FSK bëhet me 18 kadetë të rinj, fotografi nga ceremonia

Sot në një ceremoni të mbajtur në kazermën “Adem Jashari” kanë diplomuar 18 kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në këtë ceremoni kanë marr pjesë liderët shtetërorë dhe familjarë të kadetëve.
Para kadetëve të diplomuar, komandantja supreme, presidentja Vjosa Osmani tha se nuk ka nder më të madh se sa t’i shërbesh atdheut me zemër.
“Nuk ka nder më të madh se sa t’i shërbesh atdheut me zemër, me betim dhe uniformë. Kjo thënie ju atribuohet sot juve të nderuar të diplomuar kadetë të gjeneratës 2025 të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ju sot jeni gjeneratë me fat sepse kurorëzimi i suksesit tuaj po koinçidon me 20 vjetorin e themelimit të Qendrës për Studime Universitare, asetit tonë kombëtar që përgjatë 20 viteve nxori qindra oficerë dhe oficere të cilët na kanë bërë dhe po na bëjnë krenar jo vetëm me sukseset, në rritjen dhe forcimin e ushtrisë tonë, por edhe me sukseset e panumërta në arenën ndërkombëtare. Kjo ceremoni nuk shënon vetëm fundin e një etape por edhe fillimin e një përgjegjësie të shenjtë të re për secilin prej jush”, deklaroi Osmani.
Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se nga sot kadetët fillojnë punën fisnike, por edhe sfiduese.
“Ashtu si shqiponja sy patrembur që qëndisur si emblemë e keni në krahë, ushtarët tanë janë të gatshëm kurdo dhe kudo të garantojnë sigurinë e qytetarëve dhe të mbrojnë Republikën e Kosovës. Teksa qëndroj këtu para jush dua të shpreh krenarinë që ndjej për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për secilën e secilin prej juve këtu. Pa dyshim suksesi juaj sot është rezultat i një pune të madhe ekipore, investimit ministror në trajnimin e shkollimin e ushtarakëve dhe furnizimin me armatime. Edhe më shumë se kaq është investim i juaj shpirtëror dhe intelektual dhe mbështetje e pa rezervë e familjeve tuaja”, tha ai.
Më poshtë mund t’i shikoni fotografitë e fotoreporterit të Telegrafit, Ridvan Slivova. /Telegrafi/





























































