LAJMI I FUNDIT:

FDA miraton ilaçin e ri kundër dhimbjeve, alternativë ndaj opioideve

FDA miraton ilaçin e ri kundër dhimbjeve, alternativë ndaj opioideve

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar një ilaç të ri kundër dhimbjeve, suzetrigine (Journavx), i cili ofron një alternativë jo-opioide për trajtimin e dhimbjeve akute tek të rriturit

Pas njoftimit, aksionet e Vertex Pharmaceuticals (Nasdaq: VRTX) u rritën me 8.4%, duke arritur në 475 dollarë në tregtimin pas orarit.

Ky është një ilaç efektiv, pa rrezik varësie, i përshtatshëm për trajtimin e të gjitha llojeve të dhimbjeve akute.


Journavx, i zhvilluar nga kompania Vertex Pharmaceuticals, funksionon duke bllokuar sinjalet e dhimbjes para se ato të arrijnë në tru, duke ofruar një lehtësim efektiv pa rrezikun e varësisë nga opioidët.

FDA e quajti këtë miratim “një moment historik i rëndësishëm në menaxhimin e dhimbjes akute”, pasi provat klinike kanë treguar se ilaçi redukton ndjeshëm dhimbjen pas operacioneve.

Ndërsa ofron një alternativë të shumëpritur për opioidet dhe qetësuesit e dhimbjeve pa recetë si ibuprofeni, hulumtimi sugjeron se efektiviteti i tij është modest në krahasim me trajtimet standarde të opioideve.

SHBA ka vite që po përballet me krizën e varësisë ndaj opioideve, me mbi 82,000 vdekje nga mbidoza e shkaktuar nga këto substanca vetëm në vitin 2022, sipas CDC. Kjo krizë është cilësuar si një “turp kombëtar” nga Presidenti Trump në vitin 2017, i cili në mandatin e tij të dytë ka premtuar masa të ashpra ndaj importeve të fentanilit nga Kanadaja, Meksika dhe Kina.

Opioidet funksionojnë duke bllokuar sinjalet e dhimbjes në tru, por gjithashtu shkaktojnë ndjenja euforie, duke çuar në varësi të lartë.

Sipas Vertex, gati 10% e pacientëve që trajtohen fillimisht me opioide për dhimbje akute vazhdojnë me përdorim afatgjatë. Në kontrast, Journavx ofron një qasje të re, duke vepruar ndryshe nga opioidet dhe duke u bërë ilaçi i parë në këtë kategori të re të miratuar në mbi 20 vjet.

Shefja ekzekutive e Vertex, Reshma Kewalramani, e quajti këtë miratim një “moment historik” për rreth 80 milionë amerikanë që trajtohen çdo vit për dhimbje akute të moderuar deri në të forta.

Çmimi i ilaçit do të jetë 15,50 dollarë për kapsulë, ndërsa siguria dhe efektiviteti i tij tek fëmijët ende nuk janë konfirmuar. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Si mund të parandalojmë alergjitë nga dielli?

Si mund të parandalojmë alergjitë nga dielli?

Shëndetësi
Kalo në kategori