Babai i ish-mbrojtësit të Juventusit, Dean Huijsen, ka hedhur akuza të forta ndaj mënyrës se si klubi bardhezi trajtoi djalin e tij, duke e detyruar të largohej nga Torino.

Në një intervistë për Tuttosport, Donald Caspar Huijsen e përshkroi momentin si “një tronditje të vërtetë” dhe “një ditë të errët” për familjen.


“Dean po bënte mrekulli në Torino, fliste italisht në mënyrë perfekte dhe ishte i dashur nga të gjithë. Por Giuntoli ishte kategorik dhe Motta brutal, kur i thanë se nuk mund të stërvitej më me ekipin e parë”, deklaroi ai.

Dean Huijsen te Juventus

Nga Bournemouth te Real Madrid

Largimi i Huijsen shkaktoi keqardhje të madhe te tifozët e Juventusit. Qendërmbrojtësi spanjoll verën e kaluar u transferua te Bournemouth, ku shkëlqeu në Ligën Premier dhe siguroi një kalim të madh te Real Madrid këtë verë.

Donald Huijsen komentoi edhe mbi thashethemet se drejtori sportiv Cristiano Giuntoli u largua nga Juventus pikërisht për shkak të shitjes së djalit të tij: “Unë nuk besoj shumë te rastësitë. Ai dhe Motta nuk janë ndër miqtë e mi më të mirë…”, u shpreh ai me ironi.

Huijsen te Real Madridi

Megjithatë, babai i lojtarit zbuloi se Dean ende ruan një lidhje emocionale me ish-klubin dhe lojtarët legjendarë që kanë luajtur aty.

“Ende lexon Tuttosport në telefonin e tij dhe i pëlqente të shkonte në restorantet e Marchisio e Bonucci në Torino.”

Miqësia me Yildiz dhe shpërthimi te “Los Blancos”

20-vjeçari ka ruajtur gjithashtu marrëdhënie të ngushta me disa ish-bardhezinj, sidomos me yllin e ri Kenan Yildiz.

“Dean dhe Kenan Yildiz janë ende miq shumë të mirë, u lidhën menjëherë që në ekipin e të rinjve të Juventusit”, deklaroi i ati.


Huijsen dhe Yildiz

Huijsen ka filluar në të gjitha ndeshjet e Real Madrid këtë sezon, përveç njërës, duke treguar pjekuri dhe siguri në qendër të mbrojtjes së gjigantëve spanjollë – dhe duke lënë pas një histori të hidhur me Juven. /Telegrafi/

telegrafi sport app