Gareth Bale rrëfen lëndimin misterioz që e detyroi të pensionohej nga futbolli para kohe

Legjenda e futbollit uellsian, Gareth Bale, ka rrëfyer në mënyrë sensacionale se ka luajtur pothuajse gjithë karrierën e tij profesionale duke u përballur me një dëmtim sekret të shpinës.
Bale shpjegoi se ky problem afatgjatë ishte shkaku i tërheqjes së tij nga futbolli në moshën 33-vjeçare. Legjenda uellsiane ka hedhur dritë mbi një betejë fizike private që e shoqëroi gjatë gjithë kohës së tij në nivelet më të larta të futbollit evropian.
Edhe pse fitoi pesë tituj të Ligës së Kampionëve me Real Madridin, Bale ka pranuar se një problem i rëndë me shpinën ishte arsyeja kryesore për periudhat e tij të shpeshta jashtë fushës.
Ndërsa shpesh ishte kritikuar për rekordet e tij të fitnesit në Spanjë, Bale ka sqaruar se problemet e tij ishin shumë më komplekse se sa besohej fillimisht.
“Kam çarë diskun në shpinë kur isha 18-vjeçar te Tottenhami. Kam luajtur gjithë karrierën time me këtë problem. Kam pasur shumë dëmtime që vinin nga shpatulla".

"Nuk e kam thënë kurrë këtë kur luaja sepse disa njerëz do të thoshin: ‘Ai po gjen justifikime’. Ishte e menaxhueshme, por me kalimin e kohës më kaploi”.
“Nuk e dija kurrë se kur do më kapte, dhe natyrisht njerëzit thonin: ‘Ai nuk kujdeset për veten’. Por unë bëja gjithçka që shpina dhe këmbët e mia të ishin të fortë si plumbi. Por nëse dështon, nuk mund të bëja asgjë. Merrja injeksione në shpinë për ta qetësuar”, ka deklaruar Bale.
Që nga pensionimi në janar 2023, Bale është fokusuar më shumë te familja dhe biznesi, duke e lënë mënjanë futbollin.
Megjithëse mbetet i interesuar për menaxhimin sportiv, ai ka refuzuar të hyjë në botën e trajnerëve për shkak të angazhimit të madh kohor që kërkon kjo./Telegrafi/





















































