FC Liqeni nga Drenasi është fitues i Kupës së Kosovës në futsall.

Në ndeshjen finale të kësaj gare, klubi i themeluar vetëm para dy vitesh, ka arritur ta mposhtë klubin gjakovar, FC Liburni, me rezultat 5-3, pas vazhdimeve dy herë nga 5 minuta, ngase ndeshja në kohën e rregullt u mbyll baras 3-3.


Kjo finale dhuroi lojë shumë të fortë dhe cilësore, por fatkeqësisht për shkak të situatës me pandeminë u zhvillua pa praninë e tifozëve në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet.

165251476 494299468620513 3277183440077478112 n

Të pranishëm ishin vetëm drejtuesit e FFK-së si dhe zyrtarë të dyja klubeve.

Më meritorët për suksesin e Liqenit ishin treshja kolumbiane: Yulian Diaz, Stiven Abril dhe Kamilo Sanchez.

Ndeshja nisi mirë për Liburnin që kaloi në epërsi në minutën e dytë me golin e Halim Selmanajt, por dy minuta më pas shifrat i barazoi Stiven Abril.

Në vazhdim të pjesës së parë loja ishte krejtësisht e baraspeshuar. Pjesa e dytë nisi më mirë për skuadrën drenicase, e cila arriti që të krijojë epërsi prej dy golash nëpërmjet Kamilo Sanchez dhe Stiven Abril.

173769488 509499730433820 6869765535441003067 n

Më pas ishte Liburni që dominoi lojën dhe ishte në kërkim të barazimit, gjë të cilën edhe e arriti.

Fillimisht diferencën e ngushtoi Ermir Kryeziu, derisa 8 sekonda para mbyllje së takimit Halim Selmanaj barazoi rezultatin në 3-3, për ta çuar ndeshjen në vazhdime, e ku Liqeni u tregua më i suksesshëm.

Yulian Diaz shënoi për 4-3 në minutën e 45-të, derisa fitoren e Liqenit e vulosi Granit Humaj, dy minuta më vonë nga 10-metërshi.

liqenikupa1

Në fund, trofeun kapitenit të Liqenit, Dardan Topilla ia dorëzoi presidenti i FFK-së, Agim Ademi, derisa medaljet për Liqenin dhe Liburnin i ndanë sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, kryetari i Komisionit për futsall, Haki Xhemajli dhe koordinatori Arben Zhjeqi. Medaljet për gjyqtarët dhe zyrtarët e ndeshjes i ndau Komisari i Garave, Hysni Gjinovci.

telegrafi sport app