LAJMI I FUNDIT:

“Extra Time” – roman i vetjeve në kohë dhe hapësirë

“Extra Time” – roman i vetjeve në kohë dhe hapësirë

Nga: Ermira Alija

Ajo që provokon një vepër arti tek ne, ka gjithmonë doza individualiteti por nganjëherë këto kanë potencë të reflektohen tek ne si zbuluese, si shtyrëse të disa kufijve, si çliruese.


Ky funksion që letërsia e fiton pa dashur, ka ngjallur shpesh polemikë, e si rrjedhojë është parë edhe në drita këndvështrimesh e emërtimesh të ndryshme.

Kur lexojmë në romanin “Extra time”:  Duart e saj rrëshqasin mbi trikon tënde golf … kalojnë orë e ju rrini të përqafuar…, të duket interesante që dikush po flet për një palë duar që po rrokin dikë e ky dikush je ti-ja që po tregon. Pyetja “kush je ti?”, që po flet për veten tënde, të shoqëron gjatë romanit si lexues dhe të bën të mendohesh, ndoshta edhe të rikthehesh për të rikuptuar dhe shijuar detaje. Shpesh duket se ti-ja që po tregon:… Mbërrin përpara kangjellës… ,është vetja e sipërme e rrëfyesit-personazh, ajo më e ftohta, ajo që nuk gënjëhet: …Lëri sytë të shohin! Ndryshe lexon në celular e ndryshe shtyp me gishta. Sajesë e trurit tënd!…,ajo që flet hapur, që kujton, që përshkruan gjendjen: … Je shumë nervoz, që këshillon … Lexo atë që shikon! Nuk po përkthen këtu! etj. Edhe kur duket se ti-ja tregon gjëra që mund t’i tregonte një ai-rrëfyes, rrëfimi mbart shtresëzime funksionesh shtesë, sepse ti-ja jo vetëm përqëndron veten e hutuar duke i rreshtuar asaj gjëra normale: … Nuk ke pse kthehesh edhe një herë tek kontaktorët…, por edhe i jep zemër, qoftë edhe duke e ironizuar: …Tani me ritmin e një balerini shkon e ndez të gjitha dritat që ka kjo banesë…

Këto vetje nuk barazohen me dyzimin shpirt-trup, koshiencë-subkoshiencë; Dhe kjo si lexues na kujton diçka, që mua më vjen ndër mend shpesh. Konceptet abstrakte e dogmatizojnë realitetin e, në një farë mënyre, rrezikojnë ta burgosin. Është letërsia ajo që çliron.

Dhe, në këtë roman e reja nuk qëndron thjesht në tregimin e vetës së dytë, por në bërjen objekt të një vëzhgimi të hollësishëm romanesk të vetjeve të njeriut, gjë që krijon mundësi për të realizuar një skaner artistiko-psikologjik të njeriut, përtej disa rezultantesh, bile përtej një realiteti: … fton lexuesin të ndjehet jashtë kohe, ose në kohën shtesë, ku individi nuk ka përse të jetë skllav i fuqisë së kohës kronologjike …

Lapsuset, gjuha që nuk përgjigjet në kohën e duhur, mendimi me zë të lartë pa dashur, duart që bëjnë të kundërtën e mendjes,  sensorët-orakuj, janë forma shprehëse, që na shpalosin njeriun që nuk është aq homogjen sa duket. Pjesë të veçanta të tij nganjëherë ruajnë me një kokëfortësi të çuditshme një farë pavarësie. Dhe ne si lexues, ndjekim ti-në që hulumton ndër këto vetje, jo për t’i nënshtruar, por për të kuptuar autonominë e tyre. Duket si lojë fjalësh. Por vetjet e rrëfyesit janë të shpërndara në kohë (ashtu si tonat). Citati i Shën Agostinit … unë e di çfarë është koha, por, kur më pyesin, nuk di ta shpjegoj, nuk është vënë më kot në fillim, sepse koha matet dhe nuk matet me orë, të gjithë e dimë këtë.

Rrëfyesi ynë e sheh kohën si konstrukt, jo vetëm si rrjedhë. Në fakt pesha mund të ndikojë në konstruktin dhe rrjedhën e diçkaje, apo jo? Një çast peshon sa një jetë, themi ne … E shkuara mund … të ngrijë kujtimet, thotë rrëfyesi ynë.

Alma, po Atisi ku është?

Të shikon e habitur, pastaj shton:

Edhe unë pyes me mend, por nuk e them me zë.

Për djalin perceptimi i kohës ndërsa vdiste, ka qenë brenda dhe jashtë trupit të tij… ashtu si e shkuara e vdekjes së tij është brenda e jashtë trupit real të babait. Pra, perceptimi i kohës që rrjedh, është një lojë e jetës, thotë ti-ja rrëfyese, jashtë kohës ka ende kohë…

Të treguarit i ngjan më tepër kërkimit, të cilin ne e ndjekim si dëshmitarë të afërt, ku jo vetëm koha, por edhe hapësira ka extrat e veta: … fakti që bën të njëjtin udhëtim, që përshkon të njëjtën hapësirë.. Ti nuk po jeton vetëm një dimension hapësire …

Kjo duket si një teknikë rrëfimi për të zbuluar shtresa dhe ngjyra, që nuk shihen në dominancën e zakonshme:…. Ti jeton disa çaste extra, këtu fillon rrëfimi yt…

Por, në këtë rrëfim, realiteti shihet në dritën e leximit, përkthimit si komunikim subjektiv, duke e zhveshur nga e vërteta absolute.… Ke dëshirë ta personalizosh leximin tënd dhe ta përdorësh si një metodë për të hetuar në thellësinë tënde…. thotë  ti-ja se… mbase rrugës zbulon diçka për veten, dicka që nuk mendoje se e kishe….

Në të vërtetëz bulohet se ka kaq shumë vetje tek fjala (… Atis, Nana…), sa ajo është bërë pothuajse mbartëse e tyre dhe ka krijuar shpirtin e vet, nganjëherë të thellë e mistik, aq sa sikur njeriu ka nevojë të kthehet tek ajo për të rigjetur atë që i ka dhënë dikur e që vetë pothuajse e ka humbur.

Por e tejkalon strategjinë  kjo gjë, pavarësisht se  raporti me të shkruarën… është një…udhëtim që… nuk ndodh në mjedisin e konkretes, reales, por në atë të iluzionit… dhe pavarësisht se një lirizëm i nënteshëm  nxjerr krye nganjëherë në roman dhe prish disa mundësi balancash skematike, sidomos pas asaj që thotë ti-ja rrëfyese: …Trillimi… hyn…brenda të vërtetave, duke i errësuar … për t’u mbrojtur nga forca e tyre.

Detaji i gati tjetërsimit të realitetit që ndodh nga ekrani, ngjan herë si paralelizëm, herë si paradoks e herë si formë ekzistence dhe ndoshta kthehet në simbolikën e vetë romanit që nukpropozon, por të lë të ndjesh. Kështu, mund të dëgjohet trokitja në derë. Ndoshta si shpresë e rikthimit të Atisit, si simbol i një cikël jete që mbyllet, por që rilind një cilësi të saj.

Miti i Atisit, merr nuanca metafizike, kurse ti-ja urdhëron:… Hape derën! …Përqafimi nuk mund të jetë gjithmonë një lamtumirë!

E mua nuk e di pse më kujtohet diçka e lexuar diku në mes të librit:… Pylli është i shenjtë e atë nuk e mbrojnë rojet e pyllit … juve jua kanë thënë këtë që fëmijë…