Java e Trajnimeve për ESG (Environmental and Social Governance) ka nisur sot në Universitetin e Prishtinës, me sesionin e parë të mbajtur në Qendrën për Zhvillim të Karrierës, ku morën pjesë dhjetëra studentë të interesuar për karrierë të qëndrueshme dhe me ndikim në shoqëri.

Trajnimi i parë me temën “ESG si Karrierë” u mbajt nga Arbnora Jashanica, eksperte në fushën e përgjegjësisë sociale dhe mjedisore dhe qeverisëse, e cila ndau njohuritë e saj mbi rëndësinë që kanë standardet ESG në zhvillimin profesional të të rinjve në tregun e sotëm të punës.


“Studentët sot nuk kërkojnë vetëm punë, por mision – dhe ESG është një nga rrugët më të rëndësishme për të ndërtuar karrierë me kuptim”, tha Jashanica gjatë njërit nga sesionet e trajnimit.

Programi i ditës nisi me regjistrimin e pjesëmarrësve, duke vazhduar me dy sesione interaktive të trajnimit dhe një pushim për drekë e rrjetëzim, ku studentët patën mundësi të ndajnë përvojat dhe të krijojnë lidhje me njëri-tjetrin. Në përmbyllje të ditës, të gjithë pjesëmarrësve iu ndanë certifikata për pjesëmarrje aktive.

Kjo ngjarje është organizuar nga ESRA – Environmental and Social Responsibility Association në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës, si pjesë e një jave trajnimesh që synon të fuqizojë studentët me njohuri praktike mbi ESG dhe potencialin që ka kjo fushë në ndërtimin e një të ardhmeje më të përgjegjshme.

IMG 3298 rotated

Përmes këtyre trajnimeve, ESRA synon të krijojë një urë ndërmjet akademisë dhe sektorit profesional, duke i përgatitur të rinjtë për sfidat dhe mundësitë që sjell transformimi i gjelbër dhe qasjet e reja në menaxhimin e ndikimit social, mjedisor dhe qeverisës.

Organizatorët falënderojnë sponsorin gjeneral Hare Residence, si dhe sponsorët mbështetës Ujë Rugova dhe Telegrafi – media partnere e aktivitetit.

Java e Trajnimeve për ESG vazhdon edhe në dy ditët në vijim me tema dhe ligjërues të tjerë, të cilët do të ndajnë përvoja të rëndësishme për të gjithë ata që synojnë të jenë pjesë e ndryshimit pozitiv në shoqëri. /Telegrafi/