Fillon sezoni i ngrohjes në Prishtinë, Termokos nis furnizimin më herët se çdo vit tjetër

Ndërmarrja Publike “Termokos” ka njoftuar se ka filluar zyrtarisht sezonin e ngrohjes 2025/2026, tetë ditë më herët se afati i zakonshëm, si reagim ndaj uljes së temperaturave dhe përkeqësimit të motit.
Nga ndërmarrja kanë bërë të ditur se ky është rasti i parë në historinë e “Termokos”-it që furnizimi me energji termike nis para afatit të përcaktuar, duke u zhvilluar në koordinim të ngushtë me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe në përputhje me rregulloret e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), përcjell Telegrafi.
Sezoni i ri shënon gjithashtu edhe dhjetëvjetorin e bashkëpunimit të suksesshëm mes “Termokos” dhe KEK-ut, partneritet përmes të cilit sigurohet furnizim i qëndrueshëm dhe cilësor për mbi 25 mijë konsumatorë në kryeqytet.
Nga kompania theksojnë se sistemi i ngrohjes është kompleks dhe procesi i fillimit të operimit do të zhvillohet me kujdes, duke u bërë gradualisht ngritja e kapaciteteve të pranimit dhe shpërndarjes së energjisë termike.
“Termokos” kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve, pasi mund të duhen disa orë derisa ngrohja të shpërndahet plotësisht në të gjitha objektet e lidhura me sistemin qendror të ngrohjes. /Telegrafi/

















































