Ndonëse veç në një periudhë afërsisht tremujore gjatë verës së vitit 2021 patën ushtrim normal të veprimtarisë së tyre, estrada kosovare i pagoi qindra mijëra euro tatim shtetit.

Tre muajt e verës së vitit 2021 ishin ndoshta periudha kur estrada kosovare pati më së shumti punë dhe përfitime nga aktiviteti i tyre.


Dasma, ahengje e koncerte u organizuan me të madhe gjatë kësaj kohe pasi qeveria lehtësoi në maksimum masat restriktive.

Administrata tatimore e kosoves ATK 8 shtator foto Ridvan Slivova 1  1 Administrata Tatimore e Kosovës (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Për 10 muaj të vitit 2021, nga performancat vetëm brenda Kosovës, estrada pati qarkullim prej 7 milionë e 691 mijë euro.

Nga të dhënat e ofruara nga Administrata Tatimore e Kosovës për Telegrafin, bëhet e ditur se për 10 muaj, bazuar në përfitimet dhe qarkullimet e tyre, estrada i pagoi shtetit tatim në vlerë pre 408 mijë e 29 euro.

Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa, sqaron se këto statistika janë të bazuara në bazë të aktivitetit ekonomik në të cilin ata janë të regjistruar.

Administrata tatimore e kosoves ATK 8 shtator foto Ridvan Slivova 4  1  1 e1639941612790 Administrata Tatimore e Kosovës (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Sipas të dhënave që posedon ATK, shumica janë regjistruar në aktivitetin: “Aktivitete të tjera të argëtimit dhe rekreacionit”.

“Të dhënat janë bazuar në profesionin e tyre (Muzicient, këngëtar) si dhe në aktivitetin ekonomik (aktivitetet tjera te argëtimit dhe rekreacionit, krijimtari dhe shfaqje artistike) në të cilin shumë prej tyre janë te regjistruar. Andaj sa i përket aktiviteteve ekonomike, të dhënat përfshijnë edhe tatimpagues tjerë që nuk kanë të bëjnë fare me ketë kategori”, thotë Sefa-Bytyqi në përgjigjen dhënë Telegrafit.

Mirëpo përveç atyre që i paguan tatim shtetit, pati edhe të tillë që nuk përfillën rregullat në fuqi të ATK-së, andaj në një situatë të tillë ata u përballën edhe me gjoba.

Administrata Tatimore e Kosovës bën të ditur se për estradën gjatë periudhës janar-tetor të 2021-tës shqiptoi 89 gjoba.

Screenshot 2 94 Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa (Foto: Screenshot)

Sidoqoftë, shuma që estrada ia pagoi shtetit gjatë këtij viti ishte shumë më e vogël se sa më 2019 kur në botë nuk ishte shfaqur ende pandemia e COVID-19.

ATK vitin e kaluar për Telegrafin bënte të ditur se më 2019 se nga estrada kishte inkasuar hiç më pak se 677 mijë euro.

Screenshot 3 70

Ndërkaq, më 2020, ATK nga kjo kategori mblidhte 244 mijë euro.

“Gjatë vitit 2019 nga kategoria e veprimtarisë Argëtimit dhe Rekracionit janë mbledhur të hyra në shumë prej 677 mijë euro, ndërsa në vitin 2020 të hyrat e mbledhura ishin 244 mijë euro. Si çdo veprimtari tjetër edhe veprimtaria ku bëjnë pjesë këngëtarët është subjekt i tatimit. Prandaj, duke pasur parasysh se sistemi i deklarimit në Kosovë është sistem i deklarimit vullnetar të të hyrave, kjo kategori ka paguar tatime, ku të dhënat e fundit u cekën më lartë. Përveç kësaj, ATK bazuar në Ligjin mbi Administratën Tatimore dhe procedurat, Neni 19, ka të drejtë të bëjë vlerësimin për tatim, aty ku beson se informatat e siguruara në deklaratën tatimore nuk janë të sakta”, shpjegonte ATK vitin e kaluar për Telegrafin.

17864 finalizohet manuali ne dasma do te lejohen deri ne 200 persona Dasmat këtë vit u lejuan nën zbatimin e masave të marra nga Qeveria në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë (Foto: Screenshot)

Kujtojmë se shuma e lartcekur e fituar nga estrada mund të jetë shumë më e madhe duke pasur parasysh se ata një pjesë të madhe të aktivitetit e kanë të koncentruar edhe jashtë Kosovës.

Jashtë Kosovës, ata tatimin e paguajnë në shtetin respektiv në të cilin performojnë. /Telegrafi/