Federico Valverde shpërthen para ndeshjes në Ligën e Kampionëve: Nuk kam refuzuar kurrë, pyesni trajnerin

Federico Valverde, mesfushori i Real Madridit, ka folur për mediat në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Kairat, duke komentuar gatishmërinë për të luajtur në çdo pozicion që kërkon trajneri, pritjen emocionuese në Kazakistan dhe nevojën për të reaguar pas humbjes në derbi.
Valverde u shpreh i prerë për diskutimet rreth përdorimit të tij si mbrojtës i djathtë, duke theksuar se ai kurrë nuk ka refuzuar të luajë në ndonjë pozicion dhe është gjithmonë i gatshëm të japë maksimumin për ekipin.
“Nëse e them këtë, disa mund të mendojnë se po gënjej. Pyesni trajnerin, gjithmonë kam thënë që jam në dispozicion të ekipit. Nuk kam refuzuar kurrë të luaj në asnjë pozicion, jap maksimumin kudo që luaj. Me Ancelottin, me Zidanen, dhe me Xabin, gjithmonë kam qenë transparent për mendimet e mia. Kushdo që luan duhet ta përqafojë atë mundësi si të ishte e fundit. Luajtja për Real Madrid është privilegj, kjo është e qartë. Mund ta pyesni trajnerin apo shokët e skuadrës, gjithmonë jam këtu për ekipin”, ka thënë fillimisht Valverde.

Ai komentoi edhe përvojën e parë në Kazakistan, ku Real Madridi është pritur me entuziazëm nga tifozët vendas, edhe pse në orët e vona të natës.
“Te Madrid këto gjëra janë të zakonshme, por për mua ishte hera e parë që vij në këtë vend. Ishte çmenduri, vonë në mbrëmje, dhe megjithatë kishte aq shumë njerëz që na prisnin në aeroport. Është një ndjenjë krenarie. Duhet ta vlerësosh këtë. Janë këto momente që ta kujtojnë se çfarë dhurate është futbolli. Është një nder të luajmë këtu. Do të japim gjithçka për të fituar edhe për ata njerëz”.

Në fund, Valverde ndaloi te humbja e fundit në derbin ndaj Atletico Madrid, duke e cilësuar si një situatë që nuk duhet të përsëritet dhe duke vënë theksin te qëndrimi dhe përgjegjësia që ka një lider brenda skuadrës.
“Në ndeshje të tilla nuk ka nevojë të bërtasësh në zhveshtore për të motivuar lojtarët. Nuk duhet të ndodhin gjëra të tilla, as te Madrid e as diku tjetër. Duhet të jesh i motivuar në çdo ndeshje, sidomos në një derbi. Gabimet mund të ndodhin në shumë aspekte, por qëndrimi nuk negociohet. Është gjëja e parë që tregon se e dëshiron fitoren. Në minutat e para të pjesës së dytë dolëm në fushë sikur barazimi do të mjaftonte. Kjo duhet të ndryshojë, duke nisur nga ndeshja e radhës. Si një nga liderët e skuadrës, duhet ta kalojmë këtë moment dhe ta shohim si një mundësi për të ecur përpara”, përfundoi Valverde. /Telegrafi/


















































