Legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard, ka komentuar për herë të parë vendimin e Trent Alexander-Arnold për t’u larguar nga “Anfield” dhe për t’u bashkuar me Real Madridin.

Në një intervistë për Rio Ferdinand, ish-kapiteni i “The Reds” u shpreh se nuk do ta kishte marrë kurrë një hap të tillë, duke e cilësuar si një rrezik të madh për karrierën e mbrojtësit anglez.


“Nuk do ta kisha bërë këtë. Mendoj se ai mori një rrezik të madh. Ai është një futbollist i mrekullueshëm, shumë i talentuar, një nga pasuesit më të mirë që kam parë ndonjëherë. Ai është në të njëjtën klasë me Beckham dhe Scholes, pa dyshim”, tha Gerrard.

Megjithatë, ai tregoi mirëkuptim për zgjedhjen e Trentit, duke theksuar se dëshira për t’u sfiduar dhe lidhja e tij me Jude Bellingham mund të kenë ndikuar në këtë vendim.

“Shoku i tij më i mirë luan atje. Ndoshta donte ta sfidonte veten. Ai ka fituar gjithçka me Liverpoolin. Dhe këtë pjesë e kuptoj plotësisht”.

Gerrard shtoi se, ndonëse e kupton nga ana profesionale, si tifoz i Liverpoolit e ka të vështirë ta pranojë largimin e një lojtari që ishte simbol i klubit.

“Nëse e shikon si tifoz i Liverpoolit, çfarë po bën? Ti ishe në një nga ekipet më të mira në Evropë, fitove trofe për të cilët unë ende ëndërroj. Tifozët të adhuronin. Çfarë po bën? Por unë po flas si tifoz", përfundoi Gerrard.

Alexander-Arnold, pas një dekade te Liverpooli, vendosi t’i bashkohet gjigantit spanjoll Real Madrid këtë verë, në një transferim që ka ngjallur shumë reagime në botën e futbollit. /Telegrafi/

telegrafi sport app