E mërkura sjell emocione të forta në futbollin e Maqedonisë së Veriut, me zhvillimin e ndeshjeve të para gjysmëfinale të Kupës, njofton Telegrafi. Vëmendja do të jetë e përqendruar në Tetovë, ku Shkëndija pret kampionët në fuqi, Struga Trim & Lum, në një përballje që premton spektakël.

Kuqezinjtë e Tetovës hyjnë në këtë sfidë me moral të lartë, pas dy fitoreve radhazi në kampionat ndaj AP Brerës dhe Tikveshit. Në anën tjetër, edhe Struga vjen pas triumfit të rëndësishëm ndaj Pelisterit, ndonëse pozita në tabelë nuk është aspak e favorshme për ta.


Për këtë ndeshje, trajneri i Shkëndijës Jeton Beqiri nuk do të mund të llogarisë në mbrojtësin Mevlan Adili, i cili është i pezulluar pas kartonit të kuq të marrë në sfidën e fundit kampionale. Ndërkohë, mesfushori Kamer Qaka vazhdon të jetë jashtë fushës për shkak të lëndimit.

Ndryshe për Strugën ky duel ka peshë të veçantë. Të eliminuar praktikisht nga gara për titull dhe jashtë zonës që garanton pjesëmarrjen në garat evropiane, Kupa mbetet shansi i vetëm për një biletë drejt Evropës. Prandaj pritet që skuadra struganët të japin maksimumin në këtë sfidë.

Ndeshja mes Shkëndijës dhe Strugës zhvillohet nesër (e mërkurë) në stadiumin e qytetit në Tetovë, me fillim nga ora 16:00, ku do të mungojnë tifozët duke e ditur se kuqezinjtë janë të dënuar pesë ndeshje të luajnë pa praninë e tyre. Në të njëjtën orë, në Shkup, do të përballen edhe Vardari dhe AP Brera në gjysmëfinalen tjetër të Kupës. /Telegrafi/

telegrafi sport app