E plotësuar: Kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi raportoi për të arriturat dhe gjetjet e reja lidhur me Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi para Komisionit për Punë të Jashtme dhe Investime Strategjike.

Ai tha se Komisioni ka arritur ta hartoj një raport të cilën e quan preliminar, pasi sipas tij nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për gjetje dhe fakte të tjera.


“Jemi fokusu që të bëjmë analizën e dokumentacionit të punës siç është puna në terren dhe vizitat që i  kemi realizuar,  hulumtimet e hartografisë si në vend dhe jashtë saj”, ka thënë ai.

Bulliqi po ashtu theksoi se dokumentacioni i cili iu është ofruar ka pas shumë parregullsi.

“Ish komisioni në takimet e para me Malin e Zi ka ofruar dy variante të vijës kufitare, ku edhe me variantin e parë dhe të dytin Kosova humb territor”, tha ndër të tjera Bulliqi.

Kryesuesi Bulliqi, u shpreh gjithashtu se Komision për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi është  mbështetur në kontrollin efektiv të vijës kufitare.

“Ne si komisioni jemi mbështetur në kontrollin efektiv pra se kush ka menaxhuar me atë territor. Kemi ardhur në përfundim që shumë objekte infrastrukturore për periudha të ndryshme kohore në atë territor që sot është diskutabil e ka menaxhuar Kosova. Kosova e ka menaxhuar rrugën, ka shtruar asfaltin, ka mirëmbajt atë deri në datën 12.01.2009. Me një shkresë zyrtare nga ana e Policisë së Kosovës ku Mali i Zi ka kërkuar që mos të shkohet dhe të mirëmbahet ajo rrugë”, theksoi ai, duke shtuar se vija administrative e krahinës socialiste autonome të Kosovës nuk është identike me vijën kufitare që e ka prodhuar Komisioni i kaluar shtetëror./Telegrafi/

Fillon mbledhja e Komisionit, shqyrtohet Projektligji për demarkacionin

Ka filluar mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, ndërsa pikë e rendit të ditës është shqyrtimi i Projektligjit nr. 06/L-028 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Të pranishëm në këtë mbledhje janë edhe anëtarët e Komisionit për shënjimin e kufirit shtetëror, i udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi.

Komisioni është takuar edhe më 20 dhjetor për çështjen e njëjtë.