Do të kërkohet përgjegjësi ligjore dhe institucionale nga Ministri i Drejtësisë nëse institucionet kompetente konstatojnë shkelje të ligjit lidhur me moslejimin e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, tha zv. kryeministri Arben Fetai nëpërmjet një postimi në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se, në kuadër të procedurave qeveritare dhe institucionale, Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve dhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve janë duke shqyrtuar nëse Ministria e Drejtësisë ka vepruar në kundërshtim me ligjin.


"Refuzimi i Ministrisë së Drejtësisë për të lejuar zhvillimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe përbën një vendim arbitrar, juridikisht të pambështetur dhe institucionalisht të rrezikshëm.

Pavarësisht mangësive që mund të ketë, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është ligj në fuqi dhe obligues, duke nënvizuar se asnjë institucion nuk ka të drejtë ta zbatojë apo ta injorojë ligjin sipas vullnetit të vet", tha Fetai.

Zv. kryeministri ka sqaruar se Ligji për provimin e jurisprudencës nuk përmban asnjë ndalim që provimi të zhvillohet në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si fakt juridik dhe jo interpretim politik.

“Pretendimi se provimi duhet të jetë vetëm në gjuhën maqedonase nuk mbështetet në asnjë nen konkret ligjor”, ka deklaruar Fetai./Telegrafi/