Nga: Blerim Shala (botuar në vitin 2000, në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”)
Për dhjetë vjetësh të tërë, atdhetarët shqiptarë në Kosovë janë varrosur në heshtje, në prani të familjes së ngushtë, e cila nuk kishte mundësi të hapë derën për pamje dhe nuk kishte të drejtë të shprehë pezmin e saj për vrasjen e më të dashurve që vriteshin për shkak të atdhedashurisë. Ato familje, madje, ishin të anatemuara nga pushteti dhe ardhje-shkuarjet edhe për ndeja të zakonshme bëheshin vetëm midis këtyre familjeve.
Menjëherë pas luftës, kur bëheshin ekzekutimet e patriotëve shqiptarë, familjet nuk kishin të drejtë të dinin as për varret e tyre. Më vonë, së paku ato mund të merrnin kufomën, por gjithmonë duke qenë të ndaluara të gjitha ceremonitë që bëheshin edhe për të vdekurit e zakonshëm.
Kthesa e dimrit të vitit 1990
Pak a shumë, kjo gjendje e rëndë ka zgjatur në Kosovë për 45 vjet me radhë, pra deri në janarin, shkurtin e vitit 1990. Edhe të vrarët e demonstratave të vitit 1981 dhe 1989 duhej të varroseshin në heshtje, pranë më të afërmve, shpeshherë edhe pa rite fetare.
Autoritetet e vendit, në këto raste, me komunikata që numëronin gjithmonë disa rreshta, tregonin se forcat e rendit janë detyruar të kundërpërgjigjen ndaj sulmeve me armë. Kaq.
Kurrë nuk janë përmendur emrat e të vrarëve në këto komunikata.
Madje, kur viktimat vinin nga APJ (Armata Popullore e Jugosllavisë), përpos rrenës për “vetëvrasje”, familjet e tyre duhej të përballeshin me një arkivol të mbyllur hermetikisht, i cili nuk guxohej as të hapej. Prindërit e ushtarëve të vrarë ishin të privuar nga mundësia që për herë të fundit të shohin birin e tyre.
Në dimër të vitit 1990 gjërat ndryshuan me themel në Kosovë. Heqja me dhunë e autonomisë politike në marsin e vitit 1989 la shqiptarët e Kosovës pa kurrfarë pushteti, por edhe i zhveshi ata plotësisht nga iluzionet. Shqiptarët më nuk kishin gjë në duart e tyre, por ishin më të fuqishëm se kurrë, sepse kuptuan se më nuk mund të ketë kurrfarë kompromisi me Serbinë. Për këtë shkak, në Prishtinë dhe në Kosovë, nëse ju kujtohet, në vjeshtë të vitit 1989 kishte për çdo ditë protesta. Por maja e tyre do të mbërrihet në janar, shkurt të vitit 1990, kur qindra-mijëra shqiptarë pushtuan udhët e Kosovës me porosinë e cila ishte e qartë: “Mjaft më!” Reagimet e forcave serbe dhe atyre të federatës (së RSFJ-së) morën trajtën e vrasjes së gati 40 shqiptarëve anembanë vendit. Një televizion i shtetit (i RTV të Sarajevës), madje pat xhiruar një skenë të llahtarshme për kohën, e cila më mirë se qindra dëshmi tregonte se çfarë po bënin forcat serbe në Kosovë. Kamera, kështu, kishte zënë dy policë serbë, të cilët me automatikët e tyre, pa kurrfarë shkasi, duke mos u fshehur fare, shtinin në drejtim të protestuesve, të cilët ishin tubuar në fshatin Lupç, skaj rrugës Podujevë-Prishtinë. Me këtë rast ishte vrarë vajza Ylfete Humolli dhe ishin plagosur disa të tjerë.
Si u mund frika
Varrimet e Ylfetes dhe të gjithë martirëve të këtyre demonstratave tubuan atëherë qindra-mijëra shqiptarë. Frika u mund, nuk kishte më kush t’i ndalë shqiptarët. Në ato varrimet e para masive, pos ritualeve të zakonshme dhe fjalëve, në fillim të shkurtra, kishte edhe duartrokitje! Edhe në këtë mënyrë i shprehej respekti atij i cili ishte vrarë pse ishte shqiptar dhe pse kërkonte liri për Kosovën.
Në vitet që pasuan, në të nëntëdhjetat, varrezat u patën bërë vendi i vetëm ku shqiptarëve u lejohej të mbanin tubime. Për këtë shkak, varrimet shndërroheshin në manifestime politike, në orë letrare, në vend ku mbaheshin ligjërata historike. Çka nuk dëgjohej asokohe në këto varrime! Por, koha kishte ndryshuar. Nëse në vitet 1990, 1991 varrimet masive ishin edhe shprehje mllefi dhe uniteti të shqiptarëve, tashti ato gjithnjë e më shumë bëheshin vende të shpalosjes së pafuqisë sonë dhe të frustrimeve politike të të gjitha llojeve. Kështu vazhduan punët për shtatë vjet rresht: Serbia na vrante, ne tuboheshim në varreza dhe shkruanim letra të protestave të ashpra. Kjo gjendje mori fund dhe atë prapë në varreza – kësaj here në ato të fshatit Llaushë, kur në varrimin e Halit Gecit dolën tre përfaqësues të UÇK-së.
Shqiptarët nisën të luftojnë. Tashti viktima kishte edhe te forcat serbe. Lufta nuk mund të ndalej dot pa një marrëveshje ndërkombëtare dhe pa uniformat e NATO-s si garancë të paqes.
Gjatë luftës, varrimet bëheshin me të shpejtë. Të gjallët ose duhej të luftonin, ose të iknin për të shpëtuar nga policia dhe ushtria serbe. Këta të fundit, kur bënin masakra, i fshihnin kufomat në varre të përbashkëta, i djegnin ato në furra, i hidhnin në liqene të Serbisë ose i shtinin në dhe, diku në Serbi.
Varret dhe viktimat, si asnjëherë më parë, nisën të flasin. Ato dëshmonin se çfarë po bëhet në Kosovë, kush po vret të pafajshmit, pse Serbia duhet të largohet prej Kosovës, pse Perëndimi duhet të vendoset në Kosovë. Për këtë shkak, zatën, regjimi serb nuk lejoi për javë të tëra varrimin e viktimave të Masakrës së Reçakut.
Të vrarit nisën të qetësohen vetëm pas përfundimit të luftës në Kosovë, në qershor të vitit 1999. Supozohet se mbi 13 mijë shqiptarë janë vrarë gjatë luftës. Mbi katër mijë ende llogariten si të kidnapuar (të zhdukur apo të pagjetur).
Nëpër të gjitha pjesët e Kosovës janë rregulluar varrezat e heronjve dhe të martirëve.
Në përvjetorët e vrasjeve të tyre varret vizitohen me lule të freskëta dhe me fjalime të moçme. Të gjithë ne flasim shumë në këto ceremoni, por gjithnjë e më pak i themi gjërat e duhura.
Do të dëshmojmë se dimë të kujtojmë viktimat dhe t’i respektojmë varrezat atëherë kur e bëjmë shtetin e Kosovës, “përmendoren” më të vlefshme për të cilën ranë të gjithë heronjtë dhe martirët. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Vrasja e Luigj Gurakuqit nga kushëriri i tij, për interesat e Ahmet Zogut
Higjiena ndër shekuj: Luigji XIV u la dy herë gjatë gjithë jetës!
Suljotët dhe fjalori i boçarëve!?

GJUHA SHQYPE
Detektivi i njohur i Agatha Christie: Pse belgu Hercule Poirot kishte nënshtetësi angleze?

Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1919, 1929, 1939… 2019!

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Gjesti nuk e përballon dot debatin, çohet dhe largohet nga banorët gjatë transmetimit direkt në BBVA

As Ancelotti nuk e qetësoi, Brahim Diaz iu hakmor Diego Simeones

"Nuk kam parë gjë më të shpifur", Gjesti kritikohet pasi i erdhi ndot nga trupi i Eglit për shkak të nishanit

Kështu do të duket shpërndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës

Trump kërcënon studentët protestues: Të huajt do të dëbohen, amerikanët do të burgosen

Meloni refuzon propozimin e BE-së për dërgimin e trupave italiane në Ukrainë: Mund të shkoni, por jo me ushtarët e mi