LAJMI I FUNDIT:

‘Fluturojnë’ çmimet e apartamenteve në bregdetin shqiptar, vilat po shiten me mbi 1.5 milion euro

‘Fluturojnë’ çmimet e apartamenteve në bregdetin shqiptar, vilat po shiten me mbi 1.5 milion euro

Rritja e kërkesës nga të huajt ka shtrenjtuar edhe këtë vit deri në 40 për qind çmimet e apartamenteve dhe vilave në bregdetin e Shqipërisë. Rritje më të madhe kanë shënuar çmimet e pronave në resortet e reja në Vlorë dhe Sarandë. Apartamentet në këto projekte po shiten 3,500 euro për metër katror. Bregdeti shqiptar vijon të jetë i paprekshëm për shumicën e shqiptarëve, ndërsa ka dyndje të nordikëve, gjermanëve, anglezëve dhe italianëve për blerje pronash, për t’i dhënë me qira.

Shtrenjtimi i çmimeve të vilave dhe apartamenteve në bregdet po vijon edhe në vitin 2023. Në apartamentet e reja në zonat rezidenciale në Vlorë dhe Sarandë, sipas agjencive të pasurive të patundshme, çmimet e apartamenteve janë rritur 40 për qind më shumë krahasuar me 2022.

Në bregdetin e Durrësit dhe Qerretit, çmimet e pronave në vijën e parë janë shtrenjtuar 15 për qind. Agjencitë e pasurive të patundshme pohuan se arsyet kryesore të rritjes së çmimeve janë kërkesa e lartë nga të huajt dhe shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit.


Në resortet turistike, që kanë nisur punimet këtë vit, si në Orikum të Vlorës apo Sarandë, çmimet e apartamenteve ndryshojnë nga 2,500 deri në 3,500 euro për metër katror.

Rritje të lartë ka edhe për çmimet e vilave. Vilat elitare në bregdet po shiten me çmimin e 1.6 milionë eurove 33 për qind më shumë se vjet.

Shtrenjtohet Durrësi, Golemi dhe Qerreti me 15 për qind – çmim ekonomik vetëm ndërtimet e para 15 viteve

Edhe këtë vit, çmimet e apartamenteve në zonat bregdetare të Durrësit kanë vijuar tendencën e rritjes. Shtrenjtimi më i lartë është për pronat në vijën e parë të ndërtimit, që kanë arritur nivelin maksimal prej 1,500 euro/m2 nga 1,300 euro që u shitën vjet, pra rritja është 15 për qind.

Në vitin 2021, maksimumi i çmimit për ndërtimet e vijës së parë, në zonën e Shkëmbit të Kavajës arrinte deri në 750 euro.

Arian Gjuzi, broker i agjencisë Century 21 EON në Durrës nënvizon se çmimet në vijën e parë bregdetare të zonave si Durrës, Plazh, Golem, Shkëmbi i Kavajës dhe Qerret janë rritur 100 deri në 200 euro.

Gjuzi shton se rritja është ndikuar nga kërkesa e lartë për këto prona dhe oferta e ulët. Sipas tij, pronat po blihen kryesisht nga çekët, polakët apo shqiptarët e diasporës, me qëllim investimi dhënie me qira.

“Vjet, çmimi maksimal për ndërtimet e reja me pamje nga deti në vijën bregdetare të Durrësit dhe Qerretit arrinte deri në 1,300 euro/m2, këtë vit është 1,500 euro/m2. Shumica e blerësve, kryesisht të huajt dhe nga diaspora, kërkojnë gjithmonë prona në vijë të parë. Ndërtimet e reja në vijë të parë janë të pakta. Për këtë arsye, çmimet janë rritur”, shton Gjuzi.

Ai thekson se në Durrës ka ende prona me çmime ekonomike, të cilat preferohen më shumë nga vendasit.

“Apartamentet e ndërtimeve të 10 apo 15 viteve më parë në Golem po shiten me çmime ekonomike 600 euro/m2 – 650 euro/m2, që parapëlqehen nga vendasit. Ndërsa, ndërtimet e reja në Golem këtë vit, që shtrihen në vijën e fundit, janë me çmim 800 euro/m2 – 850 euro/m2″, thekson ai.

Po kush po blen në bregdetin e Durrësit? Gjuzi pohon se krahasuar me vjet, kërkesa për blerje nga çekët dhe polakët që dominuan tregun është në rënie mbi 50 për qind.

Sipas tij, kjo ka ndodhur prej pasigurisë së shpenzimeve për shkak të luftës Rusi-Ukrainë. Kërkesa për apartamente kryesohet më pas nga shtetasit nga diaspora, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Ndërsa nga vendasit, kërkesa është e përqendruar vetëm te banorët e kryeqytetit, blerësit nga rrethet janë të papërfillshëm. Të huajt po blejnë apartamente me qëllim investimi, për dhënie me qira nëpërmjet platformave ndërkombëtare. Kjo po ndodh edhe me investimet e emigrantëve të Zvicrës, diasporës apo të rajonit. Ndërsa kërkesa nga vendasit është shumë e ulët, për shkak të çmimit të lartë. Niveli 1,500 euro për metër katror në vijën e parë të ndërtimit është një çmim i papërballueshëm për shqiptarët”, pohon Gjuzi.

Agjencitë e pasurive të patundshme pohojnë se çmimet në bregdetin e Durrësit kanë arritur pikun dy vitet e fundit dhe nuk parashikohet më rritje.

Ekspertë të tregut shtuan se kërkesa nga të huajt ka rritur çmimin në Durrës. Edhe shumë apartamente sipas konstatimeve të agjencive real state në vitet 2019-2021 u blenë nga agjencitë polake dhe çeke me çmim 500 euro/m2 dhe u rishitën te shtetasit e huaj me çmim 750 euro/m2.

Këto agjenci e konsiderojnë këtë një faktor që ka nxitur rritjen e çmimeve të pronarët e tjerë që rishisnin apartamentet.

Kush po blen në Durrës?

Të huajt po blejnë apartamente me qëllim investimi, për dhënie me qira nëpërmjet platformave ndërkombëtare.

Kjo po ndodh edhe me investimet e emigrantëve të Zvicrës, diasporës apo të rajonit. Ndërsa kërkesa nga vendasit është shumë e ulët, për shkak të çmimit të lartë.

Niveli 1,500 euro/m2 në vijën e parë të ndërtimit është një çmim i papërballueshëm për shqiptarët.

Rriten çmimet e apartamenteve në “Durrës Yacht & Marina”

Edhe pse pronat në projektin e ri “Durrës Yacht & Marina”, që pritet të zhvillohet po shiten në ajër, kjo nuk i ka penguar investitorët të rrisin çmimet e apartamenteve.

Sipas zyrës së shitjes të kontaktuar nga Monitor, çmimet e apartamenteve për ndërtimin e tretë 9-katësh nisin nga 1,650 euro/m2 deri në 2,800 euro/m2.

Derisa në planin e biznesit të projektit, të publikuar më herët, çmimet e shitjes varionin midis 1,500 euro/m2 – 2,000 euro/m² apo 10 për qind deri 40 për qind rritje.

Agjentët e shitjes së “Durrës Yacht & Marina” thanë se tashmë kanë përfunduar prenotimet e shitjes për dy godinat e para të apartamenteve, ndërsa projekti për godinën e re parashikohet të prezantohet në fund të muajit mars.

Shitjet e apartamenteve nga kompania “Eagle Hills Real Estate Development” nisën më 8 dhjetor, nëpërmjet kontratave “Marrëveshja për prenotimin e interesit” që u dhanë blerësve.

Marrëveshja parashikonte kryerjen e pagesave me këste për blerjen e apartamentit.

Konkretisht, 40 për qind e vlerës së apartamentit e ndarë në 3 këste do të paguhet para marrjes së lejes së ndërtimit, si 20 për qind e çmimit të blerjes të paguhet brenda 5 ditëve nga nënshkrimi i Marrëveshjes Paraprake të Shitjes, 10 për qind e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se tre muaj nga data e lejes së ndërtimit dhe 10 për qind e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 6 muaj nga data e lejes së ndërtimit.

Pjesa tjetër e vlerës së apartamentit do të paguhet, sipas skemës 15 për qind e vlerës para ose pas përfundimit të strukturës, 20 për qind të çmimit do të paguhet para ose pas vendosjes së xhamave dhe 5 për qind e çmimit të blerjes të paguhet brenda 5 ditëve nga data e nënshkrimit të kontratës së shitjes për transferimin e titullit të pronësisë së pronës.

“Durrës Yachts & Marina” është një shoqëri e përbashkët mes qeverisë shqiptare, 33 për qind përmes Albanian Seaports Development Company dhe dy shoqërive nga Emiratet e Bashkuara, Eagle Hills Real Estate Development dhe Nshmi Development me 67 për qind së bashku dhe po zbaton projektin me status strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.

Projekti “Durrës Yacht & Marina” ka marrë statusin strategjik, pas të cilit shteti shqiptar u bë bashkaksioner, pasi në dispozicion të projektit u vunë 80 hektarë tokë shtetërore. Kompania ka përfituar lehtësi të shumta si investitore, si përjashtimi nga taksa e infrastrukturës në ndërtim, 4 për qind e vlerës së shitjes dhe taksa e strehimit prej 3 për qind.

Gjithsej, parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve, 4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8,600 në fazën e dytë, ndërsa do të ketë vetëm pak hotele me më shumë se 850 dhoma.

Parashikohen vetëm 280 vende për jahte. 93 për qind e sipërfaqes së ndërtimit të parashikuar do të jetë rezidenciale dhe 3.5 për qind përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.

Investimi i parashikuar në fazën e parë është 595 milionë euro. Por, kompanive investitore u kërkohet që të mbajnë në llogaritë e tyre një shumë që korrespondon me 30 për qind të financimit të nevojshëm për zhvillimin e sheshit të fazës së parë, pra rreth 180 milionë euro, ndërsa mund të grumbullojnë të ardhura nga shitjet, apo të përfshijnë bashkëfinancues të tjerë.

Në Lungomare, kërkesa e lartë shtrenjton apartamentet deri 60 për qind

Këtë vit, rritje të lartë të çmimeve të apartamenteve ka edhe për ndërtimet e reja në Vlorë.

Në zonën e Lungomares, në vijën e parë të ndërtimit, çmimet maksimale të apartamenteve kanë arritur 2,700 euro/m2 – 2,800 euro/m2 sipas të dhënave të agjencisë “Albania Property Group”.

Bëhet fjalë për ndërtime që janë në fazën e parë të zhvillimit. Këtë vit, në vijën e parë të ndërtimit në Lungomare, por për apartamente jo me pamje nga deti, çmimet variojnë nga 1,200 euro/m2 deri 1,300 euro/m2.

Ndërsa vitin e kaluar, apartamentet në vijën e parë të kësaj zone varionin nga 1,700 euro/m2 deri 1,800 euro/m2, çmimet e vitit të kaluar janë dhënë nga tjetër agjenci. Rritja ishte 55 për qind deri në 58 për qind.

Agjencitë e pasurive të patundshme pohojnë se arsyeja kryesore e rritjes së lartë të çmimeve në Lungomare është kërkesa e fortë dhe oferta shumë e ulët.

Tendenca e lartë e çmimeve për prona në vijën e parë të ndërtimeve në Lungomare është parashikuar edhe vjet nga agjentët e shitjeve, për shkak të kërkesë-ofertës.

Edhe këtë vit, kërkesa për prona në këtë zonë kryesohet nga të huajt për shtëpi pushimi, kurse vendasit kanë rritur kërkesën e blerjes me qëllim dhënien me qira.

Mungesa prej vitesh e ndërtimeve në zonën e Radhimës në Vlorë, këtë vit ka sjellë fluks së kërkesës për ndërtimet e reja. Në zonat e reja rezidenciale të Radhimës, ndërtuesit po i shesin apartamentet me çmime që nisin nga 1,400 euro/m2 – 1,500 euro/m2.

Fluturon Vlora!

Në zonën e Lungomares, në vijën e parë të ndërtimit, çmimet maksimale të apartamenteve kanë arritur 2,700 euro/m2 – 2,800 euro/m2. Bëhet fjalë për ndërtime që janë në fazën e parë të zhvillimit. Këtë vit, në vijën e parë të ndërtimit në Lungomare, por për apartamente jo me pamje nga deti, çmimet variojnë nga 1,200 euro/m2 – 1,300 euro/m2.

Të huajt që punojnë blejnë shtëpi në Sarandë, çmimet rriten 40 për qind

Në Sarandë vazhdon rritja e çmimeve të pronave. Vitin e shkuar, çmimi minimal për apartamentet e reja sipas agjencive varionte nga 1,200 euro/m2 – 1,300 euro/m2, ndërsa çmimi maksimal arrinte deri në 1,800 euro/m2.

Në vitin 2023, apartamentet e banimit në zonat e reja rezidenciale po shiten me çmim mbi 1,500 euro/m2 – 2,500 euro/m2. Ndërsa çmimet e pronave buzë detit, specifike për verandën me sipërfaqe të madhe apo suita rezidenciale vijojnë të shiten 3,000 euro/m2 – 3,500 euro/m2.

Eron Çumani, administratori i agjencisë “Investment Property Sarandë”, thekson se krahasuar me vjet, çmimet e apartamenteve në Sarandë janë shtrenjtuar me 40 për qind. Arsye e rritjes të çmimeve është kërkesa e shtuar nga të huajt, por edhe shtrenjtimi i kostove të ndërtuesve nga lëndët të para.

“Në Sarandë, çmimet e apartamenteve në ndërtimet e reja variojnë mbi 1,500 euro/m2 nga 1,200 euro/m2 – 1,300 euro/m2 që u shitën vjet”, thekson Çumani.

Çmimet maksimale janë nga 1,500 euro/m2 – 2500 euro/m2, derisa për disa prona me pozicion të favorshëm pranë detit, me verandë, pra suita, çmimet variojnë 3,000 euro/m2 – 3,500 euro/m2.

Mesatarisht, rritja e çmimeve këtë vit është 35 për qind deri 40 për qind. Për një pronë bashkëkohore me sipërfaqe 65m2, çmimi i shitjes arrin deri në 100 mijë euro nga 70 mijë deri 80 mijë euro që ishte më parë.

Shtrenjtimi nisi menjëherë pas luftës Rusi-Ukrainë, për shkak të rritjes së lëndëve të para të ndërtimit. Ndërtimet e reja janë luksoze dhe përfshijnë në rezidencën e banimit edhe ambiente palestre, SPA apo pishina. Te rritja e çmimeve ndikoi edhe shtimi i kërkesës.

Pas fillimit të luftës në Ukrainë, pati bum kërkesash për blerje pronash nga ukrainasit që ndikuan te çmimi.

Ata kërkonin apartamente 1+1 apo 2+1 kur ishin familje me shumë anëtarë. Përveç konfliktit në vendin tyre, arsye e rritjes së kërkesës ishte edhe ofrimi i qëndrimit pa viza apo lehtësitë në kryerjen e transaksioneve të blerjes që u dhanë për këta shtetas”.

Çumani nënvizon se kërkesa për prona në Sarandë dominohet nga të huajt, si gjermanët, suedezët, holandezët, danezët, anglezët, italianët.

“Qëllimet e blerjes së pronës janë gjithëpërfshirëse, si nga dhënia e tyre për qira, pasi çmimet e qirave mujore dhe ditore janë rritur 20 deri 40%, por edhe si shtëpi e dytë për pushime”, nënvizon ai.

Blerësit potencialë, sipas tij, janë ata të moshës mbi 40 vjeç deri në 70 vjeç që zgjedhin prona luksoze, ndërsa grupmosha e blerësve 35 deri 40 vjeç dominohet nga nomadët dixhitalë, kryesisht të profesioneve IT.

“Të huajt që investojnë shuma mbi 100,000 euro për prona janë nga vendet perëndimore dhe e kanë për qëllim banimi. Këta shtetas aplikojnë edhe për leje qëndrimi njëvjeçare. Kërkesa është rritur edhe nga nomadët dixhitalë, që kanë elasticitetin e të punuarit online”, shton ai.

Sipas llogaritjeve të agjencisë, kthimi i investimit për pronë në Sarandë, nëpërmjet qiradhënies, është 10 deri në 15 vjet.

Çumani thekson se me përfundimin e projekteve strategjike brenda 5 viteve, çmimet e apartamenteve në Sarandë do të arrijnë sa në Montekarlo, gjithmonë nëse tendenca e blerjeve do të orientohet nga të huajt.

Saranda

Kërkesa për prona në Sarandë dominohet nga të huajt, si gjermanët, suedezët, holandezët, danezët, anglezët, italianët.

Qëllimet e blerjes së pronës janë gjithëpërfshirëse, si nga dhënia e tyre për qira, pasi çmimet e qirave mujore dhe ditore janë rritur 20 për qind deri 40 për qind, por edhe si shtëpi e dytë për pushime.

Kush kryeson për kthimin e investimit nga qiraja?

Në indeksin e disa qyteteve bregdetare në rajon, Evropë dhe botë, qyteti i Dubait renditet i pari për kohën më të ulët të kthimit të investimit nëpërmjet qiradhënies për blerjen e pronave në zonën e qendrës.

Rendimenti bruto i qirasë, që është totali i qirasë bruto vjetore, pjesëtuar me çmimin e shtëpisë për këtë qytet është 11 për qind, pra sa më e lartë të jetë vlera, më mirë është.

Pas Dubait, referuar të dhënave nga Numbeo, më i leverdishëm për kthimin e qirasë me afat të shkurtër është edhe qyteti i Majamit në SHBA me 9.4 për qind për një pronë që blihet në qendër.

Më pas renditen qytetet si Saranda dhe Budva me rendiment bruto 6 për qind, Dhërmiu me 5.7 për qind, Tivari me 5.1 për qind, Vlora me 5 për qind, Durrësi me 4.7 për qind, Sanremo me 4.6 për qind, Barcelona me 4.3 për qind, Selaniku me 4.2 për qind, Montekarlo me 3 për qind, Nisë me 3 për qind, Rimini me 3.5 për qind dhe Dubrovniku me 2.7 për qind.

Në Dubai, indeksi i rendimentit të qirasë mbetet i favorshëm për shkak të çmimit të shitjes dhe qirasë së lartë.

Agjencia e pasurive të patundshme “Falcon”, që ofronte portofol të gjerë pronash në Dubai, tha se çmimet e apartamenteve luksoze nisin nga 3,000 euro/m2 – 3,500 euro/m2, ndërsa qiratë fillojnë minimumi nga 6,000 euro.

Drejtuesi Sokol Çili pohoi se koha optimale e kthimit të investimit nga qiraja është 5 deri në 10 vjet dhe kjo është një ndër arsyet pse shumë individë, kryesisht sipërmarrës, po investojnë në Dubai.

Ndërsa, në Montekarlo, indeksi i rendimentit të qirasë bruto është i ulët 3 për qind, për shkak të çmimeve të larta të shitjes. Sipas një vlerësimi, çmimet për apartamentet e reja në qendër nisnin nga 26,000 euro/m2, ndërsa qiraja mujore nga 4,700 euro. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Kronika e Zezë
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Kalo në kategori