Në vitin 1946, më pak se një vit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësi i Britanisë gjatë kohës së luftës dha një paralajmërim urgjent për kërcënimin sovjetik ndaj Perëndimit.

Greg McKevitt / BBC (titulli: 'Catastrophe may overwhelm us all': How Winston Churchill's 'Iron Curtain' speech launched the Cold War 80 years ago)
Përkthimi: Telegrafi.com


“Nga Shçeqini në Baltik e deri në Trieste në Adriatik, një perde e hekurt ka rënë mbi kontinent”. Në një fjali të vetme, Winston Churchilli përcaktoi ndarjen midis dy mënyrave të kundërta të jetës: në njërën anë Perëndimi kapitalist, në anën tjetër Lindja komuniste. Në fjalimin e tij më 5 mars 1946, duke i bërë thirrje ShBA-së të shikonte përtej kufijve të saj dhe të kundërshtonte rikthimin në izolacionizëm, Churchilli vizatoi një vijë ndarëse metaforike përmes Evropës, nga kufiri i Gjermanisë me Poloninë veriperëndimore e deri te kufiri i Italisë me pjesën e Jugosllavisë që sot është Sllovenia. Kjo përshkroi një moment të pezulluar midis euforisë së pasluftës dhe ndjenjës shqetësuese se rreziqet e reja mund të shfaqeshin në të ardhmen.

Jo të gjithë e kuptuan, por Churchill kishte identifikuar se si po krijoheshin kushtet për Luftën e Ftohtë, një përballje midis dy superfuqive të reja, ShBA-së dhe BRSS-së, që për dekada do ta ndante botën në kampe ideologjike.

Churchill fliste thjesht si një qytetar privat, jo si udhëheqësi botëror që kishte drejtuar Mbretërinë e Bashkuar gjatë shumicës së viteve të luftës. Ndërsa fuqitë e mëdha ende po planifikonin se çfarë forme do të merrte bota e pasluftës, pas fitores, britanikët e larguan Churchillin nga pushteti në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1945. I dëshpëruar dhe i hutuar nga refuzimi, më pak se dy muaj pas festimeve të Ditës së Fitores në Evropë [VE Day], 71-vjeçari mendonte se çfarë do të bënte më pas. Por, ai tashmë kishte diçka në mendje.

- YouTube

Teksa fundi i luftës po afrohej, Churchill kishte vënë re se ushtritë sovjetike nuk po tërhiqeshin nga territoret që kishin pushtuar kur përparuan nëpër Evropën Lindore për të mposhtur Gjermaninë naziste. Regjime të mbështetura nga sovjetikët po shfaqeshin në këto vende të sapoçliruara dhe Moska po sinjalizonte ambicien për ta zgjeruar më tej ndikimin e saj. Megjithatë, pas një konflikti global kaq shkatërrues, pak vende, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, dëshironin të përballeshin me ish-aleatin e tyre të kohës së luftës dhe të rrezikonin një Luftë të Tretë Botërore. Churchilli nuk ishte dakord dhe madje shqyrtoi mundësinë e sulmit ndaj BRSS-së, ose Bashkimit Sovjetik. Ky plan sekret shpërthyes kishte emrin kod Operacioni i Papërfytyrueshëm [Unthinkable]. Këshilltarët ushtarakë britanikë shpejt e kuptuan se ishte jorealist - emri mund të ishte një tregues për këtë - dhe plani u braktis.

Duke mos qenë më kryeministër, fjalët e Churchillit ende kishin peshë në arenën ndërkombëtare. Në tetor 1945, një mundësi interesante erdhi nga një burim i papritur kur ai mori një ftesë të guximshme për të mbajtur një fjalim në Kolegjin e Uestminsterit, një institucion deri atëherë pak i njohur në qytetin e vogël të Fultonit, në shtetin amerikan Misuri. Në fund të letrës ishte shkruar mbështetja presidenciale: “Kjo është një shkollë e mrekullueshme në shtetin tim të lindjes. Shpresoj se mund ta bëni. Unë do t’ju prezantoj. Me përshëndetje, Harry Truman”.

Presidenti amerikan kishte llogaritur se si fjalimi i Churchillit mund t’i sillte përfitime edhe qeverisë së tij. Që nga ditët e para të saj, ShBA-ja është përballur me mënyrën se si të balancojë përparësitë e brendshme me ambiciet jashtë vendit. Me trupat që po ktheheshin në atdhe, shumë amerikanë po shikonin nga brenda dhe po përqendroheshin te rindërtimi. Megjithatë, disa ndiheshin të shqetësuar për kërcënimin e mundshëm sovjetik. Trumani mund ta përdorte fjalimin e Churchillit për të ndihmuar në matjen se ku qëndronte opinioni amerikan.

Formimi i “marrëdhënies speciale”

Churchilli e shfrytëzoi këtë mundësi dhe kaloi javë të tëra duke shkruar fjalimin, duke sqaruar mendimet e veta për botën e re që po dilte nga rrënojat e luftës. Ai udhëtoi nga Uashingtoni në Misuri me presidentin Truman, i cili e lexoi tekstin e tij në tren. Churchilli përshkroi në një letër drejtuar Clement Attleesë, pasuesit të tij si kryeministër, se si Trumani kishte dhënë miratimin: “Ai më tha se mendonte që ishte i admirueshëm dhe se nuk do të sillte gjë tjetër veçse të mira, edhe pse do të shkaktonte bujë. Ai dukej po aq i kënaqur gjatë dhe pas kësaj”.

Churchilli u prezantua nga Trumani si “ai qytetar i madh i botës”; një skenë u ngrit në këmbë në palestrën e kolegjit, i vetmi vend në kampus që ishte mjaftueshëm i madh për të pritur një ngjarje kaq të rëndësishme. Fjalimi u titullua Muskujt e Paqes [Sinews of Peace] - një variant i shprehjes së oratorit romak, Ciceron, për “muskujt e luftës”.

Në fjalim ai i bëri thirrje ShBA-së të luante rolin e saj në formësimin e paqes, ashtu siç e kishte formësuar luftën. Duke kërkuar mbrojtje “nga dy grabitqarët gjigantë, lufta dhe tirania”, ai tha se Kombet e Bashkuara, të sapokrijuara, nuk mund ta ruanin paqen si të vetme. “As parandalimi i sigurt i luftës, as ngritja e vazhdueshme e organizimit botëror nuk do të arrihen pa atë që unë e kam quajtur bashkim vëllazëror i popujve që flasin anglisht. Kjo do të thotë një marrëdhënie speciale midis Komonuelthit dhe Perandorisë Britanike dhe Shteteve të Bashkuara”.

Vetë Churchill ishte gjysmë-amerikan dhe besonte se siguria dhe prosperiteti i Britanisë vareshin nga lidhjet më të ngushta me ShBA-në. Shprehja e tij e re “marrëdhënie speciale” përdoret ende gjerësisht për të përshkruar lidhjet historike dhe kulturore të përbashkëta të këtyre vendeve, ndonëse vetë partneriteti shpesh doli të jetë një marrëdhënie e jashtme mjaft e vështirë.

Fraza më e famshme e fjalimit, “perdja e hekurt”, hyri në fjalorin politik ndërsa ai paralajmëronte se si “kryeqytetet dhe shtetet e lashta të Evropës qendrore dhe lindore” po binin nën ndikimin gjithnjë e më të fortë sovjetik. Këto shtete satelite sovjetike po bëheshin “qeveri policore”, paralajmëroi ai, me partitë komuniste që përpiqeshin të “merrnin kontroll totalitar”.

Teksa fjalimi i Churchillit e bëri të famshme këtë shprehje si një përshkrim të gjallë të ndarjes kapitaliste/komuniste, ajo nuk u shpik prej tij. Në fakt, ai e kishte përdorur disa herë edhe më parë. Historiani prof. David Reynolds, i tha BBC-së në programin Witness History: “Termi ‘perde e hekurt’ ishte përdorur për marrëdhënien midis Perëndimit dhe bolshevizmit që nga Revolucioni Bolshevik, dhe ai e kishte përdorur në Dhomën e Komunëve, por kjo është hera e parë në Fulton ku ai e ekspozon vërtet para botës në një moment kur bota po dëgjon”.

Më pak se një vit pas Ditës së Fitores në Evropë, Churchilli tha se paqja e fituar me shumë mund mbetej e brishtë. “Kjo sigurisht nuk është Evropa e çliruar për të cilën ne luftuam për ta ndërtuar, as nuk është ajo që përmban elementet thelbësore të paqes së përhershme”, tha ai. Siguria e botës “kërkon një unitet të ri në Evropë”, tha ai, ndërsa ishte vendimtare që demokracitë perëndimore t’u qëndronin përballë sovjetikëve. “Nga ajo që kam parë nga miqtë dhe aleatët tanë rusë gjatë luftës, jam i bindur se nuk ka asgjë që ata admirojnë aq shumë sa forcën dhe nuk ka asgjë për të cilën kanë më pak respekt sesa dobësia, veçanërisht dobësia ushtarake. Për këtë arsye, doktrina e vjetër e ekuilibrit të fuqisë është e gabuar”.

Churchilli ua kujtoi njerëzve se si ai kishte paralajmëruar në vitet ‘30 të shekullit XX kundër politikës së paqësimit ndaj Hitlerit dhe Gjermanisë naziste, por “askush nuk donte të dëgjonte dhe një nga një të gjithë u përfshimë në vorbullën e tmerrshme”. Ai shtoi se “sigurisht që nuk duhet ta lejojmë që kjo të ndodhë përsëri”. Teksa nuk besonte se BRSS-ja kërkonte konflikt tjetër, ai tha se sovjetikët donin “frytet e luftës dhe zgjerimin e pafund të fuqisë dhe të doktrinave të tyre”. Ai paralajmëroi se nëse demokracitë perëndimore nuk qëndronin së bashku në mbrojtje të Kartës së OKB-së, dokumenti themelues që përshkruan parimet kryesore të marrëdhënieve ndërkombëtare, “atëherë me të vërtetë katastrofa mund të na përmbysë të gjithëve”.

Gazetari veteran i BBC-së, Alistair Cooke, kujtoi 50 vjet më vonë në emisionin e tij javor afatgjatë, Letter from America, se sa e zbehtë kishte qenë pjesa më e madhe e reagimit publik në Perëndim ndaj paralajmërimit të Churchillit. “Vetëm 10 muaj pas dorëzimit të nazistëve, sigurisht nuk ishte koha të fillonim t’i paralajmëronim të gjithë për Bashkimin Sovjetik si një kërcënim”, tha ai. “Mendoj se shumica e njerëzve, në shumicën e vendeve të lira, ose psherëtinë ndaj fjalëve të Churchillit ose u zemëruan shumë”. Cooke tha se shumë vetë e shihnin Churchillin si “veten e tij të vjetër grindavec, nxitësin e luftës”, por “fatkeqësisht ne gabuam dhe plaku grindavec kishte përsëri të drejtë”.

Themelimi i NATO-s

Udhëheqësi sovjetik, Joseph Stalin, reagoi ndaj fjalimit të ish-aleatit të tij me zemërim, duke e krahasuar Churchillin me nazistët. Ai shkroi në Pravda, gazetën zyrtare komuniste: “Hitleri filloi të nxisë luftën duke shpallur teorinë e tij racore, duke deklaruar se vetëm njerëzit që flasin gjuhën gjermane përfaqësojnë një komb plotësisht të vlefshëm. Z. Churchill fillon gjithashtu të nxisë luftën me një teori racore, duke pohuar se vetëm kombet që flasin gjuhën angleze janë kombe plotësisht të vlefshme, të thirrura për të vendosur fatet e të gjithë botës”.

Për të qetësuar situatën, si qeveria amerikane ashtu edhe ajo britanike fillimisht u distancuan nga fjalimi i Churchillit. Por, një vit më vonë, presidenti Truman e angazhoi ShBA-në në rolin e mbrojtëses së demokracisë globale, duke u zotuar të frenonte zgjerimin e Bashkimit Sovjetik dhe përhapjen e komunizmit. Doktrina Truman, siç u bë e njohur, çoi në themelimin e NATO-s dhe më vonë në përfshirjen e ShBA-së në konfliktet në Kore dhe Vietnam.

Në fund, “perdja e hekurt” e përshkruar nga Churchilli do të bëhej pengesë fizike, si dhe metaforike, me ndërtimin e Murit të Berlinit në vitin 1961. Për 28 vjet, ai ndau jo vetëm familje dhe miq, por një vend të tërë. Pasi muri më në fund ra në vitin 1989, Kolegji i Uestminsterit u vizitua veçmas nga udhëheqësit e dy superfuqive: një vend simbolik i zgjedhur për të treguar se Lufta e Ftohtë kishte përfunduar. Në vitin 1990, presidenti amerikan Ronald Reagan shënoi përvjetorin e parë të shembjes së murit duke përuruar një skulpturë të realizuar nga mbesa e Churchillit, Edwina Sandys.

Kur ish-udhëheqësi i BRSS-së, Mikhail Gorbachev, e vizitoi dy vjet më vonë, ai gjithashtu ishte, si Churchilli, një qytetar privat pasi ishte larguar nga pushteti. Gorbachevi pranoi se fjalimi i Churchillit ishte interpretuar në Bashkimin Sovjetik si “shpallja formale e Luftës së Ftohtë”. Ai vuri në dukje se sa shumë kishte ndryshuar bota që nga ajo kohë. “Në qendrat kryesore të politikës botërore, duket se zgjedhja sot është bërë në favor të paqes, bashkëpunimit, ndërveprimit dhe sigurisë së përbashkët”, tha ai. Ndryshe nga fjalimi parashikues i Churchillit, fjalët e Gorbachevit nuk kanë jehuar ndër vite. /Telegrafi/