Ferdinand i bindur për yllin e Barcelonës: Është lojtari më i mirë në botë për momentin
Rio Ferdinand e ka cilësuar Lamine Yamal si lojtarin më të mirë në botë aktualisht.
Legjenda e Manchester United ka lavdëruar anësorin e Barcelonës për inteligjencën, pjekurinë dhe talentin e tij të jashtëzakonshëm në moshën vetëm 17-vjeçare.
“Tani për tani, lojtari më i mirë në botë është Lamine Yamal. E dua absolutisht këtë djalë. Është sikur po luan një futboll tjetër nga të gjithë”, tha Ferdinand.
Ai theksoi se Yamal luan me maturinë e një veterani. “Është sikur ka mendjen e një 28-vjeçari. Vendimmarrja e tij në momentet kyçe është e pabesueshme për një 17-vjeçar,” u shpreh ish-mbrojtësi anglez.
Ferdinand kujtoi një moment të veçantë gjatë ndeshjes kundër Interit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
“E ndoqa nga afër për 45 minuta dhe ishte një nga paraqitjet më mbresëlënëse që kam parë prej vitesh,” tha ai.
Krahasimet me Messin dhe Ronaldon nuk munguan, por Ferdinand ishte i prerë: “Ata nuk bënin këtë në moshën e tij. Ai po krijon historinë e tij. Ajo që po bën Lamine, nuk e kam parë kurrë më parë në këtë moshë”.
I pyetur nëse Yamal i ngjan më shumë Messit apo Ronaldos, ai u përgjigj: “Nuk është si asnjëri. Ai është Lamine Yamal. Ai nuk ka vetëm ritëm, por krijon ritmin e lojës. Kontrollon tempin si një dirigjent”.
Së fundi, Ferdinand vlerësoi altruizmin dhe ekuilibrin e tij në fushë. “Yamal nuk e ka obsesion golin si shumica e të rinjve. Nëse një shok është më mirë, ai pason. Nëse është momenti për të gjuajtur, ai shënon. Ky është një ekuilibër i rrallë. Ai është një artist me këmbën e majtë, një kënaqësi për t’u parë”, përfundoi legjenda angleze. /Telegrafi































