Evertoni transferon Dewsbury-Hall nga Chelsea

Chelsea ka zyrtarizuar largimin e Kiernan Dewsbury-Hall, i cili është transferuar te Evertoni për një shumë prej 25 milionë paund, plus 4 milionë të tjera në formë bonusesh të mundshme.
Mesfushori anglez u bashkua me Chelsean nga Leicester City, por qëndrimi i tij në Stamford Bridge ishte i shkurtër. Ai tani i bashkohet Evertonit për të nisur një kapitull të ri në karrierë, duke u bërë përforcimi më i fundit në projektin e klubit nga Goodison Park.
Në deklaratën zyrtare të Chelseat thuhet: “Dewsbury-Hall largohet nga Chelsea si kampion evropian dhe botëror, pasi ishte pjesë e skuadrës që fitoi Ligën e Konferencës dhe Kupën e Botës për Klube”.
Klubi londinez i shprehu mirënjohje për kontributin e tij gjatë periudhës së shkurtër te Chelsea dhe i uroi suksese në aventurën e re.
“E falënderojmë Kiernanin për përpjekjet e tij dhe i urojmë gjithë të mirat në karrierën e tij të mëtejshme”, thuhet më tej në komunikatë.
Dewsbury-Hall pritet të jetë një element kyç për Evertonin në sezonin 2025/26, ndërsa “Toffees” synojnë të rikthehen në zonat e larta të Ligës Premier. /Telegrafi/


















































