“Është e pashmangshme” – Man City këshillohet që të bëhet gati për vendimin e 115 akuzave

Një vendim për 115 akuzat ndaj Manchester Cityt pritej fillimisht më herët gjatë këtij viti, por tani raportohet se do të merret shumë shpejt.
Ka pasur frustrim për kohëzgjatjen e këtij procesi, por klubi nuk duket se do të duhet të presë edhe shumë gjatë për të mësuar fatin e tij.
Prej kohësh po qarkullojnë spekulime për dënimet e mundshme nëse City shpallet fajtor, që variojnë nga heqje pikësh deri te zhveshja nga titujt kampion, por klubi mendohet se është i bindur se do të shmangë sanksionet më të rënda dhe ka kërkuar pafajësi gjatë gjithë procesit.
“Është shumë, shumë e thjeshtë. Ata ende nuk e kanë marrë vendimin nga paneli. Mendoj se tani nuk ka më asnjë justifikim për ndonjë vonesë tjetër. Edhe nëse kanë qenë të zënë me çështje të tjera dhe me siguri kanë qenë do të ishte vërtet e jashtëzakonshme që nuk është vendosur ende as një afat kohor dhe as ndonjë marrëveshje për pagesën e kohës së tyre gjatë këtyre dhjetë muajve për të prodhuar vendimin”.

“Në çdo rast, 10 muaj janë të mjaftueshëm për të hartuar edhe një vendim shumë të detajuar me 400 apo 500 faqe, dhe unë mendoj se vendimi është i afërt. E di që e kam thënë këtë disa herë më parë në këtë dhomë, por vërtet mendoja që kishte shumë gjasa të dilte gjatë pushimit ndërkombëtar”.
“Mendoj se ka shumë gjasa që të dalë në afatin e ardhshëm ndërkombëtar dhe nuk mund ta imagjinoj që kjo çështje të hyjë në vitin 2026. Thjesht nuk e shoh të mundur që të zgjasë përtej këtij viti. Mendoj se vendimi është pothuajse gati”, ka thënë eksperti ligjor Stefan Borson.
Në pritje të vendimit zyrtar, Manchester City vazhdon të mbajë qëndrimin e tij të palëkundur për pafajësi, ndërsa sytë e botës së futbollit janë të drejtuar nga paneli i Ligës Premier që po shqyrton një nga çështjet më të rëndësishme në historinë e ligës./Telegrafi/




































