“Festa e Abetares” bashkon shkollat nga trevat shqiptare në Prizren

Me pjesëmarrjen e shkollave nga trevat shqiptare, në Prizren është realizuar “Festa e Abetares”, duke kremtuar përvetësimin e shkronjave nga nxënësit e klasave të para.
Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit kjo kremte ka krijuar një atmosferë të veçantë uniteti dhe krenarie kombëtare.
“Në Qendrën Sportive “Sezai Surroi” në Prizren sot u mbajt “Festa e Abetares”, një festë gjithëkombëtare që mblodhi së bashku shkolla nga të gjitha trevat shqiptare, duke krijuar një atmosferë të veçantë uniteti dhe krenarie kombëtare”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Aty theksohet se nxënësit përmes këngëve, valleve, recitimeve dhe punimeve artistike, “sollën trashëgiminë kulturore dhe shpirtin shqiptar nga çdo cep i trojeve tona”.
Në të njëjtën kohë është vlerësuar se ky manifestim ka dëshmuar edhe njëherë dashurinë për gjuhën e kulturën shqipe.
“Kjo festë e rëndësishme jo vetëm që forcon lidhjet mes shkollave, por shërben si dëshmi e dashurisë për gjuhën, kulturën dhe historinë tonë të përbashkët”, përfundon njoftimi i Komunës së Prizrenit. /Telegrafi/





















































