LAJMI I FUNDIT:

Fotografia e harruar e cila e rishkruan historinë e Luftës së Dytë Botërore

Fotografia e harruar e cila e rishkruan historinë e Luftës së Dytë Botërore
Për çlirimin triumfal të Parisit në gusht të vitit 1944, ushtarët e zinj u mbajtën larg syve të të tjerëve, por George Duksoni këtë plan nuk e dinte: Gjenerali Charles de Gaulle, në Paris më 26 gusht 1944, me Georges Duksonin në anën e majtë duke “ia prishur imazhin” (foto: Serge de Sazo/Gamma-Rapho/Getty Images)

Nga: Gary Younge, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Mançesterit / The Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Më 26 gusht 1944, një ditë pas çlirimit të Parisit, gjenerali Sharl de Gol [Charles de Gaulle] eci nëpër avenynë Elize [Champs-Élysées], mes skenave të një rrëmuje të shkaktuar nga emocionet. Lideri i Francës së Lirë u kthye në kryeqytet, për ta rivënë pushtetin pas katër vjetëve të pushtimit nazist.

“Kishte shkrepje të vazhdueshme nga fotoaparatet e shtypit”, shkruan Matthew Cobb në Njëmbëdhjetë ditët e gushtit [Eleven Days in August] – rrëfimi i tij për çlirimin ku përshkruan “kaosin e gëzueshëm që mbretëronte prapa qarkut masiv të policëve dhe zjarrfikësve të vendosur rreth perimetrit të Sheshit të Yjeve [Place de l’Étoile]”. Fotografitë e asaj dite e tregojnë një histori të rëndësishme, edhe pse pak të njohur. Atje, mes të dëfrimit, së bashku me turmat të cilat festonin dhe me zyrtarët e ngrysur, fotoaparatet kapën një burrë të vogël të zi, duke ecur në procesion disa metra larg Gjeneralit. Emri i tij është Georges Dukson.


Marshimi i de Golit në Paris, me Duksonin afër tij

Nëse nuk e kërkoni, mund të mos e vëreni në mesin e horizontit njerëzor prej kapelave dhe kokave me flokë të rralluara të ushtarakëve francezë. Por, sapo e shihni këtë burrë të vetëm të zi, me pantallonat e tij të gjera dhe me këmishën e bardhë dhe me krahun e lidhur, nuk mund ta largoni shikimin prej tij.

“Jeta”, shkroi Susan Sontag në Mbi fotografinë [On Photography], “nuk ka të bëjë me detaje të rëndësishme, të ndriçuara nga blici, të fiksuara përgjithmonë. Fotografitë po”. Rëndësia e pranisë së Duksonit në atë ditë nuk është menjëherë e dukshme. Ndonjëherë duket sikur po prish skenën e de Golit në momentin e lavdisë së kombit. Derisa de Goli vendos kurorën nën Harkun e Triumfit [Arc de Triomphe], aty është Duksoni disa metra prapa tij, teksa një zyrtar francez ia ngulit shikimin. Kur de Goli zhdirgjet poshtë rrugës kryesore të Parisit, aty është korniza më e vogël dhe më e qëndrueshme e Duksonit prapa supeve të tij. Atje sërish shtyhet larg gjeneralit, nga një burrë që duket si zyrtar policor. Duksoni duket se proteston – duke mbrojtur dorën e lënduar dhe duke ngritur krahun e tij të shëndosh – edhe pse vazhdon të ecën. Në një foto, de Goli është ashiqare i vetëdijshëm për kacafytjen, duke e drejtuar shikimin kah rrëmuja.

De Goli dhe Duksoni i padëshiruar, gjatë marshit në Parisin e çliruar

Pra, pse është domethënës ky detaj, nga një moment historik që ndodhi 80 vjet më parë nga ky muaj? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të kthehemi një ditë prapa, më 25 gusht, kur Parisi zyrtarisht u çlirua pas dorëzimit gjerman. Në muajt para ditës së madhe, de Goli ishte shumë i shqetësuar për opinionin përkitazi me çlirimin dhe për rolin e supozuar të Francës në të. Si njeri krenar dhe patriot në rolin e një lutësi, udhëheqësi i mërguar e dinte se amerikanët dhe britanikët do të jenë ata të cilët do të ofrojnë pjesën më të madhe të trupave dhe të fuqisë së zjarrit, për të detyruar largimin e gjermanëve nga Franca. Por, donte që ushtarët francezë të jenë ndër të parët që do të futen në kryeqytet.

Amerikanët u pajtuan. Por, duke qenë jo më pak të shqetësuar për opinion sesa de Goli, ata e kishin një kusht: trupat franceze në fjalë, duhet të ishin të bardhë. ShBA-ja ndihej rehat me derdhjen e gjakut dhe me shpenzimin e thesarit për Francën e lirë dhe, më pas, duke e bërë koreografinë e asaj lirie, kjo në një mënyrë ua jepte meritat e konsiderueshme francezëve dorëzimin e saj. Ajo që ata nuk mund të toleronin ishte pamja e një prej qyteteve më simbolike të Evropës, duke u shpëtuar prej ushtarëve zezakë.

Për detaje, në dhjetor të vitit 1943 de Goli u takua në Algjer me Komandantin Suprem të Aleatëve, gjeneralin Dwight Eisenhower. Disa javë më vonë, në mesazhin e vulosur konfidencial nga shefi i shtabit të Eisenhowerit – ku jepeshin detajet – thuhej: “Është më e dëshirueshme që divizioni i sipërpërmendur të përbëhet nga personeli i bardhë … Kjo nënkupton Divizionin e Dytë të Blinduar, i cili me vetëm një të katërtën e personelit nga vendasit, është i vetmi divizion i qasshëm operacional francez i cili mund në njëqind përqind të përbëhet nga të bardhët”.

Britanikët u pajtuan. Gjenerali Frederick Morgan i shkroi Komandës Supreme të Aleatëve: “Është për keqardhje që i vetmi formacion francez i cili është 100 përqind i bardhë, është një divizion i blinduar në Marok. Çdo divizion tjetër franceze është me vetëm rreth 40 përqind me të bardhë. I kam thënë kolonelit de Chevene [sic] se do të përmirësohen shumë shanset e tij për të marrë atë që dëshiron, nëse ai mund të krijojë një divizion të këmbësorisë së bardhë”. De Goli pranoi. Nuk ishte në gjendje të kundërshtonte dhe nuk ka asnjë sugjerim se së paku u përpoq.

Kështu, ndodhi që më 25 gusht, shumë prej atyre të cilët luftuan për çlirimin e Evropës, t’ju mohohet e drejta për të marrë pjesë në të. Në orën e njëmbëdhjetë, u bë e qartë se për ta nuk vlente liria për të cilën luftonin. Ata e quajnë blanchiment ose “zbardhim”. Duksoni nuk e kuptoi mesazhin. Kjo është ajo që e bën kaq domethënëse paraqitjen e tij, të nesërmen, në paradën e fitores.

Georges Dukson ishte dashnor, luftëtar, njeri që kap shansin, aventurier, mburravec, ekstrovert dhe diçka si i poshtër. Lindi në qytetin bregdetar perëndimor të Port-Zhentilit në Gabon, atëherë pjesë e Afrikës Ekuatoriale Franceze – e cila përfshinte gjithashtu Çadin e sotëm, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Republikën e Kongos.

Babai i tij kishte luftuar për francezët gjatë Luftës së Parë Botërore dhe, si adoleshent, Duksoni u regjistrua menjëherë për të dytën. Pas gjashtë muajve të trajnimit bazik në kryeqytetin e Gabonit, në Librevil, në Francë u dërgua si rreshter. U kap nga gjermanët në qershor të vitit 1940 dhe dy vitet e ardhshme i kaloi si rob lufte. Pas disa përpjekjeve, më në fund ia doli të arratisej në vitin 1943 – së bashku me një shok të burgut, një industrialist të pasur i cili e punësoi Duksonin si shofer dhe për të kryer ca punë pasi të arrijnë në Paris.

Ajo që dimë për Duksonin vjen nga libri i gazetarit parisian René Dunan, me titull Ceux de Paris, Août 1944: një rrëfim ky i dëshmitarit të çlirimit të Parisit, që është disi mes një ditari lufte dhe një drafti të parë të përafërt të historisë. Dunani, si një tregimtar i talentuar, e përshkruan Duksonin si i “të gjitha llojeve të guximtarëve” dhe “këmbëngulës” që “rrezikonte gjithçka për t’ia dalë mbanë”.

“Nuk e di pse”, ka shkruar Dunani, “por, që në fillim më pëlqeu shoqëria e këtij të riu me ngjyrë nga Gaboni … Kemi pirë bashkë, e kam parë sërish mbrëmjeve të tjera, pas çlirimit, dhe kështu, pak e nga pak prej tij e përmblodha këtë rrëfim. Është rrëfim i cili në të njëjtën kohë është madhështor dhe për vajtim”.

Dunani e tregon mirë rrëfimin e vet, edhe nëse narracioni i tij përmbyset nga lloji i shtojcave të cilat ofrojnë pasqyrën e qëndrimeve raciste të kohës. Ai e prezanton Duksonin sikur të ishte një ekspozitë ekzotike: “Lëkura e tij ishte aq e zezë saqë reflektonte dritën. Ndonjëherë ishte aq e lëmuar, saqë mund të shikoje veten në të. Kur u shfaq për herë të parë në shkëlqimin e mjegullt të lokalit të vogël në Rrugën Sheroa [Chéroy], gjithçka që dalloja ishin të bardhët e syve të tij”. Përgjatë 16 faqeve të ardhshme, ai e trajton Duksonin si fëmijë (“Ishte subjekt i atij kompleksi inferioriteti i cili gjithmonë dhe përgjithmonë do t’i shqetësojë njerëzit me ngjyrë të cilët jetojnë mes të bardhëve”) dhe i jep karakter antropologjik si “viktimë, siç janë të gjithë zezakët, ndaj turmës që mund ta çojë atë në rrugën e gabuar”.

Nuk ka asnjë arsye për të dyshuar në vërtetësinë bazike të rrëfimit të Dunanit, megjithëse, si shumë histori lufte, disa elemente mund të jenë zbukuruar. Thjesht, duhet të jemi të vetëdijshëm për filtrin përmes të cilit Dunani jep interpretimet e veta për sjelljen dhe karakterin e Duksonit.

I hasim të dy burrat në ditët e fundit të pushtimit nazist të Francës. Ushtria e Tretë e gjeneralit amerikan George Patton, kishte përparuar nga perëndimi dhe po lëvizte kah kryeqyteti. Po kështu, edhe Divizioni i Dytë i Blinduar francez – që ishte forcë shumëkombëshe, shumëracore, ku përfshiheshin disa mijëra trupa koloniale nga Maroku dhe Algjeria – si dhe një kontingjent i republikanëve spanjollë. Gjermanët ishin duke u tërhequr, por ende nuk ishin larguar. Parisianët u trimëruan, por ende nuk ishin të çliruar. Kur vendasit tundnin furçat e tualetit mbi detashmentin e ushtarëve gjermanë të cilët largoheshin përmes Bulevardit Sen-Mishel [Saint-Michel], gjermanët qëlluan mbi ta.

Rezistenca në Paris po e bënte më të ndjeshme praninë. Në këtë moment tranzicioni, me luftimet nga rruga në rrugë, forcat e ndryshme ushtarake dhe administrative u përpoqën të pretendonin autoritetin. Duksoni u bashkua me partizanët, të cilët bënin thirrje për kryengritje të hapur. Atij ia dhanë një pistoletë Kolt [Colt] dhe ai e mblodhi një grupi të luftëtarëve. Dunani i përshkroi ata si “një grup me guxim, trimëri dhe vetëbesim të jashtëzakonshëm”.

Duksoni gjatë luftimeve në Paris

Të dielën e 20 gushtit, ditën kur de Goli u kthye në Francë, rezistenca vari trengjyrëshin në Hotelin dë Vilë [Hôtel de Ville] të Parisit. Gjatë asaj kohe, një turmë e vogël, por e irrituar e të paarmatosurve, rrethoi një tank Pancer R35 [Panzerkampfwagen R35] me disa ushtarë gjermanë ende brenda. Të dërrmuar, gjermanët u dorëzuan. Në një moment, Duksoni qëndroi në majë të automjetit dhe më vonë, duke ecur mbrapa thuajse i jepte sinjale një aeroplani për vendin e aterrimit, atë e drejtoi triumfalisht nëpër rrugë. Një ose dy ditë më vonë, në cepin e Bulevardit Batinjol [Batignolles] dhe Rrugës së Romës [Rue de Rome], Duksoni u qëllua në krah nga një plumb qorr (prandaj kishte dorën me fashë në fotografi). “Ngutu, duhet të kthehem atje”, i tha infermieres teksa e trajtonte, përpara se të kthehej në përleshjet me granatat e dorës të cilat i mbante në xhep, duke qenë i paaftë për të mbajtur armë në duar.

Plagosja e Duksonit gjatë luftimeve në Paris

Në rrëfimet që duken se janë të prira ndaj një lloji të ekzagjerimit, Dunani e përshkruan Duksonin teksa priste për orë të tëra përballë një muri, këmbëzbathur, me thikën në njërën dorë, me revolverin në tjetrën, që të kalojë një kamion gjerman dhe që pastaj të kërcejë “si jaguar” për të qëlluar një ushtar gjerman dhe për t’ia prerë fytin tjetrit. Një herë tjetër, Duksoni e luajti rolin e të vdekurit në trotuar, i shtrirë në bark, dhe më pas u hodh për të qëlluar automjetin gjerman kur ishte afër tij. Në një moment, shkruan Dunani, Dukson u hodh mbi një tank gjerman dhe e vrau ngasësin, teksa shokët e tij kryengritës merreshin me të tjerët. Fotografitë e shfaqin atë duke qëndruar në majë të tankeve dhe përkrah gjermanëve të zënë. E quajtën “Luani i Zi i Qarkut 17”.

Cobb përmend një tjetër ditar parisian, mësuesen e pensionuar Berthe Auroy, e cila dëgjoi për një bashkëpunëtore të supozuar të nazistëve së cilës, në Qarkun 17, një burrë me ngjyrë ia kishte rruar flokët. Ky mund të ketë qenë Duksoni, megjithëse, siç shkruan Cobb, në Paris gjatë pushtimit jetonin rreth pesë mijë afrikanë, kështu që nuk mund të jemi të sigurt.

“Duksoni ishte i shfrenuar”, shkruan Dunani. “Duke u siguruar që ta fitojë betejën e sotme të cilën nuk mundi ta arrijë në vitin 1940. Duke u siguruar që ata të paguanin për robërinë e tij. Në mbrëmje, në barin e vogël në Rrugën Sheroa … Duksoni e përshkruan ditën e vet të suksesit, duke qëndruar aty i mbuluar me gjak dhe me lavdi. Njerëzit e uruan, e nderuan. U fry nga krenaria. Nga rreshteri u gradua në adjutant dhe më pas në nëntoger. Asgjë nuk mund ta ndalte”.

Epo, pothuajse asgjë. Në ditët pas kaosit të çlirimit, në qytet filloi të rivendosej një diçka si shtet ligjor. Tani ishte e paligjshme sjellja e cila konsiderohej si “shkathtësi” nën pushtimin nazist. Duksoni kishte kaluar nga një zbatues i rendit në shkelës të rendit, duke shitur në tregun e zi mallrat të cilat gjermanët i kishin lënë prapa vetes. U arrestua nga policia e re ushtarake e Parisit. Rrugës për në burg, kërceu pranë një semafori dhe tentoi të arratisej. Policia e qëlloi në këmbë dhe plumbi ia çau kofshën. E çuan me makinë në spital. Vdiq në tavolinën e operacionit.

Siç kishte nënkuptuar gjenerali Morgan, zbardhimi ishte një gjë shumë më e lehtë të thuhej sesa të zbatohej. Me shumicën e ushtrisë origjinale franceze të robëruar, të vrarë, të dezertuar ose përndryshe të sterilizuar, dy të tretat e forcave të lira franceze përbëheshin nga trupat koloniale. Radhët e tyre ishin nga e gjithë Afrika Perëndimore, Qendrore dhe Veriore, si dhe nga Lindja e Mesme, Paqësori dhe Karaibet. Këto ishin trupat të cilat ndihmuan në çlirimin aleat të Afrikës së Veriut dhe të Italisë, dhe të cilat më pas do të zbarkonin në jug të Francës. Thjesht, nuk kishte mjaft ushtarë të bardhë, në asnjë batalion të vetëm, për ta realizuar planin.

Por, duhej. Aty ku ishte e nevojshme, ushtarët e zinj u kufizuan në kazerma dhe u zëvendësuan me homologët e bardhë të ftuar nga njësitet e tjera. Kur ende nuk kishte sa duhet burra të bardhë, de Goli i përfshinte ushtarët nga Afrika e Veriut dhe nga Lindja e Mesme të cilët mund të merreshin për të bardhë, si dhe spanjollët.

Vetëm një ushtar i zi, për shkak të një çështjeje teknike, ia doli të dalë në pah. Claude Mademba Sy lindi në Versajë nga babai që ishte komandant afrikan në Ushtrinë franceze. Llogaritej si qytetar francez, jo si njëri nga trupat koloniale, dhe ai ishte në një regjiment francez. Për çfarëdo arsye, francezët thjesht nuk e përjashtuan atë.

Me eliminimin e pranisë fizike të ushtarëve të zinj, pothuajse menjëherë mund të fillonte fshirja e historisë. Vetëm tre muaj më vonë, më 11 nëntor 1944, ekspozita e parë fotografike kushtuar çlirimit të Parisit, duke shfaqur shkrepjet e përzgjedhura të François Boucherit, u hap në Muzeun Karnavale [Musée Carnavalet]. Nga 1500 fotografitë që mblodhi, vetëm njëra paraqiste një ushtar të zi. Kuratori mendonte se nuk ka mundësi që të jetë shfaqur.

Pra, paraqitja e Duksonit në paradën e fitores, nuk ka vetëm rëndësi historike. Lufta e Dytë Botërore, ende duket e madhe në imagjinatën evropiane. (Kjo është arsyeja se pse largimi i hershëm i Rishi Sunak nga përkujtimi i Ditës-D, u konsiderua si gabim shumë i pandershëm.) Ajo skalit mendimin tonë për kontinentin dhe ka ndikim të thellë në politikën tonë. Dhe, kjo për arsye të mirë. Në mënyra të ndryshme, hodhi shumë themele të institucioneve aktuale të kontinentit.

Shmangia e luftës tjetër në Evropë ishte arsyeja që mbështeti krijimin e BE-së. Holokausti përcakton marrëdhëniet e Gjermanisë me Lindjen e Mesme (dhe është arsyeja se pse shumë kombe evropiane nuk kanë mbledhur statistika mbi racën dhe përkatësinë etnike). “Lufta” është arsyeja historike se pse Gjermania nuk është pjesë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa Franca po – edhe pse popullsia dhe ekonomia e Gjermanisë janë dukshëm më të mëdha.

Trupat koloniale franceze në Bejrut, në maj të vitit 1941 (Bettmann Archive)

Lufta është gjithashtu qendrore në krijimin e miteve patriotike të shumicës së kombeve evropiane. Shumë austriakë brohoritën trupat e Hitlerit teksa ata marshuan gjatë Anshlusit [Anschluss] në vitin 1938. Sot ky komb e ka përcaktuar statusin e vet si “viktimë e parë e nazistëve”. Rezistenca është thelbësore për vetimazhin e Francës, edhe pse deri në fund bashkëpunëtorët ishin më të shumtë sesa ata të cilët rezistuan. Pavarësisht refuzimit të mijëra hebrenjve dhe mbajtjes së thesarit nazist me vlerë prej miliona dollarëve, shumica e të cilit u grabit nga hebrenjtë e shpronësuar, zviceranët krenohen me neutralitetin e tyre gjatë luftës.

Siç shpjegon Paul Gilroy në Pas perandorisë [After Empire], ku flitet për Britaninë: “Kujtimi për vendin në luftë kundër armiqve të cilët vazhdimisht dhe qartësisht janë të këqij, kohët e fundit ka fituar statusin e mitit etnik. Kjo tregon se si vendi e ribëri veten përmes luftës dhe fitores, por gjithashtu mund të kuptohet si refuzim ose shmangie e problemeve të veta aktuale”.

Në këtë mit të përbashkët, njerëzit e zinj fare nuk shfaqen. Në këtë dramë të madhe të përgjakshme, ata nuk shfaqen si heronj, keqbërës, viktima, autorë, pushtues, bashkëpunëtorë apo rezistues. Me disa përjashtime, nuk do t’i shihni as në statujat e të rënëve, as në filmat dhe librat e pafund kushtuar kësaj teme. Ashtu si Duksoni në Elize gjatë çlirimit, po të mos i kërkoni nuk do ta dinit se kanë qenë ndonjëherë atje.

Por, ata ishin aty, në numër të konsiderueshëm dhe me ndikim të dukshëm. Siç tregoi zbardhimi, me shumë paragjykime Evropa iu përvesh kësaj detyre të fshirjes. Duket e pamundur ta paramendosh Luftën e Dytë Botërore, në Evropë, pa praninë e njerëzve me ngjyrë, veçanërisht pas mbërritjes së amerikanëve në Frontin Perëndimor. Ata nuk ishin të pranishëm në çdo vend, por pothuajse në çdo fazë dhe, në momente të caktuara, përfshirja e tyre ishte thelbësore në angazhimet për luftën.

Profesori i Universitetit të Londrës, David Killingray, vlerëson se pothuajse një milion afrikanë luftuan në Luftën e Dytë Botërore. Gjithashtu, shërbyen 20-25 mijë trupa koloniale nga Karaibet. Jo të gjithë nga ata do të shkojnë në Evropë, siç bëri Duksoni. Disa qëndruan në Afrikë ose në Karaibe. Të tjerët u dërguan në Burmë, në Indi dhe në Lindjen e Mesme. Shumica luftuan për ShBA-në, për Britaninë dhe për Francën. Që në fillim, trupat e veta koloniale francezët i shihnin si thelbësore për përgatitjet e tyre për luftën. Nga 80 divizionet franceze të dislokuara në vitin 1939, shtatë ishin afrikane dhe tri nga kolonitë e vendeve të tjera.

De Goli u largua nga Franca në vitin 1940, pas pushtimit gjerman dhe pas vendosjes së regjimit Vishi [Vichy], ndërsa në mërgim, në Londër, shpalli qeverinë franceze. Por, kryeqytetin e Francës së Lirë e vendosi në kryeqytetin kongolez, në Brazavil. Kjo “do të thotë se francezët ishin që të gjithë kongolezë teksa Evropa ishte në luftë, ndërsa Gjermania ishte çmendurisht e përcaktuar për ta pushtuar planetin”, pohon autori Alain Mabanckou në Letër Francës [Letter to France].

Fakti që de Goli ishte në gjendje të transferohej në Brazavil, kjo ishte kryesisht meritë e të vetmit guvernator me ngjyrë në Perandorinë Franceze, Félix Éboué, i cili qe i pari që braktisin Vishin dhe i cili atë e mbështeti [de Golin]. Nipi i skllevërve, i lindur në koloninë e Guajanës Franceze me shtrirje në Amerikën e Jugut, Éboué ishte fillimisht guvernator i Çadit dhe më pas i Afrikës Ekuatoriale. Shumë guvernatorë të bardhë në rajon dhe më gjerë, shpejt e ndoqën shembullin e tij, ndërsa kur Algjeria përfundimisht u çlirua nga Vishi më 1942, de Goli e zhvendosi bazën e vet atje, ku mbeti deri në çlirim.

Përfshirja e të zinjve shkon përtej këtyre tri fuqive të mëdha. Për kauzën aleate, nga zezakët vinte pjesa më e madhe e kontributit ushtarak të Belgjikës. Pasi Belgjika u dorëzua – pas vetëm 18 ditëve me luftime – shumica e trupave të saj mbetura ishin nga Forca Publike [Force Publique] e Kongos me 40 mijë trupa, e cila kryesisht i luftoi italianët në Afrikën Lindore dhe ndihmoi garnizonet e stafit në Afrikën Perëndimore.

Pasi Holanda u dorëzua – pas vetëm disa ditëve të luftimeve në maj të vitit 1940 – dhe derisa amerikanët nuk mbërritën 18 muaj më vonë, forcat lokale të Skhutereit në koloninë holandeze të Surinamit, e mbajtën përgjegjësinë së bashku me Ushtrinë Mbretërore të Indisë Lindore të Holandës. Kur ajo që sot është Indonezi u pushtua nga japonezët në vitin 1942, kolonitë holandeze në Karaibe ishin baza e vetme e tyre. Surinami në veçanti kishte rëndësi, sepse ofronte pjesën më të madhe të boksitit të Amerikës që ishte jetik për prodhimet ushtarake, ndërsa ishte vend i ndjeshëm meqë ishte pranë Guajanës Franceze që, deri në vitin 1943, ishte nën sundimin francez të Vishit. Deri në vitin 1940, Italia “rekrutoi” 256 mijë “askarinj” në Korpusin e vet Mbretëror të Trupave Koloniale, nga të cilët 182 mijë ishin nga Eritrea, Somalia dhe Etiopia dhe 74 mijë nga Libia – megjithëse shumica ishin mercenarë dhe rekrutë dhe kishin vlerë të kufizuar ushtarake.

Aviatorët nga Tuskegi, në Itali në vitin 1944 (Bettmann Archive/Getty Images)

Pastaj ishin afrikano-amerikanët. Britanikët i kërkuan ShBA-së të përmbaheshin nga dërgimi i trupave të zezakëve në Mbretërinë e Bashkuar, sepse në tokën britanike nuk donin të administronin segregacionin e stilit amerikan. Amerikanët e bënë të qartë se nuk mund të përjashtonin ushtarët e zinj, edhe sikur të donin, sepse ishin thelbësorë për angazhimet e luftës. “Gjashtëdhjetë për qind e teknikëve të ushtrisë amerikane janë me ngjyrë dhe ofrojnë pjesën më të madhe të punës së tyre të organizuar të ngarkim-shkarkimeve në port”, tha një nëpunës civil britanik në Uashington, në një telegram drejtuar Ministrisë së Jashtme.

Rreth 200 mijë ushtarë afrikano-amerikanë kaluan nëpër Britani, gjatë luftës, shumica në rrugën e tyre për në Evropë. Duke shërbyer në ushtri si të veçuar, shumica nuk u lejuan të bashkoheshin me trupat luftarake dhe në vend të kësaj shërbenin në linjat e furnizimit, duke shpërndarë ushqime, materiale dhe ilaçe, duke varrosur të vdekurit dhe duke vozitur, duke furnizuar me karburant dhe duke rregulluar kamionët. “Kur forcat luftarake amerikane u futën në Francën e pushtuar, ata mund të shkonin aq larg sa lejonin linjat e tyre të furnizimit”, ka shkruan Matthew Delmont në Gjysmë-amerikan [Half American]. “Që do të thoshte se mund të shkonin aq larg për aq sa mund t’i dërgonin trupat e furnizimit të të zinjve … Pothuajse gjithçka që aleatët transportuan në front, kaloi në duart e të paktën një amerikani me ngjyrë”.

Midis tyre, trupat e të zinjve luajtën role të rëndësishme në Afrikë, ku rezistuan trupat e Mussolinit në lindje dhe ku u mbrojtën kundër inkursioneve të mëtejshme gjermane në Afrikën Veriore, Perëndimore dhe Qendrore. Me Afrikën e Veriut të çliruar nga kontrolli nazist, falë kontributeve të tyre të rëndësishme, aleatët mund të hapnin krahun strategjik jugor kundër Italisë – i cili rezultoi si i suksesshëm – duke i detyruar gjermanët që të zhvendosnin dhe të shpërndanin burimet. Aviatorët legjendarë afrikano-amerikanë të Tuskegisë, siguruan mbulim efektiv për zbarkimet në det të trupave aleate në Betejën e Anzios në Itali, duke rrëzuar një duzinë të aeroplanëve nazistë.

Divizioni i 92-të i këmbësorisë, i njohur gjithashtu si Bufalo [Buffalo Soldiers] – i vetmi divizion i këmbësorisë së zezë që luftoi në Evropë – luftoi përmes Italisë jugore deri në Toskanë.

Këto janë më shumë se thjesht fakte të historisë ushtarake të cilat janë margjinalizuar. Këta elementë të rëndësishëm të së kaluarës së Evropës, flasin për mënyrën se si e keqkuptojmë të tashmen.

Në Aleancën Franceze [Alliançe Francaise], institutin kulturor të qeverisë franceze në Librevil të Gabonit, ata thonë se nuk kanë dëgjuar kurrë për Duksonin. Po të mos ishin fotografitë dhe rrëfimet e shkruara të Dunanit, Luani i Qarkut 17 do të kishte mbetur jashtë historisë.

Informacioni që kemi nuk na jep pamjen shumë të qartë për gjithçka që ndodhi në atë ditë, kur Duksoni me de Golin ishin në qendër të vëmendjes. Në rrëfimin e vet, Matthew Cobb pohon se pamjet e marra më herët gjatë ditës, në Sheshin Konkord [Place de la Concorde], e shfaqin Duksonin i cili “me sa duket vepron si kujdestar”. Teoria e Cobbit është se ai nuk ishte në gjendje të kryente detyrën, meqë krahu i tij ishte i lënduar, dhe kështu “sillej në pjesën e përparme” të paradës dhe u mbërthye në film para se të shtyhej prapa.

Skena më duket shumë më konfrontuese. Fotografia sugjeron se ai po shtyhet meqë, me sa duket, është shumë afër dikujt ose diçkaje dhe se ai proteston.

Rëndësia kur sheh Duksonin në foton me de Golin, është se na shtyn të shtrojmë disa pyetje. Si mund të mendojnë evropianët ndryshe për veten, nëse Lufta e Dytë Botërore do të kuptohej si përpjekje shumëracore në të cilën zezakët ishin pjesë përbërëse – për dallim nga konflikti në të cilin, nëse disi pranohet prania e tyre, ata shihen si periferikë? Si do të bëheshin bisedat për përgjegjësinë, detyrën, të drejtën, sakrificën, patriotizmin, imigrimin, integrimin, mirëqenien, barazinë dhe drejtësinë, të cilat kanë të bëjnë me zezakët dhe emigrantët, nëse në këtë moment vendimtar do të njiheshin plotësisht kontributet e tyre? Si mund t’i kuptojnë francezët ndryshe emigracionin dhe njerëzit jo të bardhë, nëse e dinë se Tuloni, qyteti i parë i madh i cili votoi për Frontin Kombëtar, u çlirua nga një kontingjent i konsiderueshëm i trupave koloniale?

Si do t’i kuptonim termat si “kërcënim për qytetërimin perëndimor” dhe “vlerat e demokracisë liberale”, nëse ia dalim të kuptojmë se jo vetëm që kërcënimi më i madh për ato vlera vinte nga brenda kontinentit, por se njerëzit e zinj u mblodhën në masë për t’i mbrojtur ato – edhe kur sunduesit e tyre kolonialë vendosën se ato vlera nuk vlejnë për të gjithë.

Shkurtimisht, sa e ndryshme do të ishte pikëpamja jonë për vendin e zezakëve në Evropën e sotme, nëse do të ishim në gjendje të vërenim Duksonin në ato foto të 26 gushtit 1944 dhe të mos mendonim se “Çfarë bënte ai atje?”, por, në vend të kësaj, se “Ku janë gjithë të tjerët”? /Telegrafi/