LAJMI I FUNDIT:

Fetahu i PDK-së: Me fitoren në Podujevë, prioritet do të jetë zhvillimi ekonomik

Fetahu i PDK-së: Me fitoren në Podujevë, prioritet do të jetë zhvillimi ekonomik

Të dielën Podujeva shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës, për shkak të dorëheqjes së Agim Veliut.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Naim Fetahu, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini thotë se prioritet kryesor i tij dhe PDK-së në drejtimin e Komunës së Podujevës do të jenë çështjet ekonomike.


“Problemi kryesor te na është papunësia e të rinjve. Nga komuna jonë kanë ikur bizneset për mos mbështetje institucionale. Do të përpiqem që me çdo kusht të bëj zonën ekonomike e që e kanë komuna shumë të vogla se Podujeva”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Fetahu thotë se do të kthejë bizneset e larguara nga Podujeva duke rritur numrin e punësimeve.

“Do të hap një zyre për mbështetjen e bizneseve. Ato do të trajtohen si partnerë dhe çdo projekt të mirëfilltë për Llapin do ta bëjë bashkë me ta”.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës thotë se me të në krye të komunës kualiteti i shërbimeve shëndetësore do të jetë shumë më i lartë se deri më tani.

“Do të punoj të ngrisë edhe cilësinë e arsimit, pasi komuna jonë ka mbetur mbrapa në cilësinë e arsimit si pasoje e drejtimit të Drejtorisë së Arsimit nga dy kundër kandidatët e mi prej 20 vitesh…Mësimi mbahet në tri ndërrime ndërsa gati gjysma e mësimdhënësve nuk kanë normë të plotë”, tha ndër të tjera Naim Fetahu./Telegrafi/