FSK zhvillon stërvitje taktike me mortaja në Shqipëri me mbështetjen e SHBA-së

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka nisur një trajnim të avancuar në Republikën e Shqipërisë, në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën për Menaxhimin e Trajnimeve dhe Asistencës së Sigurisë të Ushtrisë së SHBA-së (SATMO) dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë.
Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të FSK-së për të ngritur kapacitetet operacionale dhe mbështetjen luftarake të trupave të saj.
Stërvitja po zhvillohet në zonën ushtarake të Bizës dhe përfshin një seri aktivitetesh taktike me fokus të veçantë në përdorimin e mortajave.
Trajnimi është ndarë në pjesë teorike dhe praktike, me fokus në tre komponentë kryesorë: Trajnimi me mortaja, kursi për udhëheqës të këmbësorisë dhe mortajave, dhe vëzhguesi i përparmë (Forward Observer).
Pjesëmarrësit janë trajnuar në përdorimin e sigurt të mortajave, teknikat e shënjestrimit dhe gjuajtjes, si dhe koordinimin dhe komunikimin midis njësive taktike dhe elementeve të zjarrit.
Gjatë trajnimit është realizuar edhe shkëmbim përvojash dhe praktikash më të mira me trajnerët dhe këshilltarët ndërkombëtarë.
Ky aktivitet synon të forcojë gatishmërinë operacionale të FSK-së, të thellojë bashkëpunimin rajonal dhe të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon, në përputhje me angazhimet ndërkombëtare të Kosovës dhe vizionin strategjik të forcës. /Telegrafi/


















































