të pushtetit që u përfshinë në përleshjen e sotme

361076684 631659548906994 9001844015366085832 n e1689251362820

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, është deklaruar për media pas përleshjes fizike që ka ndodhur në seancën e Kuvendit të enjten.

Ai ka paralajmëruar se do t’i padisë akterët e pushtetit që janë përfshirë në ketë përleshje, ndërsa ka thënë se sulmi ishte i koordinuar nga qeveria.

Deklarimin e plotë të Lushtakut mund ta lexoni këtu.

13/07/2023 14:28-Dhuna në Kuvend, ministrja Haxhiu: Dëshpërimisht hedhin grushte, pasi që të njëjtët po përballen e do të përballen me ligjin

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas përleshjes fizike që ndodhi në Kuvendin e Kosovës, ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe atyre nga radhët e pozitës.

Haxhiu e cila ishte në mesin e dy grupeve, në tentativë për t’i ndarë thekson se sulmet e organizuara ndaj Qeverisë së Kosovës sot u manifestuan edhe me grushta në drejtim të ministrave të kësaj Qeverie.

“Nuk do mend për të kuptuar se të tillët dëshpërimisht hedhin grushte, pasi që të njëjtët po përballen e do të përballen me ligjin, për të gjitha krimet dhe korrupsionin e po ashtu pasurimin e tyre të jashtëligjshëm.

Qeveria Kurti nuk ka asnjë ministër a zëvendësministër të kontrolluar nga Beogradi. Ata që nxitën dhe ndihmuan për kaq vite krimin e organizuar në veri, si Lista Srbska nuk janë në koalicion siç ndodhte me qeveritë e dikurshme. Madje krerët e tyre po hetohen nga institucionet e drejtësisë, e bashkëpunëtorë të tjerë të këtyre strukturave po arrestohen në veri të Mitrovicës”, tha ajo.

Deklaratën e plotë të ministres mund ta lexoni KËTU.

13/07/2023 14:07-Reagon LDK: Instaluesit e dhunës në Kuvendin e Kosovës nuk kanë të drejtë moralizuese sot

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar sot pas sulmeve fizike në Kuvendin e Kosovës ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ministrave.

LDK thekson se sSot, ishte një ditë tjetër e rëndë në historinë parlamentare të Republikës.

“Instaluesit e dhunës në Kuvendin e Kosovës nuk kanë të drejtë moralizuese sot. Ata kanë ushqyer polarizimin e skajshëm shoqëror, kanë ushqyer gjuhën e urrejtjes, ndarjes e përplasjes në çdo sjellje e veprim të tyre, e bëjnë dhe sot”, thuhet në njoftim.

13/07/2023 13:48-Muja i LVV-së: Krimi i organizuar në tri fronte, është i qartë frustrimi i tyre

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka reaguar sot pas përleshjes fizike në Kuvendin e Kosovës, ndërsa tha se krimi i organizuar është në tri fronte.

Muja në një postim në Facebook shkruan se është i qartë frustrimi e shpërthimi i tyre.

Lexoni të plotë postimin e tij duke klikuar këtu.

13/07/2023 13:45-Lushtaku: Reagimi im ishte kundër Radoiçiqit dhe argatëve të tij

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka thënë se reagimi i tij të enjten në Kuvend ka qenë kundër Milan Radojçiqit dhe “argatëve të tij”.

13/07/2023 13:39-Kadrijaj: Kjo qeveri nuk i pranon kritikat

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka mbajtur një konferencë për media pas përleshjes fizike që ndodhi sot mes deputetëve të PDK-së dhe ministrave.

Kadrijaj theksoi se debati në Kuvend u fokusua në video-incizimet, gjersa tha se kjo qeveri nuk i pranon kritikat.

"U fokusuam në video incizimet...kjo qeveri nuk i pranon kritikat...ajo që është më e rëndësishme këta po punojnë në shkatërrimin e shtetit”, tha deputetja e AAK-së.

Ndërkaq, Visar Korenica, deputet nga radhët e LVV tha se deputetët duhet të përleshen me gjuhën parlamentare, me gjuhën e argumentit dhe jo të forcës.

Ai tha se janë organet e shtetit që duhet të merren me rastin.

13/07/2023 13:35-Hisen Berisha: Jemi provokuar nga Besnik Bislimi

unnamed 1 2

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha tha se janë provokuar rëndë nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Ai tha se eskalimi i situatës në seancën plenare të së enjtes mes deputetëve dhe ministrave nuk i bën mirë Kuvendit.

Berisha tha se kryesia e partisë do të mblidhet shpejt për të marrë vendim se si të veprohet tutje. Sipas tij, me këtë frymë nuk do të vazhdohet Kuvendi.

"Ky eskalim nuk i bën mirë as Kuvendit, as demokracisë, as qytetarëve të Kosovës që presin diçka tjetër. Është dashur këta moralisht të dorëhiqen. Të paktën për çështje morale të dorëhiqen edhe t'i hapin rrugë një procesi zgjedhor qe do të sillte një qeveri gjithëpërfshirëse", tha ai.

13/07/2023 13:25-Momenti kur Hajdar Beqa ia merr syzet ministrit Murati dhe e godet me to

Debati parlamentar është përshkallëzuar në përleshje fizik mes ministrave dhe deputetëve të pushtetit me ata të Partisë Demokratike të Kosovës në seancën e Kuvendit të enjten.

Në një moment shihet deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa duke ia marrë syzet ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe duke e goditur me to. Videon e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu.

capture 20230713 134225

13/07/2023 13:17-​Kuvendi shkon në pauzë pas rrahjes, reagon Konjufca

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka shkuar në pauzë prej dy orësh, pas rrahjes që u zhvillua në sallën plenare ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ministrave.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se ajo çka ndodhi në Kuvend është e papranueshme, ndërsa për organet e drejtësisë ka edhe një kërkesë, të cilën mund ta lexoni këtu.

13/07/2023 13:16-Vendosja e fotografisë së “Kurtit si Pinoko” nga Musliu dhe shqyerja e saj nga Bislimi – fillesa e grushteve në Kuvend

360060354 608044421313572 6847367051504911459 n

Eskalimi i situatës në Kuvendin e Kosovës, nisi në momentin kur kryeministri Albin Kurti ishte duke mbajtur fjalim.

Gjatë kohës që Kurti po fliste për marrëveshjen me BE-në për de-përshkallëzim të situatës, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ngritët nga ulësja e saj dhe i vendos tek foltorja ku po fliste kryeministrin fotografin e “Kurtit si Pinoko”.

E si ndodhi e gjithë ngjarja, mund ta lexoni ecurinë duke klikuar këtu.

13/07/2023 13:11-KDI: Të papranueshme përplasjet politike të shndërruara në përplasje fizike

Instituti Demokratik i Kosovës thekson se seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës u shoqërua nga skena të papranueshme të dhunës.

KDI thekson se një Kuvend, puna parlamentare e të cilit është mbushur me fyerje e ofendime, pa debate përmbajtjesore, kulmoi sot në skena të shëmtuara të konfrontimeve fizike.

“Imazhet sikurse këto janë rezultat i një klime joparlamentare, të cilës të gjithë akterët politik parlamentar, pa dallim, duhet të mos i kontribuojnë.

U bëjmë thirrje të gjithë partive politike dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të distancohen nga kjo klimë dhune që prodhoi skena të papranueshme brenda Kuvendit. Dhuna, asnjëherë, përballë çfarëdo situate nuk mund të jetë mjet politik dhe në asnjë kontekst nuk mund të përligjet sikurse kjo e sotshmja”, thuhet në reagim.

Po ashtu, KDI kërkon nga organet e rendit që të ndërmarrin të gjitha masat e parapara me ligj ndaj akterëve të përfshirë në dhunë. /Telegrafi/

13/07/2023 12:43-Rrahja në Kuvend, Konjufca merr vendim për dy orë pauzë

konjufca

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka vendosur për pauzë dy orëshe pas përleshjes fizike që ndodhi sot brenda sallës ku po zhvillohej seanca e Kuvendit.

Konjufca tha se përdorimi i dhunës në Kuvend është i dënueshëm dhe i papranueshëm, ndërsa shtoi se “nëse ka pasur sulm fizik do të trajtohet nga ligji”.

“Prandaj, konsideroj se për shkak të kësaj rrëmuje që krijua qëllimshëm, gjithë ajo që është përgjegjësi, nëse ka pasur sulm fizik, do të trajtohet nga ligji. Ajo është pjesë që s’na takon neve. Do të shqyrtohet me profesionalizëm. Sa i përket mundësisë për të vazhduar seanca, s’po shoh kushte”, deklaroi Konjufca.

13/07/2023 12:36-Përleshja në Kuvend, reagon Rama

Edi Rama pas takimit te perbashket i Qeverisve se Kosoves dhe Shqiperise foto Ridvan Slivova 12 e1688147279236

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas përplasjeve fizike në Kuvendin e Kosovës duke e quajtur atë si sjellje të turpshme.

Në një postim në Twitter, Rama ka thënë se “ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten”.

Reagimin e plotë të kryeministrit shqiptar e gjeni këtu.

13/07/2023 12:32-PDK: Besnik Bislimi provokoi situatën në Kuvend

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas përleshjes që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës.

Në reagimin e PDK-së thuhet se fajtor për situatën e krijuar ishte zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

“Sikur të mos u mjaftonte fyerja që i bënë shtetit të Kosovës, veteranëve të UÇK-së, akterëve politik shqiptarë, popullit të Kosovës, para shërbëtorëve të Radoiçiqit, sot, në Kuvendin e Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në vend që të ndihej i turpëruar dhe të jepte llogari për përgjimet, provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore.

Madje, ishte pikërisht zëvendëskryeministri Bislimi i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku”, shkruan PDK, ndërsa reagimin e plotë e gjeni këtu.

10 2

13/07/2023 12:31-Gjendja momentale në Kuvend pas rrahjes ku u përfshinë ministra e deputetë

360165077 327810236238210 6127153779060021162 n 1

Përleshja fizike që ka ndodhur në seancën e Kuvendit të enjten, ka përfunduar brenda pak minutave.

Në këtë përleshje u përfshinë deputetët e opozitës dhe ministrat qeveritar.

E gjendja momentale në Kuvend pas këtij rasti është e qetë, por jashtë sallës së këtij institucioni është shtuar prezenca e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

13/07/2023 12:14-Pas grushteve në Kuvend reagon LVV-ja

Ka eskaluar situata në Kuvendin e Kosovës, ku ka pasur edhe përleshje fizike mes deputetëve të PDK-së dhe ministrave të Qeverisë Kurti.

E gjithë situata nisi në momentin kur kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim dhe pastaj deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku tentoi ta lag me ujë.

Pas kësaj situata ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje duke publikuar një video të kryeministrit Kurti pas situatës.

Kurti shihet duke buzëqeshur në këtë video. “I patrembur para krimit të 20 vjetëve!”, ka përshkruar LVV videon të cilën mund ta shikoni këtu.

13/07/2023 12:12-Shtohet prezenca e Policisë jashtë sallës së Kuvendit

Jashtë sallës të Kuvendit të Kosovës është shtuar prezenca e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Po ashtu, edhe te shkallët që çojnë në sallën e kuvendit, është pozicionuar sigurimi i kuvendit, të cilët nuk po lejojnë lëvizjen pa përcjellje.

Disa minuta më parë, gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike.

13/07/2023 11:10-Përleshje fizike në Kuvend mes deputetëve të PDK-së dhe ministrave

361072882 286049097257980 6444256678081030118 n

Ka eskaluar situata në Kuvendin e Kosovës në momentin kur kryeministri Albin Kurti ishte duke mbajtur fjalim.

Partitë opozitare gjatë tërë kohës e kundërshtonin kryeministrin Kurti duke e quajtur “rrenc”.

Në një moment deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku e ka gjuajtur me ujë Kurtin dhe në ato momente kanë ndërhyrë ministrat e kabinetit qeveritar, dhe pastaj ka eskaluar situata.

Situata ka esklauar deri në përleshje fizike mes ministrave dhe deputetëve opozitarë. Në ato momente është dëgjuar ministrja Albulena Haxhiu e cila i thotë deputetit Lushtaku “a je normal”

Pastaj ka filluar përleshja fizike, dhe dëgjohen fjalët e një deputeti “nalu breh nalu”. Në atë moment ka hyrë policia me kërkesë të kryetarit të Kuvendit ,Glauk Konjufca.

kuvendi 4

kuvend