Nga: Maks Velo
Të rinj rreth tavolinave me një shishe birrë përpara, në vitet ’60, bisedat përfundonin se kush ish më e bukura e qytetit. Vajza në qarkullim nuk kish sa tani dhe, ato që dilnin në xhiro, mund t’i klasifikoje lehtë.
Por, ish edhe një kuriozitet tjetër, kush kish qenë më e mira para 20 vitesh, në vitet ’40?
Çdo brez njerëzor ka një kuriozitet të natyrshëm për atë që lë pas. Djemtë më të pashëm thoshin qenë Alfred Ashiku dhe Tika Tezha, që kishin bërë përshtypje të madhe dhe kur kishin shkuar në Itali, madje dhe në Cine-Cita italiankat ishin marrosur. Të dy kaluan burgjet politike.
Tikën e njoha në plazh nga Pjetri, kurse Alfredin ma prezantoi vëllai, Pirroja, në Vlorë. E patën torturuar keq në ’46-n. Kur vdiq në Vlorë, e përcolli tërë qyteti.
Për femrat thoshin se më e bukura kish qenë Ganimeti. Tani ish rreth të 35-ave, por tregonte se kish qenë klas bukurie. Si kuajt e racës që ecin rëndë, edhe ajo e dinte çmimin e kaluar dhe, në çdo hap që hidhte, lëshonte lavdinë e vështrimeve të kaluara të grumbulluara nga djemtë për dhjetëra vjet.
Kinemaja kryesore e qytetit ish “17 Nëntori”. Në këtë kinema kam parë qindra filma, kjo ka qenë një nga qendrat që na dha kënaqësi dhe kulturë kinematografike. Këtu kam parë tërë filmat rusë, polakë, hungarezë, spanjollë, italianë, francezë. Filma amerikanë sillnin vetëm Hollivudin historik. Kur një mbrëmje po jepej “Gruaja më e bukur” me Silvana Pampaninin, dëgjova një zë në errësirë: “Si Ganimeti”. Zëri ish i dobët, i përmalluar, si zëri i ndonjë pasionanti.
Ganimetin e shihja shpesh, madje një pasdite dhe e njoha. Thoshin se ish një kurtizane aristokrate. Vishej gjithmonë me të zeza dhe në gjoks mbante një trëndafil të kuq artificial. Me këtë rast bënte reklama dhe për gjoksin dhe për trëndafilin, se ajo prodhonte lule artificiale që i shiste.
Kish për dashnor një burrë të martuar, hekurpunues, dhe rronte me të ëmën. Kur ecte, peshonte mbi këpucët me taka dhe trupi i dredhur dridhej pak si nga një pasion i pandërprerë, si nga një energji e brendshme që e prodhojnë vetëm ato, gratë më të bukura.
Një ditë dëgjova që e kishin internuar bashkë me të ëmën në një fshat të Fierit. Dhe pastaj mora vesh se kish varur veten në internim bashkë me nënën plakë. Këtu në kamp në Spaç, e pyeta Paulinin dhe ai më tregoi: “Unë isha internuar po aty që më përpara. I sollën dhe, meqenëse të gjitha barakat ishin të zëna, nga të internuarit e ardhur më parë, u dhanë një barakë me llamarina fuçish që shërbente për të ruajtur karburantin e SMT-së, fuçitë e naftës së traktorëve. Dega urdhëroi SMT-në që ta lironte. Përreth dhe dyshemeja e barakës ishin baltë, e gërryer dhe e gatuar nga zinxhirët e traktorëve. Aty i futën. Ganimeti kish një shoqe. Ajo e gjeti e para në mëngjes. Ulëriu. Nuk kishin veçse pak ditë që kishin ardhur. Në fillim ishte varur e ëma, ish e rëndë në peshë dhe duket që Ganimeti ta ketë ndihmuar, madje mund të jetë ajo që e ka hequr mbështetësen, pastaj është varur vetë. Të internuarit u grumbulluan. Asnjëri nuk fliste. Erdhi polici i postës. Lajmëruan Tiranën dhe nga Ministria e Brendshme erdhi Kadri Ismailati. I varrosën aty”.
Paulinin e kisha në lagje, afër shtëpisë, një rrugicë më poshtë. Kish studiuar në Moskë për ekonomist. Tërë faji i tij ish se kish zë të shkëlqyer spikeri. Në fillim, ish-folës i filmave dokumentarë në Kinostudio, pastaj shkoi për studime në Moskë; Njëkohësisht fliste dhe në Radio Moska në orën e shqipes. Më kujtohet kish një zë kumbues dhe dallohej nga gjithë spikerët e tjerë. Kjo ish e keqja, nuk duhet të dallohesh nga të tjerët. Një zë kumbues basi të shkoqur e plot timbër autoritar. Nga kjo e pësoi. Kur u prishën me Rusinë, tërë jetën nuk ia falën që fliste nga Moska. Mirë kur ishin miq me Kampin dhe zëri i Paulinit ish miqësor, por kur u prishën me Kampin, zëri dhe personi u bënë armiq. U nda nga rusja me të cilën ish martuar, nuk mjaftoi. Në fillim e internuan 6 vjet. I bëri ato dhe u kthye, i dërrmuar. U martua prapë. E arrestuan dhe i dhanë prapë 6 vjet. Kur vajta e gjeta aty, në Spaç. Më përpara nuk kishim pasur ndonjë shoqëri. Aty ish shumë i kujdesshëm, nuk bisedonte me njeri, dhe të gjithë e dinin këtë. Ishte koha e ridënimeve në kamp dhe ai donte të lirohej patjetër. Komanda e kish vënë llogaritarin e kampit, dhe ai ish i sjellshëm me të gjithë. Ruhej shumë, se dhe pak i kishin mbetur.
Bëri gjithë dënimin, kish dhe një ditë. I vëllai kish ardhur nga Tirana, i solli rrobat që do të vishte dhe e priste të shkonin bashkë. Atë natë do të flinte në fshat. Ish e diel, do të lirohej të nesërmen. Kish sport, futboll, dhe unë jashtë sallës, nga dritaret, po shihja ndeshjen. Paulini ish në bangon e parë. Vjen tellalli dhe e thërret: “Të kërkon oficeri i rojës”. Ai i qetë del e shkon lart portës së vogël, se kish vazhdimisht punë me oficerët e komandës, sidomos tani që kish dorëzuar llogarinë. Nuk u kthye më. I kishin vënë hekurat në vend. “Në emër të popullit, je i arrestuar”. E ridënuan 10 vjet.
Asnjëherë nuk arrita të kuptoj mekanizmin e ridënimeve. Por, fati i keq ish se Paulini ishte i fundit që u ridënua. Mbas pak kohe vrau veten Mehmet Shehu, kryeministri dhe ridënimet në kampe u ndërprenë. Si çdo gjë, që këtu fillonte pa asnjë kuptim të vërtetë, ashtu mbaronte papritur.
Ndofta Ganimeti kish të drejtë që i dha fund sa vajti në internim. Nuk ma merrte mendja që ajo femër aq e bukur, me aq dobësi njerëzore, të ish aq e fortë, aq e vendosur. Ajo bëri menjëherë atë që nuk kemi guxim ta bëjmë as ne këtu. A ia vlen të rrosh gjatë me vite të tëra në këto burgje? Apo t’i japësh fund si Ganimeti?!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme