Fibrat dietike - si ndikojnë në shëndetin tonë, ku t'i gjeni dhe gjithçka tjetër që duhet të dini për to!
Fibrat dietike janë pjesë të bimëve që nuk treten dhe absorbohen nga organizmi i njeriut në zorrën e hollë, mirëpo kalojnë në zorrën e trashë, kur zbërthehen prej bakterieve.
Janë nutrientë esencial për shëndetin e aparatit tretës, mirëpo konsumimi i fibrave lidhet edhe me rrezik më të ulët për sëmundjen e sheqerit(diabetin), sëmundjet e zemrës dhe divertikulitin (apo inflamimin e zorrëve).
Ka dy lloje të fibrave:
Fibrat e tretshme - treten në ujë dhe zbërthehen pjesërisht nga bakteriet në zorrën e trashë. Meqë treten në ujë, formojnë substancë gjelatinoze, gjë që e ngadalëson tretjen. Njihen gjithashtu si fibrat e fermentueshme dhe gjenden në fruta, perime, arra, farra, fasule, thjerrëza dhe në fibrën (lëvozhgën) psyllium.
Fibrat e patretshme - nuk treten në ujë dhe nuk zbërthehen(apo zbërthehen dobët) nga bakteriet në zorrën e trashë, duke ndihmuar lëvizjen e ushqimit nëpër aparatin tretës dhe duke shtuar masë në jashtëqitje. Gjenden në grurë, bukë të zezë, oriz të kaftë, bimë bishtajore dhe perime.
Përparësitë shëndetësore të fibrave:
Fibrat dhe konstipacioni : Konsumimi i fibrave, sidomos atyre të patretshme ndihmon me problemin e konstipacionit apo kapsllëkut, duke rritur masën dhe zbutur jashtëqitjen, me ç'rast stimulohen muskujt e zorrëve dhe e bëjnë procesin e eliminimit shumë më të lehtë. Ushqimet që veçanërisht ndihmojnë për konstipacion janë krundet e tërshërës, gruri, mielli i grurit(integral), bimët bishtajore, oriz i kaftë, pastat integrale, spelt. Lëvozhga psyllium gjithashtu është një laksativ natyral, dhe përdoret si suplement për zëvendësimin e fibrave për parandalimin e konstipaconit.
Fibrat dhe sëmundjet divertikulare: Kur në zorrën e trashë krijohet presion si shkak i konstipacionit, mund të formohen 'qeska' në zorrë, një gjendje që quhet divertikulozë. Me kohë, mbetjet e ushqimit mund të mbledhen në qeska dhe të shkaktojnë inflamim të zorrës, gjë që mund të shkaktojë dhimbje ose komplikime tjera. Konsumimi i mjaftueshëm i fibrave dietikë ul rrezikun e paraqitjes së sëmundjeve divertikulare për 40%.
Fibrat dhe diabeti Fibrat e ngadalësojnë absorbimin e sheqerit në gjak, dhe janë tejet të rëndësishme për menaxhimin e diabetit. Meqë fibrat ngadalësojnë tretjen dhe absorbimin , mbajnë ngopur për një kohë më të gjatë, pra ndihmojnë në menaxhimin e apetitit dhe parandalimin e mbipeshës, faktor rreziku shumë i madh për paraqitjen e diabetit. Në këtë rast, kuinoa, amaranti, fasulet, thjerrëzat, meli, bollguri, arrat dhe farat e ndryshme ndihmojnë shumë.
Drithërat integrale - tërshëra dhe krundet e tërshërës, drithërat e mëngjesit integrale, mielli, orizi, buka dhe pastat integrale(të zeza).
Fasulet dhe thjerrëzat- fasulet e bardha, kuqe, zeza, thjerrëzat jeshile dhe të kuqe.
Farat: farat e lirit, farat chia, farat e zeza
Bimët arrore: Bademat, lajthitë, buteri i kikirikave apo bademave
Perimet: bizelet, bishtajat, karrota, misri dhe brokoli.
Frutat: Dardha, molla, mjedrat, manaferrat, kumbullat e freskëta dhe të thata, banane dhe portokall.

































