LAJMI I FUNDIT:

Fleksibiliteti nga Lenovo

Fleksibiliteti nga Lenovo

Gadgeti i ri nga Lenovo i quajtur IdeaPad Yoga reklamohet nën sloganin 4 në 1. Forma e parë e përdorimit është si kompjuter portativ, e tri format tjera të përdorimit i përshtaten mënyrës së punës së tabletit – i shtrirë mbi një sipërfaqe, i ngritur mbi skaje dhe i thyer në tastierë me ekran të ngritur kah shfrytëzuesi.

Pajisja hapet sikurse portativi klasik, por kur ekrani të kthehet mjaftueshëm (maksimumi është 360 shkallë), fitohet një tablet.

Në përputhje me konceptin hibrid, kjo pajisje do të jetë e pajisur me Windows 8 derisa bazën harduerike e paraqet ULV versioni mobil i procesorëve të rinj Ivy Bridge të Intelit në kombinim me 8 GB memorie dhe SSD-në prej 256-gigabajt. Koha e autonomisë është deklaruar në tetë orë. IdeaPad Yoga mund të lavdërohet me dimensionet jashtëzakonisht të vogla. Është i trashë vetëm 17 mm, i rëndë krejtësisht 1,400 gram. E për fund edhe një specifikë tjetër që është tejet interesante e cila ka të bëjë me ekranin e pajisjes. Ai është i bazuar në teknologjinë IPS, ndërsa ofron rezolucionin prej madje 1,600 x 900 piksel.

“Shfrytëzuesit dëshirojnë pajisjet mobile, tabletët, portativët dhe televizorët e mençur – tani të gjitha këto i kanë në një pajisje të vetme, të cilën mund ta përdorin kudo dhe në cilëndo kohë” , thotë Yang Yuanqing, CEO i Lenovos. “IdeaPad Yoga është një portativ multi-mode i cili shfrytëzuesve ua sjell komoditetin më të madh duke bashkuar në një vend më të mirën e PC-së tradicional, me më të mirën e tabletëve”.


Pajisje në treg pritet të paraqitet gjatë gjysmës së dytë të vitit 2012, me çmim prej 1,199 dollarë. /Telegrafi/