LAJMI I FUNDIT:

Fahredin Shehu, mjeshtër i penës dhe poet i shpirtit!

Fahredin Shehu, mjeshtër i penës dhe poet i shpirtit!
-->

Krijuesi relativisht i ri, por shumë i ‘moshuar’ me veprat e tij, Fahredin Shehu, që në rini ka kuptuar se akti krijues për të është çlodhje. Muza e tij krijuese merr hov, sepse sikur dikush i thotë, shkruaj se je mjeshtër i penës dhe poet i shpirtit. Adhuron mendimin, sepse vetëm ai është i vërtetë dhe i përjetshëm…

Shehu nuk dëshiron ta mbyllë të bukur një varg, por dëshiron që artit t’i japë krahë, që të fluturoj sa më lartë dhe sa më larg.

Shehu ka guxim të merret edhe me tema tabu, sikurse është jeta, vdekja dhe pasvdekja. Ai, për të gjitha këto fenomene, ka përgjigje poetike dhe filozofike, madje duke e zbërthyer edhe atë që quhet mistike.

Që të njiheni me krijimtarinë e Fahredin Shehut, në zhvillim një bisedë enkas për portalin tonë, prandaj ndiqeni.

Keni lindur në një qytet karakteristik periferik sikurse është Rahoveci, ku e keni marrë për herë të parë muzën krijuese. A do të thotë kjo se arti nuk njeh hapësirë gjeografike?

Çështja e periferisë në Art është krejtësisht e diskutueshme. Ndoshta edhe është pikërisht periferia, e cila e ushqen një krijues dhe e ndërton atë me elementet e pastërta të natyrës, me sfidat e jetës dhe karakteret njerëzore nga më të ndryshmet. Padyshim që Arti nuk njeh hapësirë gjeografike në aspektin e krijimtarisë dhe vendit ku ai krijohet, ndërkaq atij i duhet qendra për plasimin e tij.

Rahoveci është një hapësirë e lashtë gjeografike të cilën pak kush e njeh në Kosovë. Lirisht mund të them së është një subkulturë e cila me shekuj është ndërtuar që nga antikiteti. Kujtoj se kalon edhe Via Ignatia e cila të çon deri në Vicianum. Pastaj Kalaja e Dumanit e cila është identike me kalanë e Shkodrës e që i takon periudhës iliroromake. Nga kjo trevë ka pas shkrimtar si Shejh Sylejman Baba, Hilmi Maliqi për, të cilin ka shkruar Mark Krasniqi dhe poezitë e tij janë përkthyer në Italisht nga Giacomo Scotti, Shaip Zurnaxhiu, Sabahudin Cena, Agim Metbala, etj.

Hapat e parë i keni bërë qysh herët dhe me krijimtarinë tuaj keni dëshmuar se letërsisë shqipe po i shtohet një penë krijuese tepër e veçantë dhe intriguese. Madje, nuk gabojmë nëse themi se, pena juaj është edhe rebeluese.

Qysh në fillim unë kam përcjell vetëm impulsion tim kreativ dhe nuk jam marrë me forma dhe modele veç të etabluara të krijimtarisë. Krejt çka bëj është se e huazoj forcën e natyrës me gjithçkanë e saj dhe këtë e kaloj nëpër shpirtninë time sikur kalon rrezja nëpër prizëm. Sigurisht, pena ime është e drejtpërdrejtë por jo agresive, është rebeluese në kontekstin e garës për ta tejkaluar vetveten.

Zaten, me atë që kemi lexuar deri tash, juve është vështirë t’ua vëmë një epitet të saktë. Ndoshta është mirë që vet ju të na tregoni se në cilin zhanër krijues keni dëshirë t’ju vendosim.

Është ndjesi e veçantë kur një krijues tenton të shfaq në mënyrën e vet dhe origjinale talentin e tij/ saj në mënyrën, e cila më parë mund të ketë vetëm shëmbëllim dhe assesi përcjellje të ndonjë kursi paraprak, respektivisht rruge të cilën dikush tjetër e ka trasuar. Kur njeriu posedon disa talente dhe ato i shfrytëzon më së miri dhe në mënyrën më origjinale e thur në një pano kreative dhe varësisht nga cytja unë herë jam poet e herë shkrimtar, herë piktor e herë grafist, por në të gjithat, Poetika është ajo, e cila përbën bazën dhe elementin fondamental në secilin manifestim artistik. Këtu i shtojmë edhe njohuri shkencore si natyrore po ashtu edhe humane dhe kjo domosdoshmërisht krijon një Meta- Poetikë.

Ju, Z. Shehu, jeni adhurues i misticizmit dhe aplikoni kaligrafinë si formë e rrallë dhe fare pak e lëvruar tek ne. A mund të na zbërtheni pak nëse ekziston ndonjë qasje bashkëkohore e këtij refleksioni të shpirtit tonë.

Nisur nga pika dhe kur ajo vazhdon lëvizjen e saj, ajo krijon formë dhe vibrim, andaj kaligrafia shumë më shumë se sa një art i bukurshkrimit. Kemi të bëjmë me përcjelljen e komandës shpirtërore në atë organike dhe format të cilat shfaqen gjatë një akti të kaligrafisë, janë refleks i mistereve shpirtërore, të cilat nëpërmjet talentit përbëjnë fenomenologjinë e, fillimisht germës si kod pastaj edhe fjalës si vibrim, i cili depërton nëpërmjet valëve zanore deri në veshin dhe zemrën e receptuesit apo nëpërmjet vizionit në drejtim të syrit në po atë drejtim.

Deri në shekullin XX Misticizmi si koncept ka mund të ekzistojë i mëvetësishëm, tani me përparimet shkencore në zbulimet dhe zbulesat e Fizikës kuantike, Misticizmi shndërrohet në fizikë kuantike sepse teknika dhe teknologjia bashkëkohore duke eksperimentuar me fenomenet metafizike dhe ato mistike për të cilat vet të caktuarit nuk ia kanë pasur idenë, ndihmon që të kuptohen këto fenomene të cilat deri vonë janë konsideruar si mister. Prandaj, çdo herë Misticizmi është keqkuptuar dhe keqinterpretuar. Është gati njëlloj edhe sot, jo shumë njerëz e kuptojnë rëndësinë dhe domethënien e zbulimeve shkencore në Inteligjencën artificiale, nanoteknologji dhe fizikën kuantike. Çka bëjmë kur pas një apo dy shekujsh nevoja e njeriut do të rritet the nanoteknologjia do të behët e pamjaftueshme dhe do të frikësohemi se po na sosen numrat dhe do t’i kthehemi Kuadrilionit, Sekstilionit, Tredecilionit, Googolit e deri te Googolpleksit që i mori vëllime të tëra Wolfgang H. Nitsche për t’i renditur të gjitha zerot.

Juve mund t’ju quajmë poet dhe studiues te shpirtit krijues dhe trashëgimisë shpirtërore botërore. Ne perceptimin tuaj, a ekziston ndonjë definicion i sakte i këtyre teoremave?

Kërkimi. Ky mund të ishte i vetmi definicion për etjen për dituri dhe shfaqjen e së akumuluarës, respektivisht dhurimit të saj nëpërmjet Poezisë apo ndonjë akti tjetër kreativ. Zaten e gjithë rruga artistike e krijuesit në fakt është kërkim shpirtëror dhe realizimi i tij nëpërmjet kërkimit dhe kjo rrugë reflektohet në krijimtari.

Në shkrimet tuaja zë vend estetika, sakralja dhe transcendentalia. Çka janë këto forma shkrimore, sa te vjetra, poaq edhe te reja?

Këto janë kategori epistemologjike për të cilat unë nuk çajë kokën nga e kanë burimin, qoftë nga lindja apo nga perëndimi. Për mua Planeti është sferë dhe nuk ka pika Lindore dhe Perëndimore. Ne Greqinë antike kanë teoretizuar për Estetikën pastaj ka pas një ngecje deri te futja e estetikës si disiplinë e filozofisë. Në Lindje shumë më herët është teoretizuar, por ne nuk e kemi ditur dhe tash në dukje mund të shihet se ka ngecje. Shih si ka fluks në zhvillimin e qytetërimeve dhe gjeniu njerëzor i ka amplitudat e ngritjes dhe rënies deri te epoka, të cilën e anticipon Yuval Noa Hariri kur do të kemi Homo Deus, kur njeriu do të krijoj në pamjen e vet më të bukur diçka që nuk ka ekzistuar më pare si AI për shembull në rrafshin inorganik si dhe prodhimin e organeve dhe Inxhineringu gjenetik në rrafshin organik.

Nuk gabojmë nëse themi se jeni një krijues poliendrik, ku në vokabularin tënd zë vend poezia, arti pamor, kritika, madje edhe politika, feja e arroganca. Dhe, si për çudi, për të gjitha këto kategori, i keni përgjigjet, aty për aty.

Çdo herë më ka fascinuar shkenca, jeta, qeliza, atomi, molekula, këto që e ndërtojnë jetën. Jeta Vdekja, Psikologjia personale, Antropologjia, Uji në veçanti. Dielli. Të gjitha këto zënë vend të themelor në Poetikën time, këto mbase e ndërtojnë atë. Arroganca në artikulimin e së vërtetës, por si rrezja që mund të duket arrogante e të na verboj.

Feja, mirë e keni potencuar, jo Religjioni, por Besimi dhe Shpirtnia, përvoja ime sakrale jo përvoja e huaj si rrugë e trasuar nga një prijës i antikës, të cilët gjithsesi i konsideroj mësues të jashtëzakonshëm të epokave të caktuara të zhvillimit të vetëdijes kolektive njerëzore. Feja, besimi, besimi në mrekullinë e jetës si fenomen më i jashtëzakonshëm, sepse është proces derisa vdekja është e çastit dhe nuk ka mrekulli në vete.

Unë flas më shumë për shpirtninë, për rafinimin shpirtëror, moralin dhe drejtësinë, për Hakun si kishte me thënë populli ynë.

Tashmë, prapa vetes keni një bagazh të pasur letrar. Ndonëse numrat nuk thonë shumë, megjithatë në këtë moshë, të kesh kaq shumë tituj, nuk është pak…

Nuk e di, mua më duket se gjithmonë është pak, shumë pak madje, edhe dita më duket e shkurtër për të kryer të gjithat që dua t’i realizoj në krijimtari. Shpesh poetikisht jam shprehur se dua ta huazoj çastin, orën e 25 të ditës. Mund të jap më shumë për këtë jam i bindur, mund ta huazoj çastin dhe të futem në orën e 25 të ditës për të krijuar gjëra të bukura, për ta interpretuar të vërtetën shkencore në trajtën artistike, për të krijuar meta-poezi, për ta emancipuar Artin në Teurgji.

Keni përpiluar Antologjinë e poezisë bashkëkohore që krijohet në Kosovë, në gjuhën turke, kurse keni hulumtuar edhe krijimtarinë e largët të popujve të ndryshëm. Ku qëndron poezia jonë karshi letërsive të këtyre vendeve me një traditë mijëvjeçare, që nga Rumi e këndej?

Kam përpiluar Antologjinë jo të përkryer të letërsisë bashkëkohore shqipe, nuk është leksikon që të obligohem t’i përfshijë të gjithë, por si çdo antologji edhe kjo ishte subjektive dhe ndërtohet në bazë të referencave të njerëzve. Po ashtu kam përpiluar edhe antologjinë e letërsisë bashkëkohore të Evropës Juglindore që është botuar kohë më parë në SHBA.

Marrë për bazë të gjitha këto dhe faktin që jam themelues i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec, çdo ditë pranoj shumë poezi dhe e kam këtë mundësi dhe privilegj të jem në rrjedha botërore dhe të kuptoj se çfarë krijohet në botë, dhe e them me shumë kompetencë se ne nuk çalojmë shumë në poezi dhe jemi në hapa të duhur krahpërkrah botës.

Poezia/ Letërsia me fokus në shpirtëroren si entitet kreativ global prej Rumiut ka dhënë emra të mëdhenj si Kabir, Milton, Whitman, Thoreau, Ikbal, Gibran, Naimy, Schuon etj.

Krijimtaria juaj është përkthyer në shumë gjuhë të botës, madje nga kritika është vlerësuar lart. A do të thotë kjo se ju më shumë njiheni jashtë sesa brenda. Apo thënë ndryshe, duhet dëshmuar jashtë për t’u pranuar brenda.

Po, qëndron ky fakt. Por kujt i bëhet vonë. Sepse çdoherë jam më i madh se hidhërimi im. Nuk më kanë përfshirë në Leksikonin e Akademisë së Shkencave. Jemi mësuar nga modestia të themi se ata e dinë më mirë, duhet të ndalet kjo praktikë! Hamamin e dinë më mirë! Krejt çka dinë ata është të vetëkënaqen me hordhinë/kopenë e vet. Mentalitet fisnor në Sociologji, stad më primitiv i organizimit shoqëror (sic!), në kohën jo- primitive, në shekullin XXI, daha më qesharake po del.

Një autor që jeton në Kosovë, i përkthyer në më se njëzetë gjuhë botërore, për të cilin kanë shkruar Universitetet botërore, i botuar edhe nga “Poem”, në Routledge London që përfaqësohet nga Agjencia më e vjetër Letrare Taylor&Frances në Londër, nuk përfshihet në mesin e të gjallëve në Kosovë, ndërkaq janë përfshirë njerëz që kanë shkruar tekste këngësh për estradën. Si shpjegohet kjo? Pos si mohim dinamik dhe permanent tash e 30 vjet. Kjo është e vërteta. Dhe çdoherë kam për ta thënë të vërtetën sa herë më pyet dikush për këtë, pavarësisht se dikujt do t’i dhemb. Mua më dhemb në anën tjetër se, po i provojnë lexuesit që të shohin se dikush po krijon madje shumë ndryshe nga ato që janë mësuar deri tani sa që na kanë sjellur deri në neveri dhe të na urrejë lexuesi. E turpshme kjo dhe është pak për të paftyrshmen! Edhe Turpit i kishte ardhë marre.

Po, rebel jam në këtë aspekt. Këtë rebelizëm do ta ushtroj jo për vete, por për t’i kthjellur mendjet e njerëzve që të mendojnë me kokën e vet jo me storie kolektive dhe me hamendje.

Unë nuk kam pritshmëri për pranim, jo se t’i pëlqej dikujt që nuk ka tru as shpirt, as që po më shkon ndër mend kjo punë, jo edhe për nja 50 vite të ardhshme kur gjeneratat e ardhshme në pajisjet elektronike do të gjejnë fjalë që u flenë në rrjetin elektromagnetik të qenies së tyre të pa kontaminuar nga paraardhësit që e kanë bërë pleh! Por do të vazhdoj të krijoj dhe do ta shfaq punën time për ata që tek do të vinë.

Tashmë gëzoni edhe epitetin ambasador i poetëve për Shqipëri nga Lëvizja Poetët Botëror…dhe një sërë asociacionesh të rëndësishme të artit letrar. A ju bën nder kjo dhe a ju motivon për të qenë një poet serioz në nivel tashmë botëror.

Kam mundur të refuzoj të gjithat, çmimet, nderet dhe privilegjet nga poetët dhe organizatat që kanë ndikim global në letërsi, por kam pranuar me qëllim që ta promovoj letërsinë tonë, duke propozuar po ashtu poetë tanë për të marrë çmime. Kam organizuar edhe Festivalin e Poezisë me po këtë qëllim që të kemi shkëmbime etj. E konsideroj nder se, mund të kontribuoj dhe t’ia bëj shërbimin kulturës sonë.

Ju, qysh si fëmijë, keni patur një kureshtje tjetër nga moshatarët tuaj. Kjo veçori është reflektuar në vijimësi. Pra, si një artist rebel, ju vështirë përshtateni me mjedisin dhe realitetin aktual.

E vërtetë, çdoherë më kanë interesuar gjëra të pazakonshme, plani i madh, njerëzit interesant, fenomenet e ndryshme, libra dhe libra nga më të ndryshmet, interesimet nga më të ndryshme si për bimë shëruese, pikturë, dizajn, muzikë e pazakontë pa dashur të jap emra krijuesish dhe ende po më ndjek ajo ndjesi e përshtatjes dhe pikërisht kjo ndjesi ka qenë faktor që të shkruaj librin “Këtutania”, vetëdijësimi për kohën, epokën që jetojë dhe hapësirën ku marrë rreze dhe frymë.

Akti krijues është individual dhe ai nuk vjen kur do ti, por kur don ai. A ndodh me ju kështu?

Akti krijues është çdoherë individual, por një poezi e bukur njëlloj si një muzikë e bukur çdoherë e gjen një shpirt/ zemër ku do të flejë. Një poezi e lartë- Alto, sigurisht se nuk mund të jetë për çdo shpirt, sepse edhe shpirti ka dimensionet e veta dhe shtresat e veta, të cilat duhet të pastrohen dhe të rafinohen.

Poezia është elitare, madje mund te thuhet se është lëngu i shtrydhur i zemrës. Pra, poezinë as që e krijon shumica…as që e shijon shumica. Mjafton që poezia e mirë ka filluar të rigjejë lexuesin e humbur dikur. Për çudi, si me magji, ka raste kur poezia e ndryshon njeriun, madje gjatë aktit të shkrimit dhe të leximit të saj para publikut. Mendoni që leximi i poezisë para publikut çliron poezinë nga prangat e kornizave të bardha?

Më herët kam thënë se Poezia fatkeqësisht është fjalë, në kontekstin se ajo as nuk krijohet e as nuk lexohet si një artikull gazete. Lexuesi është lodhur me poezi zhurnalistike, me dedikime për prindërit dhe anëtarët tjerë të familjes, me përkushtime të kota. Kujt i intereson më të lexoj për gyrbetin, për qyqet, për pragun, për diellin që ka formën e pogaçes, për zvarranikët për butakët, për djepin si metafora që nuk korrespondojnë më në realitetin në të cilin jetojmë dhe në atë metarealitet të cilin pak e perceptojmë, për rrugën kah individuimi dhe deliri në zbulimin e së vërtetës absolute, e cila është e parcializuar dhe jeton tok me ne pa e vërejtur sa duhet.

Shpesh më shkonte mendja ta nxjerr atë nga libri në një trajtë e cila në formatin 3D do të mund të na shoqëronte si një Elemental, si një krijesë që ka afatin e caktuar të ekzistencës e që është në shërbim të krijuesit të vet, ku nga ajo lirohet aroma, tingulli, germa, forma dhe e gjithë kjo rri pezul si oreol. Mbase këtë mund të na mundësoj një mijëvjeçar i ri.

Jo më kot Henrik Ibsen, këtu e 100 vjet më parë ka theksuar se detyrë e krijuesit është të pyes dhe të përgjigjet. Si do ta zbërthenit ju këtë kontradikte në shikim të parë?

Mendja, respektivisht qenësia e njeriut kreativ funksionon ndryshe, artisti sheh ngjyrat tjera, dëgjon tinguj tjerë, krijon format tjera, farkëton fjalë të reja kur për këtë mungon vokabulari. Shpesh kam thënë se: Neve na mungon vokabulari tokësor për çështje qiellore, andaj nëse na mungojnë këto fjalë është detyrë e poetit/ shkrimtarit që ta farkëtoj një fjalë të re për ta shprehur atë ndjesi, atë ide, atë zbulesë.

Si natyrë dukeni i qetë nga jashtë, por i zjarrtë nga brenda. Sigurisht zhvillohet një luftë e personazheve tuaja brenda krijuesit. Shpesh dukeni edhe mospërfillës ndaj disa penave që përpiqen t’ua zvetënojnë vlerat e arrira cep e cep botës…

Opozitat krijojnë funksionalitet, Yin dhe Yang, mashkull-femër, bardh-zi, nxehtë-ftohtë. Nga jashtë e keni vërejtur jam i qetë, por është një dramë e tërë që zhvillohet brenda meje. Betejat e ndryshme, personazhet dhe jo vetëm, tinguj, imazhe, aroma, dritë të shumta.

Jam absolutisht mospërfillës dhe do të vazhdoj të jem ndaj të gjithë atyre që zvetënojnë, sepse pandeh që ata i takojnë një epoke pa besim, pa dashuri, pa moral, pa dije dhe pa njohje e që kanë mbetur si fosile të gjalla në epokën e Inteligjencës Artificiale dhe Inteligjencës së zhvilluar emocionale, të cilën e zhvillojnë gjeneratat tona në këtë epokë.

Moti e kam kuptuar se këtë koloni njerëzish e shkatërron omofagia e tyre. Kafshohen si të tërbuar dhe si të pa- vaksinuar. Më dhimbsen!

Kush e determinon më mirë se lexuesi se çfarë duhet të lexojë. Cilat janë ato pena që na kanë qit në dritën e botës, e që na zvetënojnë ne, të cilët po ajo botë qysh para 30 vitesh e ka parë dhe po e shijon frutin e krijimtarisë që e bëjmë. Shumë është i vogël ky vend për njerëzimin.

Është e dhimbshme deri në delir që një krijues të mendojë dhe krijojë si një kritik apo studiues aktual i letërsisë. Poezia duhet të jetë tejkohore dhe bajraktar. Kritika duhet të vij pas dhe jo e kundërta. Ka kaluar koha kur poezia ishte vetëm inspirim. Tani duhet edhe Dije dhe Njohje andaj: Frymëzimi, Dituria dhe Njohja duhet të thuren si peri trebojësh për të mbushur tymin krijues.

Dominon bindja se nuk ka lexues, kjo nuk qëndron. Çka i është ofruar lexuesit për ta cytur kërshërinë e tij. Lexuesi duhet të trajtohet me dinjitet dhe nuk duhet gënjyer e kjo thënë shkurt, lexuesi është i mençur dhe kërkon diçka tjetër dhe ne nuk jemi përgjigjur me koherencë. Lexues ka pak. Kjo është e vërteta.

Unë ju them, kot keni gëlqerosur. Kot ama shumë kot. Ua dua të mirën dhe i udhëzoj që të kontrollojnë psikiatrin dhe mjekun e internos se ka të bëj edhe me mikrobiologjinë dhe endokrinologjinë. Gjatë urrejtjes gjëndra e tëmthit prodhon shumë vnerë dhe kur ky tajohet shumë, përpos që tretë lipidet në organizëm se këtë e ka funksion primar, më vonë edhe fytyra zbehet, ai vnerë përzihet në gjak dhe pasojnë sëmundjet nga më të ndryshme. Pulsin e kanë të çrregulluar, frymëmarrjen e rënduar. E dhimbshme apo jo. Mbytësim i ngadalshëm. Vetmbytësim! Sa më shpejtë që e kuptojnë këtë më qetë do të jetojnë në paqe me të tjerët e ne veçanti në paqe me vetveten.

Ndërkaq ju e përmendët zjarrin, unë flakën time të brendshme ka kohë që jam duke e rafinuar dhe shndërruar në flakën blu, në dashuri ndaj njerëzimit dhe të gjitha krijesave të Zotit. Mbaj në mend që nga fëmijëria se Profeti na ka udhëzuar: “I gjithë krijimi është një familje, më I miri prej jush është ai që i sjellë më të mirat kësaj familjeje”.

Lini përshtypjen se zakonisht edhe gjatë ecjes bisedoni dhe polemizoni me personazhet tuaja. Pra, mund te themi, se në njëfarë mënyre jeni poet kryeneç dhe ngucakeq. Libri juaj i fundit me poezi ka një titull tepër intrigues, ku edhe një herë dëshmoni stilin tuaj të rrallë krijues, që përveç thellësisë poetike shpalosni edhe shpirtin bujar duke përdorur nje diskur diellor, rrezatues e vezullues…

Po shumë shpesh edhe debatoj dhe shpesh më kanë ndalur njerëzit dhe më kanë pyetur pyetje nga më të llojllojshme, sepse krijoj në Gestalt të plotë, Këtu dhe Tash, pa pretendime, pa hamendje se po krijoj kryevepër. Asnjëherë nuk kënaqem me atë që kam bërë dhe çdo herë vepra e fundit më duket më e mirë po ashtu çdoherë e kam një ndjesi se çdo vepër e radhës edhe një kapitull i një libri të madh. Një Anti-palindrom masiv.

Libri i fundit “Palankin”, është përgjigje më e mirë dhe reflektimi rrugëtimit kreativ e që e unë ka dimension sakral. Është realizim i jashtëzakonshëm, i cili pasqyron qenësinë e njeriut, simbolikën e numrit nëntë dhe rëndësinë e nëntëmujorit si fetus në mitër. Janë nëntë kapituj me nga nëntë poezi dhe secila poezi i ka nëntë vargje. Në letërsinë shqipe nuk kujtoj se është kultivuar nëntëvargëshi. Pastaj është një kapitull, i cili shëmbëllen numrin e kromozomeve të njërit prin. Janë 23 poezi të cilat lexohen të pavarura dhe ky kapitull e ka manualin e leximit. Rrjedhimisht për ta rezymuar ky libër do të jetë interpretimi i vërtetësisë shkencore dhe krijimit, jetës, vdekjes dhe krejt pas sa në mënyrë emocionale nëpërmjet vargut poetik.

Në art, nuk ekziston pika. Do të shkruani derisa të ketë ide, letër dhe njerëz mbi këtë dhe…

Më kujtohet në leximet për Artin, kur i thanë Salvador Dali se Picasso është gjeni. Po, u gjegj Dali, Picasso është gjeni, por unë jam Salvador Dali. Në art nuk ka pikë. Këtë e ka dëshmuar më së miri Leonardo Da Vinci, kur nuk është mjaftuar kreativiteti i tij në pikturë ai është marrë me anatomi, me inovacion dhe me shumë disiplina tjera shkencore që kanë gjithsesi nevojë për Inteligjencë emocionale.

Unë do të vazhdoj të shkruaj krejt derisa do ta kem edhe lexuesin e fundit. Jam i vetëdijshëm se i kam pak lexues dhe asnjëherë nuk rrëmbehem nga ideja se një libër i imi domosdo të shndërrohet në bestseller. Qëllimi im është që të bëj një libër për ata pak lexues që janë ta mbajnë në zemër apo në xhep e jo të qarkulloj si perimet nëpër panaire, sepse ka dallim të shumë të madh mes Letërsisë dhe estradës. I lum është ai, i cili me kohë e kupton këtë të vërtetë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Konfirmojnë lidhjen e dashurisë - Erolld Belegu dhe Diola Dosti shfaqen më të lumtur se kurrë

Konfirmojnë lidhjen e dashurisë - Erolld Belegu dhe Diola Dosti shfaqen më të lumtur se kurrë

Magazina
Deklarimet e Vuçiqit për luftë, deputeti gjerman i reagon ashpër Borrellit e Lajçakut, po e akuzoni Kurtin pa arsye

Deklarimet e Vuçiqit për luftë, deputeti gjerman i reagon ashpër Borrellit e Lajçakut, po e akuzoni Kurtin pa arsye

Politikë
Babai i Gentian Bejtjes: Nëse djali im ka vrarë e ka prerë, i jap dorën atij që e vrau!

Babai i Gentian Bejtjes: Nëse djali im ka vrarë e ka prerë, i jap dorën atij që e vrau!

Lajme
Aeroplani supersonik që ishte më i shpejtë se Concorde

Aeroplani supersonik që ishte më i shpejtë se Concorde

Amerika
Romeo Veshaj thotë emrin e vajzës që e ka dashur më së shumti në jetë

Romeo Veshaj thotë emrin e vajzës që e ka dashur më së shumti në jetë

Magazina

"Zhdukja" misterioze e Kate Middletn - dyshohet se Princi William e ka tradhtuar gruan e tij?

Magazina
Kalo në kategori